EULEX-i po heton mbi 100 raste per korrupsion
Albeu.com
Prokurorët e misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, janë “stërngarkuar” me raste të dyshimit për korrupsion. Prokurorët e këtij misioni, krahas hetimeve në rastin Limaj, po i hetojnë edhe gjashtë raste të ...... tjera të krimit të organizuar, ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë, ndërkaq numri i rasteve të korrupsionit në nivele më të ulëta është edhe më i lartë, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja kosovare, Koha Ditore.
Numri i rasteve ku dyshohet për korrupsion në të gjitha nivelet, përfshirë edhe atë lokal, në të cilat po heton misioni, kalon shifrën 100.
Prokurorët e EULEX-it në nivel të Prokurorisë së Qarkut po hetojnë rreth 60 raste të korrupsionit, ndërsa ata në nivele të tjera në më shumë se 40.
Për më shumë, misioni po punon në hartimin e një orari të pushimeve për stafin, i cili do të mundësonte që ritmi i punës së misionit të mos bjerë as gjatë verës.
“Shumica e njerëzve i duan pushimet gjatë verës, mirëpo ne jemi të sigurt se ritmi i punës së misionit nuk do të bjerë në asnjë moment”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes.
Sipas saj, plani për pushime do të hartohet në mënyrë që sferat ku misioni po punon më shumë të mos pasivizohen.
Zyrtarët e misionit deklarojnë se ende janë në shqyrtim të fakteve për rastin Limaj, përderisa misioni po përgatitet edhe për ngritjen e aktakuzës. Krahas ministrit Fatmir Limaj dhe shefit të prokurimit në MTPT, Nexhat Krasniqi, EULEX-i tashmë ka edhe të dyshuarin e tretë të rëndësishëm në këtë rast. Zyrtarët e këtij misioni nuk kanë dashur që ta zbulojnë emrin e tij, por kanë pranuar se bëhet fjalë për një zyrtar të lartë në këtë dikaster qeveritar.
Shtuar më 31/05/2010, ora 11:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori