Familjarët e Ermal Hoxhës: Arrestimi politik!
Prindërit e Ermal Hoxhës, Ilir dhe Teuta Hoxha, kanë reaguar ndaj arrestimit që i është bërë të birit.

Me anë të një letre të bërë publike tashmë për mediat, ata e kanë cilësuar si një veprim që ka për qëllim diskreditimin e emrit të Enver Hoxhës.

“Arrestimi ka për qëllim diskretitimin e figurës së Enver Hoxhës. Nuk është hera e parë që kjo i ndodh familjes sonë. Para katër vitesh policia donte të implikonte djalin tjetër. Djalin tjetër na e akuzuan për një konflikt me armë. Por, kur ndodhi incidenti ai ishte në një festë familjare. E njëjta situatë po ndodh dhe me Ermalin”, thuhet në një reagim të tyre.

DEKLARATA

Arrestimi i djalit tonë Ermal Hoxha, që ndodhi dje, më datë 14-1-2015, ka për qëllim të vetëm diskreditimin e emrit të Enver Hoxhës. Nuk është hera e parë që kjo gjë i ndodh familjes sonë.

Para katër vjetësh policia donte të implikonte djalin tjetër tonin, duke e akuzuar si pjesëmarrës në një konflikt me armë, kur ai në kohën që kishte ndodhur incidenti, ishte bashkë me ne, prindërit e tij dhe me 30 të ftuar të tjerë në një festë familjare.

Po kështu ndodhi edhe me Ermalin, që del njoftimi në media me burim nga Prokuroria, që është zënë me drogë dhe me një shumë të madhe parash në një makinë foristradë të zezë, në afërsi të Elbasanit. Në një kohë që Ermali ndodhej në Durrës, në shtëpinë e prindërve të gruas.

I njejti skenar, për ta inkriminuar. Dhe pritej që diҫka të ndodhte, kur Enver Hoxha në këtë 70-vjetor të clirimit, u anatemua nga të gjitha forcat politike, të djathta dhe të majta.

Egërsisht e quajtën monstër dhe Hitler. Shkuan deri atje, sa edhe fotografitë i'a ndaluan me dhunë shtetërore. Edhe kjo që ndodhi dje, është në vazhdën e persekutimit që i bëhet familjes së tij. Tani që nipërit e tij janë bërë madhorë, persekutimi po bie mbi ta.

Urojmë që drejtësia të veprojë e pavarur nga segmentet e politikës. Ilir – Teuta Hoxha /albeu.com/


Shtuar më 15/01/2015, ora 13:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori