Euro nuk mban më, sot kapi fundit
Pëlqej
Monedha e përbashkët ka shënuar sot një rënie tjetër në tregun e brendshëm valutor për të katërtën ditë radhazi.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 125.58 lekë, me një rënie prej 0.18 lekësh në raport me ditën e mëparshme.

Kjo është rënia më e madhe ditore që nga 12 qershori, kohë kur Banka e Shqipërisë filloi një ndërhyrje të jashtëzakonshme në tregun e brendshëm valutor, duke blerë euro, me synimin frenimin e rënies së monedhës së përbashkët, që sipas saj kishte dalë jashtë parashikimeve.

Gushti është një periudhë kur tradicionalisht ka një fluks të shtuar të emigrantëve që vijnë në vend, të cilët sjellin më shumë valutë, duke ndikuar në nënçmimin e euros. E njëjta tendencë konstatohet gjithnjë edhe në dhjetor.

Krahas rëinies së vlerës së eurs, në këto periudha shoqërohen dhe me një rritje të depozitave në valutë, teksa një pjesë e kursimeve kanalizohet në sistemin bankar.

Ndryshe nga euro, dollari ka shënuar rritje sot në tregun e brendshëm valutor, i ndikuar nga rritja e tij e lehtë në tregjet ndërkombëtare, pas rënies së ditës së djeshme. Në bursa, euro këmbehet me 1.167 USD.

Ekspertët e tregut presin që valutat të vijojnë të mbeten të dobëta përgjatë muajit gusht.

Euro arriti nivein më të ulët në 10 vjet në fillim të muajit qershor, duke zbritur në 124.17 lekë, teksa e kishte nisur vitin duke u këmbyer me gati 134 lekë.

Oferta e lartë për valutë nga kanale formale e informale, konvertimet e kapitalit të bankave dhe më pas ndikimi psikologjik për një rënie të mëtejshëm vlerësohen si arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë. /Monitor/


Shtuar më 01/08/2018, ora 13:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori