EULEX: Arrestimet per korrupsion priten ne pranvere
Albeu.com
Koha Ditore riaktualizon sot çështjen e kapjes së “peshqve të mëdhenj” të zhytur në korrupsion, të deklaruar tash e tre muaj më parë nga EULEX-i. Në tekstin e botuar në KD thuhet se shoqëria civile sërish ka kërkuar llogari nga kryeprokurori i EULEX-it, Teo Jacobs, për ...... deklarimet e bëra në nëntor se shumë shpejt pritet të bëhen arrestimet e para për korrupsion të figurave të larta publike.

Lëvizja ‘Fol 08’ i ka quajtur të pavërteta këto deklarime, duke ia rikujtuar EULEX-it se kanë kaluar më shumë se 3 muaj, qëkur kishte deklaruar ashtu Jacobs.

Kryeprokurori citohet të ketë thënë se brenda pak muajsh do të shiheshin rezultatet. “EULEX-i nuk është duke u marrë vetëm me gjykimin e ish-ushtarëve të UÇK-së, por brenda pak muajve do të shihni rezultate për korrupsion”, citohet të ketë deklaruar kryeprokurori nga misioni i EULEX-it, më 3 nëntor 2009.

Mirëpo, përpjekja për kapjen e “peshqve të mëdhenj” të zhytur në korrupsion, duket se do të zgjasë edhe më tutje. Zyrtarë të EULEX-it, përveç se kanë kërkuar durim, po ashtu kanë sqaruar se kryeprokurori Jacobs e ka pasur fjalën për fillimin e pranverës, e jo brenda 2 apo tre muajve.
“Prokurori i EULEX-it ka thënë që ne jemi duke kryer disa hetime interesante dhe që ai shpresonte që do të ketë rezultate konkrete në pranverë”, ka deklaruar zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes.

Edhe menaxherja e programit antikorrupsion dhe transparencë në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës, Merita Mustafa, e cila kishte qenë organizatore e konferencës ku kishte folur Jacobs, më 3 nëntor, thotë se nuk pajtohet me FOL-in. Sipas saj, Jacobs kishte thënë që duhet të pritet derisa “të dalin gjethet”, por megjithatë kritikon EULEX-in për mungesë rezultatesh.
“Faktikisht unë nuk pajtohem me FOL-in, sepse deklarata e Jacobsit ka qenë për në pranverë, kur dalin gjethet, do të thotë pa u bërë marsi s’do t’i akuzoja, edhe pse deri tash shihet që nuk ka pasur ndonjë rezultat”, është shprehur Mustafa.

Ajo ka paralajmëruar se edhe KDI-ja do të dalë publikisht për të kërkuar llogari për deklaratat e Jabobsit, deklarata këto që kishin ngjallur shpresën te shumëkush për funksionalizim të sundimit të ligjit.
“Nëse nuk ndodh ajo që e ka premtuar edhe ne do të dalim në konferencë. Deri tash shihet që nuk ka pasur asnjë rezultat as nga EULEX-i as nga institucionet tona”, ka deklaruar Mustafa, sipas të cilës, EULEX-it i mungon një strategji për të luftuar korrupsionin. “Nëse e bëjnë ndonjë strategji, kisha thënë që duhet t’ia nisin prej sektorëve që i ka potencuar Komisioni Evropian në raport, ku thuhet se prokurimi publik është një sektor në të cilin duhet të intervenohet”.

Ajo, po ashtu, ka përmendur raportet e Auditorit të përgjithshëm, në të cilat raporte, sipas saj, janë gjetur miliona euro shkelje dhe keqpërdorime që nuk janë hetuar nga askush. Me gjithë kritikat, EULEX-i thotë se ka shënuar rezultate të mira, në krahasim me kohën kur është vendosur dhe ka filluar punën në Kosovë. Sipas zëdhënëses se EULEX-it, janë institucionet e Kosovës ato që duhet të kenë prioritet korrupsionin, ngase EULEX-i ka fuqi ekzekutive të limituara e detyrë kryesore ka monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e autoriteteve lokale. Zëdhënësja Herodes, duke theksuar se nevojitet kohë, ka deklaruar se EULEX-i ka bërë disa marrëveshje mirëkuptimi në fushën e korrupsionit, që do të ndihmojnë në hetimin e rasteve. (koha)
Shtuar më 14/02/2010, ora 17:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori