Fale permbajtjes se qytetareve situata nuk eshte pershkallezuar
Pëlqej
Albeu.com
Strukturat politike dhe të sigurisë kanë vlerësuar sot se gjatë fundjavës së fundit gjendja e sigurisë në komunën e Mitrovicës ka qenë e tensionuar, por falë maturisë dhe përmbajtjes së qytetarëve situata nuk është përshkallëzuar.
Në takimin me këto struktura, kryetari i komunës Bajram Rexhepi tha se të shtunën ka pasur të shtëna me armë zjarri nga ekstremistët serbë në lagjen "Kroi i Vitakut". Ndërkohë në "Lagjen e Boshnjakëve" strukturat paralele serbe i kanë detyruar pronarët shqiptarë që të mbyllin shitoret e tyre, veprime këto që janë të dënueshme dhe të papranueshme, sepse janë reflektuar negativisht në situatën e sigurisë, theksoi Rexhepi.

"E kuptoj qëllimin e ndërkombëtarëve që të ruhet paqja e siguria dhe që të mos ketë tensionime, që është edhe qëllim kryesor i ynë, por është e pakuptueshme që të mos reagohet, ndiqen dhe kapen grupet ekstremiste që shtien me armë zjarri, edhe atëherë kur dihet lokacioni prej nga ata i bëjnë këto veprime të rënda kriminale", tha Rexhepi.

Ai kërkoi që shkaktarët e këtyre incidenteve të arrestohen dhe të respektohet ligji në të kundërtën, do të jetë vështirë që të kontrollohet pakënaqësia tek popullata shumicë, e cila deri tash ka pasur sjellje të matura dhe vetëpërmbajtje të nivelit të lartë, edhe në momentet më të vështira.

Përfaqësuesi i doganave të Kosovës, Bashkim Çitaku, kërkoi nga përgjegjësit për siguri që të ndërpresin punën e paligjshme të strukturave paralele serbe në "lagjen e Boshnjakëve", të cilat të papenguara lëshojnë dokumente paralele doganore, që po e vështirësojnë qarkullimin e mallrave nga Kosova për në Serbi, veprim ky që është i papranueshëm. (QIK)
Shtuar më 17/11/2008, ora 21:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori