EULEX mund të futet nën ombrellën e OKB-së
Albeu.com
Shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker konfirmon se opsioni i vendosjes së EULEX-it nën ombrellën e OKB-së është skenari më i mundshëm për praninë ndërkombëtare në Kosovë pas 15 qershorit.Ai thotë se diskutimet për këtë gjë janë duke u bërë ndërmjet OKB-së dhe Bashkimit Evropian.

"Është opsion i mundshëm që EULEX të vendoset nën ombrellë të OKB-së. Kjo mund të jetë pjesë e arkitekturës së Rezolutës 1244. Çështja kryesore këtu është ombrella e OKB-së për EULEX, që EULEX të jetë e lidhur me praninë e OKB-së, me Rezolutën 1244. Kjo formulë është duke u përpunuar. Nëse arrihet mendoj se kjo do të bëhet për të qenë e pranueshme për shumë faktorë", tha Shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker.

Me javë të tëra është raportuar në mediat e Kosovës se Ruecker pas 15 qershorit nuk do të jetë në postin që mban për gati dy vite. Por përkundër pritjeve, ai nuk do të jetë shefi i fundit i UNMIK-ut.

"Ndoshta dikush do të thoshte se do të jem Perfaqësuesi Special tradicional I fundit por kjo mbetet të shihet sepse puna ime nuk ka përfunduar ende nuk po e konfirmoj atë që po doni. Ende ka diçka që duhet të bëhet dhe do të ketë një thyerje logjike në rrjedhën e ngjarjeve", deklaroi Ruecker.

Emri që është përfolur kohëve të fundit si zëvendësues i Ruecker në postin e shefit të UNMIK-ut është diplomati italian Stefano Sanino, këshilltar i ish kryeministrit të Italisë, Romano Prodi dhe ish shef i misionit të OSBE-së në Serbi. OKB e ka administruar Kosovën për gati nëntë vite përmes Rezolutës 1244 të Këshillit trë Sigurimit dhe për këtë kohë, Ruecker pranon tërthorazi se UNMIK e ka përgatitur Kosovën të bëhet shtet.
Shtuar më 29/05/2008, ora 20:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori