EULEX: Krimi i organizuar e korrupsioni, kercenimi me i madh per Kosoven
Albeu.com
Zëvendësshefi i misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, Roy Reeve ka alarmuar se “krimi i organizuar dhe korrupsioni përbëjnë kërcënimin më të madh në Kosovë”, por ka dhënë garanci se lufta kundër këtyre dy dukurive mbetet prioriteti i misionit që përfaqëson.
Këtë e ka thënë në një shkresë adresuar 14 organizatave joqeveritare, të cilat tri ditë më parë i bënë thirrje EULEX-it të përqendrohet në misionin e vet dhe që të mos merret me “procese terciare”, siç e kanë kualifikuar rastin e gjykimit të Albin Kurtit.
Me këtë shkresë Reeve ka ftuar organizatat joqeveritare në një takim, i paraparë të zhvillohej të martën e ardhshme, ku do të diskutoheshin shqetësimet e ngritura. Kjo, pasi zyrtarë të EULEX-it kanë thënë se që nga fillimi i aktivitetit të këtij misioni është kërkuar mbështetje e hapur për dialog konstruktiv dhe për shkëmbim mendimesh me shoqërinë civile.
Zëvendësshefi Reeve ka dhënë edhe disa informacione, me të cilat është përpjekur të dëshmojë se ka pasur rezultate gjatë kohës prejse është funksionalizuar misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.
“Rastet nën hetim mund të jenë komplekse dhe për këtë duhet kohë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK-së) merret me krimet serioze dhe vepra penale, të tilla si krimi i organizuar dhe korrupsioni. PSRK-ja është e përbërë nga prokurorë të Kosovës, prokurorë të EULEX-it dhe drejtohet nga një prokuror i EULEX-it. PSRK-ja aktualisht merret me një numër të rasteve të krimit të organizuar dhe të korrupsionit”, ka shkruar Roy Reeve. “Qëkur EULEX-i është bërë operativ, 33 raste të krimit të organizuar janë në fazë të paragjykimit, 3 raste janë në fazën e shqyrtimit kryesor dhe 3 vendime janë dorëzuar. Përveç kësaj, gjyqtarët e EULEX-it kanë miratuar vendimet në 4 raste të lidhura me korrupsionin”.
Në këtë shkresë ai ka komentuar edhe çështjen e gjykimit të Albin Kurtit për organizimin e protestave më 10 shkurt të 2007-s, ku policët ndërkombëtarë vranë dy persona dhe plagosën më shumë se 80 të tjerë, në përpjekje për ta shpërndarë protestën.
Ky zyrtar i EULEX-it ka thënë se rasti Kurti ishte i trashëguar nga UNMIK-u dhe se e trajtojnë si një rast normal gjyqësor, i cili duhet të trajtohet si çdo rast tjetër. Sipas tij, ky rast nuk mund të injorohet nga gjyqësori, por ka dhënë garanci se do të ketë “një gjykim të drejtë dhe të pavarur brenda kohës së arsyeshme”.
“Të gjithë janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia”, ka specifikuar ai, dhe ka shtuar se misioni që përfaqëson do të vazhdojë intensivisht në përmbushjen e mandatit dhe në mbështetjen e Kosovës në të gjitha fushat e lidhura me sundimin e ligjit dhe më gjerë.
Organizatat joqeveritare që i kanë bërë thirrje EULEX-it për t’u përqendruar në përmbushjen e misionit të vet dhe të ndihmojë në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit janë: Klubi për Politikë të Jashtme, Instituti për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN-Kosova, Lëvizja FOL, Rrjeti i Grave të Kosovës, Internews Kosova, Crossing Bridges, Instituti për Studime të Avancuara (GAP), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti Ballkanik i Politikave, Syri i Vizionit, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Iniciativa për Progres (INPO), Ndërtimi i Komuniteteve Mitrovicë (CBM). (koha)
Shtuar më 13/02/2010, ora 19:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori