Fakte të reja për “baronin e drogës”, ja si u zbulua zbulua aktiviteti i “bardhë” i Balilit në Belgjikë
Prokuroria e Përgjithshme shqiptare ka publikuar sot një element mjaft të rëndësishëm që zbulon se akuza ndaj Balilit për trafikimin e vetëm 700 kg Cannabis Sativa drejt Greqisë është “minore” përballë faktit se “Eskobari” rezulton të jetë edhe një nga krerët kryesorë të një organizate kriminale të trafikut të kokainës që kishte shtrirë aktivitetin e saj thuajse në të gjithë vendet e Bashkimit Europian.

Konkretisht gjatë takimit të zhvilluar sot në Bruksel me Prokurorin Federal të Belgjikës, Frederic Van Leeuë, kreu i organit shqiptar të akuzës ka përmendur në takim faktin që “Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë diskutoi pak ditë më parë për problematikën me narkotikët, nisur edhe nga një rast konkret, hetimi për të cilin ka nisur pikërisht nga autoritetet e Belgjikës”.

Fakti që hetimet ndaj Balilit, kanë nisur nga Belgjika dhe jo nga Greqia, siç pohon për herë të parë Adriatik Llalla, qartësisht le të kuptohet se Balili ka patur një rol kyç në trafikun me tonelata të kokainës në BE dhe nuk ka qenë thjesht një trafikant hashashi rajonal. Aq sa me të drejtë ai mund të konsiderohet si “Eskobari i Europës” më shumë se sa i Ballkanit, shkruan News 24.

Prokuroria e Përgjithshme e ka pohuar këtë fakt duke saktësuar gjithashtu se roli i Balilit në trafikun ndërkombëtar të kokainës u zbulua fill pas arrestimit në Bruksel nga agjentët e EUROPOL-it, të dy vëllezërve nga Saranda, Dhimitër dhe Xhevahir Poti, të cilët dyshohen se drejtonin trafikun e kokainës dhe hashashit në shtete të ndryshme të BE, për llogari të Klement Balilit.

KUSH JANË VËLLEZËRIT POTI

Dhimitër Poti së bashku me vëllanë e tij Xhevahirin, zotëronin një kompani transporti në Belgjikë “RDGL Group” dhe një kompani ilaçesh në Shqipëri të quajtur “Chem Prod”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se Poti ka hapur në Bullgari dhe një tjetër kompani transporti të quajtur “Friends Trans LTD”, vetëm 9 muaj pas themelimit të shoqërisë në Belgjikë dhe se funksioni i saj ka qënë transporti i mallrave, por që në fakt këto firma përdoreshin për të krijuar një maskim dhe mbuluar aktivitertin e drogës në të gjithë BE-në.

Ndërkohë që disa vite më parë Dhimitër Poti në 2008 në Shqipëri, ka regjistruar kompaninë e ilaçeve dhe pjesëve motorike “Chim Prod” në mars të vitit 2008, por e kishte likujduar dhe mbyllur dy vjet më pas.

Kamioni i kapur me 23 kilogram kokainë në Britaninë e Madhe rreth 1 vit e gjysëm më parë zotërohej nga dy kompani koka e tij i përkiste shoqërisë greke “Focus International” me pronar Vasilio Thimi, ndërsa rimorkiatori i përshtatur për drogën ishte pronë e “Friends Trans LTD” të Dhimitër Potit. Kjo është e vetmja sasi kokaine që i është kapur kësaj organizate, pavarësisht se hetimi i përbashkët mes policisë greke, DEA¬-s amerikane dhe Europolit ka pasur të dhëna për trafik në sasi të mëdha të kokainës në vendet e BE./albeu.com/

Shtuar më 08/02/2017, ora 15:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori