EULEX arreston guvernatorin Hashim Rexhepi
Albeu.com
Njësitet e policisë së EULEX-it dhe të Kosovës, para pak minutash kanë arrestuar guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepin, me dyshimet për korrupsion, marrje ryshfeti, shmangie nga tatimi, ushtrim ndikimi dhe shpëlarje parash.Arrestimi është kryer rreth orës 10:15 minuta, ndërsa njësitet e hetuesisë kanë bastisur zyrat e Bankës Qendrore dhe të pronave private të disa të dyshuarve që nga ora 06:00 e mëngjesit të sotëm. “Që nga ora 06:00 e mëngjesit oficerët e Policisë së Kosovës, që janë pjesë e Task Forcës Kundër Korrupsionit, kanë bastisur shtatë lokacione, përfshirë banesat private të katër të dyshuarve, ndër të cilat edhe ajo e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, zyrat e Bankës Qendrore të Kosovës si dhe një kompani private”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga EULEX-i. Sipas kësaj komunikate, këto bastisje janë të ndërlidhura me një hetim financiar dhe për korrupsion ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe larje të parave. Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. “Një prokuror kosovar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, (SPRK) si dhe monitoruesit policor to EULEX-it dhe një oficer ndërlidhës, ndodhen në Bankën Qendrore për mbikëqyrje dhe për të siguruar mbledhjen efektive të provave materiale si dhe për t’u dhënë shpjegimet e plota dhe të duhura personave që janë aty”, thuhet në këtë komunikatë.
Shtuar më 23/07/2010, ora 10:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori