EULEX bastis PTK-ne
Albeu.com
Policia e EULEX-it po vazhdon ende bastisjen në objektin qendror të PTK-së në Prishtinë. Reporteri i Koha.net nga vendi i ngjarjes, thekson se burime të sigurta i kanë konfirmuar se është bastisur edhe shtëpia e drejtorit të PTK-së, Shyqri Haxhës.Po ashtu ai merr vesh për bastisje të Policisë së EULEX-it në 8 lokacione - 5 në Pejë dhe tri në Prishtinë. Bastisjet po bëhen me qëllim të ndriçimit të dyshimeve për kontrata të paligjshme. Sipas burimeve, po bastiset Dardafone, Z-Mobile dhe Devolli Company. Hetimet po zvillohen rreth bartjes të licencës së telefonisë virtuale me Dardafone, e lidhur në vitin 2007 2008.
Ndërkohë me një komunikatë për publikun rreth këtij aksioni, është prononcuar edhe EULEX-i.

Njësia ekzekutive e Policisë së EULEX-it në bashkëpunim me Task Forcën Anti-Korrupsion të Policisë së Kosovës, janë duke kryer aktualisht bastisje në tetë lokacione. Tri nga to janë në Prishtinë, ndërsa pesë të tjerat në Pejë, thotë komunikata e nënshkruar nga Nicholas Hawton, zëvendësshef i ZSHIP, dhe Blerim Krasniqi, U.D. zëdhënësi për drejtësi. Këto bastisje, sipas komunikatës, kanë të bëjnë me çështje financiare dhe të korrupsionit në lidhje me një licencë të telekomunikimit.

Në sfond të këtyre hetimeve është bartja e një licence për telekomunikim të një ORRMV (Operatori në Rrjetin Mobil Virtual) në vitin 2007 dhe 2008 ndërmjet Dardafon Sh.p.k; Dardafon. NET. Sh.p.k dhe PTK-së, e cila dyshohet se është bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Prandaj, zyrat e kompanisë Dardafon Sh.p.k; kompanisë Devolli grup Sh.p.k; kompanisë Z-Mobile dhe banesat private të përfaqësuesve të këtyre kompanive janë duke u bastisur, thekson komunikata.

Përveç kësaj, disa zyra të PTK-së, në veçanti zyra e kryeshefit ekzekutiv dhe banesa private e tij, janë cak i bastisjeve. Po ashtu, këto bastisje janë të ndërlidhura me një hetim tjetër të dytë për korrupsion.

Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it.

Këto hetime në vijim janë duke u bërë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK). (koha)
Shtuar më 15/07/2010, ora 12:57
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori