Falsifikoi tokën 1.7 mln euro në Jalë, në pranga 56 vjeçari
Në kuadër të operacionit të koduar “JALA”, policia ka sekuestruar një sipërfaqe toke në fshatin Vuno dhe Jalë dhe prangosi shtetasin e kërkuar Murat Hysenaj, 56 vjeç, banues në Vlorë.

“Në kuadër të procedimit penal Nr.1802/2016, ditën e sotme u bë e mundur kapja dhe arrestimi i këtij shtetasi, i cili është shpallur në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”. (Neni 186/2 dhe 287/a,c të Kodit Penal)”- njofton policia.

Mbi bazën e këtij operacioni, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, kanë bërë sekuestrimin e një sipërfaqe toke prej 17.000 m2 toke në fshatin Vuno dhe Jalë, Bashkia Himarë, e cila është përvetësuar nga shtetasi i mësipërm nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.

Vlera e kësaj sipërfaqe toke shkon rreth 1.7 milionë euro. Gjithashtu, për veprat penale të mësipërme, shtetasit Murat Hysenaj i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”./Albeu.com/
Shtuar më 17/02/2017, ora 08:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori