Falsifikojnë firmën e Shullazit, si iu vu gjoba 10 mijë euro biznesmenit
Prokuroria për Krimet e Rënda përfundoi hetimin për dy të rinj të dyshuar për “gjobëvënie” 10 mijë euro ndaj një biznesmeni përmes mesazhesh kërcënuese të nënshkruara me mbiemrin “Shullazi”.

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, të pandehurit nuk kanë asnjë lidhje me Emiliano Shullazin, por kanë përdorur mbiemrin e tij për të frikësuar biznesmenin. Dosja me të pandehur Altin Valisi dhe Durim Dervishi është depozituar në Gjykatën për Krimet e Rënda, ku pritet të gjykohet nga një pesëshe gjyqtarësh të kryesuar nga Ardit Mustafaj, shkruan Panorama.

pandehurit, 21 dhe 19 vjeç, do të përballen në gjyq me dy akuza penale, atë të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në bashkëpunim dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Burime zyrtare të gjykatës konfirmuan se seanca e parë e këtij procesi është caktuar më 5 korrik 2017.

MESAZHET KERCENUESE

Prokuroria pretendon se dy të pandehurit janë autorët e dërgimit të disa mesazheve kërcënuese në adresë të biznesmenit Piro Z., 55 vjeç. Në këto SMS, nga një numër i panjohur për biznesmenin, atij i kërkohej dorëzimi i një shume parash prej 10 mijë eurosh.

Në të kundërt, dërguesit i thoshin se do ta vrisnin atë apo ndonjë prej familjarëve të tij. Në një nga SMS-të e tjera, biznesmenit i thuhej se në rast se nuk do të kryente pagesën “ta merrte vetë me mend se çfarë mund t’i ndodhte”.

Referuar SMS-ve të administruara si provë, si edhe thënieve të biznesmenit, kërcënimet e mbërritura në telefonin e tij mbylleshin me emrin “Altin Shullazi”. Sipas Prokurorisë, të pandehurit kishin njohje me biznesmenin e kërcënuar prej tyre, për shkak se blinin produkte në biznesin e tij.

Nga hetimi ka rezultuar se SMS-të kërcënuese janë dërguar nga një numër telefonik i blerë në tregun e zi. Pas kallëzimit të biznesmenit në organet kompetente, prokuroria identifikoi fillimisht një familjar të njërit prej dy të pandehurve. Më pas, përmes metodave speciale të hetimit, u siguruan prova që ngrinin dyshime për përfshirjen e dy të rinjve në këtë episod kriminal. Në seancën e caktimit të masës “arrest në burg” ndaj tyre nga Shkalla e Parë më 17 mars 2017, një prej të pandehurve shfaqën pendesë për SMS-të kërcënuese të dërguara në numrin e biznesmenit, ndërkohë që njëri tha se shoqërohej me të, por nuk kishte dijeni për gjobën.

“LAST NIGT”

Altin Valisi dhe Durim Dervishi u arrestuan më 15 mars 2017 nga një operacion policor i koduar “Last nigt”. Ata u prangosën në një lokal në zonën e Laprakës, vend të cilin ata ia kishin caktuar biznesmenin për t’i dorëzuar shumën e parave.

Teksa ishin në pritje të ardhjes së parave, në vend të tyre në ambientet e lokalit janë futur forcat e policisë, ku i kanë prangosur për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”.

Në përfundim të këtij operacioni, policia njoftoi sekuestrimin si provë materiale të një armë automatik, tip “AK-47”, 11 aparate telefonikë celularë të markave të ndryshme dhe 5 karta SIM. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2017, ora 19:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori