Eurodeputetët paralajmërojnë Ramën për dëbimin e gylenistëve: Nuk bëhet tregti me jetët e njerëzve
Eurodeputetët Ramona Strugariu dhe Vlad Botoș kanë shpjeguar edhe njëherë qëndrimin e tyre në lidhje me ekstradimet e turqve të dyshuar si gylenistë.

Strugaria tregoi se 9 eurodeputetë i kishin dërguar edhe një letër Ramës në lidhje me sjelljen që ky i fundit ka mbajtur në rastet e dy personave të ekstraduar në Turqi.

Ata thanë se Shqipëria duhet patjetër të zbatojë të drejtat e njeriut dhe të fillojë të sillet si vend europian.

Ramona Strugariu theksoi në Euronews se Shqipëria duhet të zbatojë standardet e BE-së.

Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, dhe ky është një moment i shumëpritur dhe tejet i rëndësishëm për vendin, teksa ky i fundit ka bërë një rrugë të gjatë deri këtu. Por çfarë po ndodh tani, sa i takon të drejtave të njeriut, Konventën e Gjenevës dhe zotimet e tjera të Shqipërisë, nuk mund të kalojë pa pasoja ndaj rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Kjo sepse BE-ja është thellësisht e vendosur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të jetëve njerëzore. Shqipëria nuk mund të bëjë tregti me jetët e njerëzve.

Ne e pamë se çfarë i ndodhi Harun Celikut pas ekstradimit. Ai u arrestua sapo zbriti në Turqi. Dhe në këtë pikë nuk ka më dyshime se e njëjta gjë do t’i ndodhë edhe Selami Simsek nëse Shqipëria vendos ta ekstradojë. I kërkoj z. Rama të ketë mirësinë që të mos shkojë edhe më thellë në të njëjtin drejtim të gabuar. Sepse bashkë me kolegë të tjerë jemi plotësisht të përgatitur që të reagojmë vendosmërisht dhe me një mesazh shumë të qartë, që asnjë vend që shkel të drejtat e njeriut nuk përket në Bashkimit Europian”, tha Romona Strugariu.

Vlad Botos, Nënkryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, tha se vendi nuk mund t’i kalojë vijat e kuqe që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

“Dua të theksoj se jam mbështetës i vendosur Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së për t’u bërë një anëtare me të drejta të plota. Gjithashtu, jam Zëvendëskryetar i Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Por nga ana tjetër, autoritetet shqiptare duhet të respektojnë të drejtat e njeriut, standardet demokratike dhe sundimin e ligjit. Këtu në Bashkimin Europian kemi disa vija të kuqe, përtej të cilave nuk shkohet. Dhe të drejtat e njeriut janë një prej këtyre vijave të kuqe.

Parlamenti Europian ka mbështetur fuqimisht hapjen e negociatave për Shqipërinë. Por çfarë ndodhi me rastin e Harun Celikut është diçka që nuk mund të përsëritet. Nuk mund të jetë ky shembulli i një vendi ku parimet e demokracisë dhe të drejtat e njeriut respektohen”, deklaroi Vlad Botos”-deklaroi Strugariu.

Shtuar më 19/09/2020, ora 15:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori