EULEX-i pajtohet se krimi eshte problem i madh per Kosoven
Albeu.com
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, pajtohet se krimi është një problem i madh për vendin, ndërsa zyrtarët e këtij misioni janë të vetëdijshëm për kritikat dhe pakënaqësitë e shoqërisë civile, në raport me punën e këtij misioni, e që është pikërisht luftimi i krimit, shkruan sot Koha Ditore.Misioni më i madh i BE-së, më shumë se një vit pas vendosjes në Kosovë, nuk ka bërë ende asnjë arrestim serioz të ndonjë rasti që ka lidhje me korrupsionin apo krimin e organizuar, ndonëse shumë raporte ndërkombëtare kanë vlerësuar se këto fenomene janë të zhvilluara në Kosovë.
Së fundi, vlerësimin se në Kosovë ka korrupsion dhe mosfunksionim të ligjit e ka bërë edhe vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell.
Ambasadori i shtetit që vlerësohet se ka më së shumti ndikim në politikën dhe jetën kosovare ka thënë se në Kosovë pushteti po qëndron mbi ligjin.
“Nuk mendoj të jetë sekret, kur them që korrupsioni është një prej sfidave kryesore, me të cilat përballet vendi (Kosova v.j.). Madje, për këto dhjetë vjet asnjë zyrtar i lartë dhe as edhe një nga niveli i mesëm nuk ka dhënë llogari për këtë dhe nuk është dënuar për akuzën për korrupsion. Kjo është vërejtur edhe nga popullata”, ka thënë Dell në një intervistë për BIRN.
Në të njëjtën paraqitje, diplomati amerikan ka thënë se është i brengosur me madhësinë e ekonomisë dhe Qeverisë në Kosovë duke marrë shembull Afrikën e Jugut ku qeveria ka kontrolluar ekonominë. Ai ka kërkuar nga qytetarët të reagojnë për pakënaqësitë, dhe ka vlerësuar se partitë politike në Kosovë janë të njëjta, andaj ka nevojë për një forcë të re.
“Në një vend të vogël si ky, ku Qeveria është hisedari kryesor në ekonomi, ekziston rreziku që ekonomia të jetë vetë Qeveria, dhe të bën të kuptosh që në fakt qeverisja ka të bëjë me përfitime ekonomike, dhe kjo është një gjë shumë e rrezikshme. Kjo ka ngjarë edhe në Afrikën e Jugut pas pavarësisë, ku në fakt qasja në politikë ka nënkuptuar qasje në ekonomi, gjë që ka sjellë në një sistem njëpartiak”, ka thënë veç të tjerash Dell.
Përderisa EULEX-i dhe partitë opozitare pajtohen se krimi është problem i madh për Kosovën, Qeveria e Kosovës thotë se po e lufton korrupsionin dhe dukuritë e tjera negative.
Vlerësimit të ambasadorit amerikan i ka paraprirë edhe një vlerësim që ditë më parë e kanë bërë OJQ-të kosovare, të cilat kanë kritikuar EULEX-in për performancë të dobët. I pyetur nëse Kosova është shtet kriminal, zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, ka thënë se “nuk ka dyshim se krimi është një problem i madh, me të cilin ballafaqohet Kosova”.
“Për këtë edhe është i vendosur EULEX-i në Kosovë, pra që t`i monitorojë dhe ndihmojë autoritet lokale që të luftohet krimi”, ka thënë Hawton.
Sipas këtij zyrtari të EULEX-it, ky mision synon që të ketë raporte të mira me shoqërinë civile, dhe misioni gjithmonë mundohet që të përmirësojë punën e vet.
“Kritikat konstruktive janë gjithmonë të mirëseardhura përderisa ne në vazhdimësi provojmë që ta përmirësojmë punën tonë. EULEX-i mban marrëdhënie të mira me OJQ-të. Ne synojmë që të jemi transparent dhe përgjegjës për punën tonë. Dhe për këtë edhe kemi pasur një takim me OJQ-të për të diskutuar sinqerisht rreth punës tonë”, ka thënë Hawton.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se “deklaratat e ambasadorit janë deklarata të tij dhe se Qeveria e Kosovës nuk mund të komentojë qëndrimet e ambasadorëve në Kosovë”. Megjithatë, sipas Krasniqit ekzekutivi i tanishëm kosovar po e lufton korrupsionin dhe dukuritë e tjera negative.
“Lufta kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative janë proces nuk është një akt dhe kjo lufte është ndër prioritetet sfiduese. Dallimi mes kësaj qeverie dhe atyre që kanë qenë deri tash, është se ne po e luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërkaq që ato kanë bashkëjetuar me të”, ka thënë Krasniqi.
Zëdhënësi i ekzekutivit është pajtuar se partitë politike në Kosovë ende nuk e kanë bërë profilizimin e tyre, por sipas tij, ato dallojnë.
“Nëse ka menduar si ideologji atëherë partitë politike janë të njëjta, sepse asnjëra nga to nuk ka mundur të nisë profilizimin e vetë, ndonëse kemi disa parti që kanë dëshirë të deklarohen se janë të djathë apo të majtë. Dallimi mes partive në Kosovë qëndron në dy versione. E para është dallimi për vizionin që kanë për Kosovën dhe dallimi i dytë është kapaciteti i tyre udhëheqës, që do të thotë lidershipi që kanë”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe nga qeveria, përfaqësues të partive opozitare në Kosovë, kanë thënë se deklarimet e ambasadorit, duhet të shërbejnë si alarm për Qeverinë. Por edhe opozitarët nuk pajtohen me konstatimi ne ambasadorit, se Kosovës nuk i dihen zgjedhje këtë vit.
“Janë deklarata shumë të qëndrueshme, të cilat i kemi bërë edhe ne si opozitë, por të cilat nuk janë marrë parasysh asnjëherë. Në Kosovë jo që zyrtarët nuk i përgjigjen ligjit, por për më tepër ata e kanë bërë ligjin dhe janë vendosur mbi atë”, ka thënë Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së.
Duke e komentuar performancën e EULEX-it, Makolli ka thënë se misioni po vazhdon me të njëjtën traditë dhe nuk po bën ndryshime.
“Ne vetë kemi besuar se EULEX-i do të arrijë që në pjesën që ka, të jetë më efikas, por për fat të keq edhe EULEX-i po e vazhdon të njëjtën traditë.
Zgjedhjet na nevojiten gjithsesi, sepse kur vendi ka keqqeverisje dhe krizë, e vetmja mënyrë për ta tejkaluar atë, janë zgjedhjet. Por nuk na duhen zgjedhjet me këtë ligj të zgjedhjeve dhe me këto institucione që organizojnë zgjedhje, sepse kemi një përvojë të hidhur me zgjedhjet e fundit që po zgjasin qe disa muaj”, ka thënë Makolli.
Edhe nënkryetari i AKR-së ka preferuar që deklaratës së Dellit se partitë në Kosovë janë të njëjta t`i japë një kontekst.
“E ka pasur parasysh për ato parti që e kanë provuar pushtetin, dhe të tri partitë që kanë qenë në pushet janë të njëjta. Vendi nuk e ka provuar një qeverisje ndryshe me subjektet e tjera që nuk kanë qenë në qeverisje asnjëherë”, ka thënë Makolli.
Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se deklaratat e ambasadorit Dell janë vërtetuar disa herë.
“Këto deklarata janë të përsëritura, sepse edhe raporte të ndryshme ndërkombëtare kanë dhënë konstatime të tilla fatkeqe. Por deklarata e ambasadorit Dell duhet të jetë alarmi i fundit për Qeverinë e Kosovës dhe për EULEX-in që të marrin veprime energjike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Revolta e qytetarëve ndaj kësaj situate është tepër e madhe dhe nëse nuk ka veprime konkrete kjo revoltë mund të kthehet shumë shpejt, në revoltë të organizuar. Ndihma e SHBA-së dhe ambasadës së saj është tepër e domosdoshme në këtë rast, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, AAK-ja e ka drejtimin e vet që e dallon nga partitë e tjera dhe “po udhëheq në debatin për profilizim të partive”. “Pra, kemi bërë ndryshime të mëdha strukturore dhe programore dhe këto reforma ndikojnë që AAK-ja të jetë mjaft e dallueshme prej partive tjera por sigurisht po punojmë në fuqizimin e mëtejmë të profilit tonë partiak”, ka thënë Ramadani, sipas të cilit, zgjedhjet këtë vit janë të domosdoshme.
Shtuar më 21/02/2010, ora 20:49
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori