E papritur në Itali, Draghi heq dorë nga dorëheqja: Kërkoj votëbesim!

Kryeministri italian në detyrë, Mario Draghi duket se ka hequr dorë nga dorëheqja.

Draghi i është drejtuar ditën e sotme Senatit italian, duke kërkuar votëbesimin.

“Kërkoj një votëbesim”, u shpreh në Senatin e Romës Draghi, ndërkohë që zhvillimet politike në vend janë të shpejta dhe pasiguria është e lartë.

“Demokracia jonë është parlamentare, unë e respektoj dhe e njoh, nuk kërkova kompetenca të plota, kërkova mbështetjen e parlamentit”, tha Draghi pa njoftuar dorëheqjen e tij, por duke e lënë dritaren e hapur për të qëndruar në pushtet.

Draghi kërkoi që t’i jepet besim rezolutës së paraqitur nga senatori Casini. Presidentja e Senatit, Maria Elisabetta AlbertiCasellati, ndërpreu seancën dhe thirri kreun e grupit. “Italia ka nevojë për një pakt të ri zhvillimi konkret dhe të sinqertë. Ju jeni gati ta rindërtoni këtë pakti? Ne jemi këtu në këtë dhomë vetëm sepse e kanë kërkuar italianët. Është një përgjigje që duhet t’ua jepni të gjithë italianëve”, tha kryeministri.

Rezoluta parashikon: “Pasi dëgjohen komunikimet e kryeministrit, miratohet”. Por qendra e djathtë ka bërë të ditur se nuk do ta votojë.

Qendra e djathtë e qeverisë, në përfundim të samitit të ri, ka bërë të ditur se do të votojë vetëm rezolutën e saj, e cila kërkon një “pakt” për një qeveri të re, të rinovuar thellësisht.

Nga ana tjetër, Presidenti Sergio Mattarella është përpjekur të bindë Draghin që të mos largohet pasi Italia po përballet me krizën që ka prekur të gjithë Evropën./albeu.com/