EULEX, hetime per krimet e luftes ne Kosove
Albeu.com
EULEX ka bërë të ditur se po zhvillon hetime për më shumë se 1200 raste të krimeve të luftës të kryera në fund të viteve të 90-të në Kosovë. Por mungesa e provave dhe e dëshmitarëve për EULEX-in paraqitet si sfidë kryesore për gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.Sipas zëdhënëses së këtij misioni për sektorin e drejtësisë, Kriistina Herodes, EULEX-i ndoshta do të heqë dorë nga hetimi i disa rasteve për shkak të mungesës së provave. "Prokurorët e EULEX-it po punojnë në 60 raste të krimeve të luftës, ndërsa policia e EULEX-it po punon në 1200 raste të krimeve të luftës që janë trashëguar nga UNMIK-u, pra në përgjithësi kemi rreth 1260 raste, por më duhet të them se ne duhet të heqim dorë nga disa raste, sepse nuk ka prova dhe dëshmitarë të mjaftueshëm apo ato nuk janë krime lufte", tha zëdhënësja Herodes. Dhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, mbledhja e dëshmive për krimet e kryera gjatë viteve 1998-99 që morën jetën e rreth 12 mijë njerëzve, duket të jetë një punë shumë e vështirë. "Ne duhet të mendojmë se ka kaluar një kohë e gjatë, janë 10 vjet dhe gjetja e provave dhe dëshmitarëve është sfida kryesore për EULEX-in", shprehet zëdhënësja e misionit të BE-së. Të martën në mbrëmje, në Prizren, policia e Kosovës arrestoi një qytetar serb, ndaj të cilit po zhvillohen hetime për përfshirjen e mundshme në krime lufte. Zëdhënësja e EULEX-it, Kristiina Herodes thotë se hetimet për të identifikuar kryerësit e krimeve të luftës po bëhen jo vetëm ndaj serbëve, por edhe ndaj shqiptarëve. "Ne po merremi me të gjitha komunitetet, puna jonë është që të punojmë në të gjitha rastet pavarësisht përkatësisë etnike", thekson ajo. E pyetur nëse ka bashkëpunim ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit lidhur me krimet e luftës, zëdhënësja Herodes konfirmon mbajtjen e disa takimeve. Gjykimi i krimeve të luftës në Kosovë ka qenë përgjegjësi e Misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK deri në fund të vitit të kaluar. Nga janari i këtij viti, kjo përgjegjësi i ka kaluar EULEX-it. Ndonëse numri i viktimave të luftës është i madh, arrestimi dhe gjykimi i autorëve të këtyrë krimeve në Serbi dhe në Kosovë apo në Gjykatën e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, është simbolik.
Shtuar më 14/08/2009, ora 02:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori