EULEX-i arrestoi Sabit Gecin
Albeu.com
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabit Geci është arrestuar të enjten në Prishtinë, me urdhër të Prokurorisë Speciale të EULEX-it, njofton KosovaLive. Në njoftimin e shkurtër të EULEX-it thuhet se të enjten në ...... Prishtinë, Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it, në bazë të urdhrit të Prokurorisë Speciale e ka kryer një bastisje në një shtëpi dhe e ka arrestuar një mashkull të dyshuar në lidhje me krimet e luftës të cilat supozohet se janë kryer ndërmjet muajit prill dhe qershor 1999.

Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar të enjten me rastin e arrestimit të veteranit të luftës së UÇK-së Sabit Geci, duke vlerësuar se të gjithë luftëtarëve të UÇK-së iu bë me dije, nga ky mision, se “lufta jonë e pastër çlirimtare konsiderohet krim dhe nuk ka asnjë vlerë”.

Në reagimin e Organizatës së veteranëve të luftës… thuhet se duke pasur parasysh, që deri më tani asnjë gjë pozitive nuk ka ardhur nga ky mision, do të detyrohen të shqyrtojnë ndërrimin e formës së reagimit.

“E përkujtojmë edhe njëherë që detyrat që i kishte ky mision, e sidomos në luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar, që bëhet në pikë të ditës, në komunat veriore të Kosovës, nuk janë realizuar. Ky mision, e ka lënë të uzurpuar 18% të territorit sovran të Republikës së Kosovës, nga struktura ilegale që udhëhiqen nga Beogradi, duke mos ndërmarrë asgjë, por edhe duke penguar që me këtë punë të merren organet vendore”, thuhet në reagim.

Sipas Organizatës së veteranëve EULEX-i i lë të lirë kriminelët që morën pjesë në terrorin dhe gjenocidin e organizuar në Kosovë nga shteti serb, i lë të lirë personat që haptazi shprehen se kanë marrë pjesë në vrasje të komandantëve të UÇK-së e që fshihen nën petkun e deputetit, ndërsa për tu mbushur kupa, sipas tyre krimi i organizuar dhe kontrabanda bëhet edhe nga vet pjesëtarët e EULEX-it, siç ishte rasti me policët rumun.

“Ne kërkojmë që Sabit Geci të lirohet menjëherë dhe të ndërpritet ky represion që po bëhet ndaj veteranëve të luftës së UÇK-së. Në ditët në vijim, në do të shqyrtojmë masat, që këtyre ofendimeve në formë spektaklesh, t’i përgjigjemi shumë ashpër edhe ne”, thuhet në fund të reagimit.
Shtuar më 06/05/2010, ora 22:38
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori