Qindra pasagjerë ngelin aeroporteve të Italisë, Belle Air pezullon fluturimet!
UPDATE - Kompania Belle Air, e kontaktuar nga Portali Albeu.com, ka njoftuar se për shkak të "situatës së përgjithshme ekonomike, rënies së fuqisë blerëse, reçesionit në tregjet kryesore ku operon kjo kompani, si edhe bllokimit prej më se 18 ditësh të të gjitha llogarive bankare të kompanisë Belle Air", kjo kompani është detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet e saj.

Në sqarimin dërguar Portalit Albeu, Belle Air sqaron se gjatë kësaj periudhe kompania Belle Air do të rinisë një proçes ristrukturimi për t’u rikthyer së shpejti me shërbime dhe çmime më të lira në tregun shqiptar.

20:31 - Pas anulimit të fluturimit nga kompania ajrore “Belle Air”, të paktën 200 pasagjerë shqiptarë ndodhen të bllokuar në aeroportin e Veronës në Itali.

Ndërkohë, siç mund të shihet në foton e mësipërme, Aeroporti i Tiranës, ka njoftuar anullimin e fluturimeve të kësaj kompanie nga Bari dhe Bergamo, të caktuara në oraret 22:20 dhe 22:40.

Pasagjerët ndodhen aty prej orës 14:30, ndërsa fluturimi për në Tiranë, që u anulua, ishte shënuar në orën 17:35 minuta.

Gjithashtu, vijnë informacione se ne aeroportet në Bari dhe Bergamo janë në pritje edhe pasagjerët e Belle Air që presin për t'u nisur për Tiranë ndërkohë që udhëtimet janë anuluar.

Portali Albeu.com ka tentuar të kontaktojë me zyrtarë tëkompanisë por deri më tani nuk ka arritur ndërsa nga numrat e Call Center-it të Belleair, na kanë thënë se "kompania ka njoftuar pasagjerët për anulimet", pa dhënë detaje për arsyet e anulimit të fluturimeve.

Nuk është hera e parë që Belleair ka përjetuar situata të ngjashme. Edhe muaj më parë, pasagjerët e Belle Air kanë përjetuar anulime të paparalajmëruara të fluturimeve por si duket këtë herë situata është shumë më serioze pasi flitet për 4 milion euro borxhe të kompanisë, shumë kjo që mund ta detyrojë kompaninë të shpallë falimentin. /albeu.com/
Shtuar më 24/11/2013, ora 21:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori