VENDIMI/ Rama vë në kontroll administratën, tjetër agjenci e “posaçme” në Kryeministri

Ndryshime të mëdha priten të ndodhin në Administratë pasi tjetër drejtori e posaçme do të ngrihet në Kryeministri me detyrë kontrollin e administratës dhe ndërveprimit me qytetarët.

Kryeministri Rama parashikon që të “ngrejë” “Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje”, e cila do të kontrollojë gjithë administratën.

Kjo drejtori, do të ketë në krye një person të emëruar nga vetë kryeministri Edi Rama, që gjithashtu do t’i përgjigjet vetëm këtij të fundit për realizimin e objektivave të kërkuar.

Mesa duket kreu i qeverisë ka vendosur që të çojë deri në fund atë që tha para deputetëve më 10 maj. Përballë tyre ai paralajmëroi se do të pastronte administratën.

“Do ta pastrojmë deri në fund administratën nga njerëz që na kanë nxirë faqen. Me qartësinë që siç kemi bërë me policët, me infermierët dhe të tjerët, do të vijohet edhe me administratën. Një rrugë e re në bazë të meritave duhet të hapet për të gjithë ata vajza, gra, burra e djem. Kjo është sfida e vazhdueshme, prandaj jeni gati që të vazhdojmë të përballemi me çdo sfidë,”- tha Rama.

Ndërkohë që dje, në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, Rama dha lajmin se do të krijohet një agjensi për mediat dhe informimin, e cila bazohet në disa modele që janë praktikuar dhe ne shtete të tjera të botës.

Rama shtoi se kjo agjenci siguron njohjen e institucioneve të qeverisjes qendrore me gjithçka lidhet drejtpërdrejtë me publikun dhe qëndrimin e publikut e medias mbi çështje me interes publik. Megjithatë edhe pse e sapoprezantuar, nisma u kundështua. Partia Demokratike me anë të një reagimi zyrtar, u shpreh se agjensia cënon lirinë e shprehjes, duke kërkuar edhe reagimin e Këshillit të Medias dhe Etikës.

P R O J E K T L I GJ PËR BASHKËQEVERISJEN

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton rregullat për bashkëqeverisjen me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”, si dhe organizimin e funksionimin e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Neni 2
Qëllimi

1. Qëllimi i këtij ligji është të krijojë kushtet për bashkëqeverisje me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore, përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”.
2. Ky ligj ka për qëllim të nxisë ndërveprimin ndërmjet administratës shtetërore dhe individëve, organizatave të shoqërisë civile, pavarësisht formës së tyre të organizimit, si dhe tregtarëve, shoqërive tregtare dhe çdo subjekti të së drejtës që kryen veprimtari tregtare me qëllim rritjen e rolit të tyre në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, si dhe ndërmarrjen e nismave, të projekteve ose të programeve të përbashkëta që kanë si qëllim përfshirjen e qytetarëve në bashkëqeverisje përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”.

Neni 3
Fusha e zbatimit

1. Ky ligj zbatohet nga institucionet e administratës shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.

2. Ky ligj zbatohet edhe nga entet publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore që, në përputhje me legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e tyre, lidhin marrëveshje me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje sipas parashikimeve të këtij ligji.

Neni 4
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Grup interesi”, çdo organizatë jofitimprurëse që përfaqëson interesat e një grupi personash fizikë ose juridikë, si dhe subjekteve të tjera të prekura apo të interesuara.

2. “Koordinator”, një punonjës i Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, i cili ushtron detyrën pranë një institucioni tjetër dhe është përgjegjës për monitorimin, ndjekjen dhe trajtimin e çështjeve të regjistruara në seksionet e platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”.

3. “Pikë kontakti pranë një institucioni”, nëpunësi civil ose çdo punonjës tjetër apo njësia përkatëse përgjegjëse në institucion, e përcaktuar me detyrën e mbajtjes së kontaktit midis koordinatorit të Agjencisë dhe institucionit, me urdhër të titullarit të institucionit përkatës.

4. “Çështje” përfshin të gjitha rastet që vijnë në seksionet e platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”, të cilat trajtohen sipas një numri unik, i cili krijohet nga momenti i regjistrimit të çështjes në platformë.

5. “Ankimi”, kërkesa për llogaridhënie nga institucioni apo punonjësit shtetërorë për grupet e interesit, të cilët, pasi kanë ndjekur procedurat apo parashikimet ligjore përkatëse, nuk kanë marrë nga institucioni publik informacion apo shërbimin publik të kërkuar.

6. “Afate”, në kuptim të këtij ligji për shqyrtimin e ankesave apo çështjeve të paraqitura në seksionet e platformës “Me ty për Shqipërinë që duam” janë afatet për llogaridhënien e institucioneve shtetërore/ punonjësve shtetërorë, të cilat janë të ndryshme dhe nuk cenojnë zbatueshmërinë e afateve të parashikuara nga ligjet sektoriale apo kodi i Procedurave Administrative.

7. “Interpelancë”, takimi i zhvilluar midis qytetarëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave nëpërmjet platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”.

KREU II
PARIMET E BASHKËQEVERISJES

Neni 5
Parimi i pjesëmarrjes qytetare

Institucionet e administratës shtetërore, si dhe çdo zyrtar publik e ushtrojnë veprimtarinë administrative duke nxitur ndërveprimin dhe pjesëmarrjen efektive qytetare gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative, veçanërisht gjatë konceptimit, hartimit dhe miratimit të nismave që kanë si qëllim përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, deburokratizimin, si dhe rritjen e efiçencës së funksionimit të administratës shtetërore dhe të shërbimit publik.

Neni 6
Parimi i rritjes së aksesit në shërbimet publike

Institucionet e administratës shtetërore, në përputhje me kompetencat e tyre dhe në përmbushje të parimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duhet të garantojnë përfitimin e shërbimeve publike nga çdo shtetas, pavarësisht nga gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore, nëpërmjet procedurave administrative të thjeshta dhe transparente, të cilat nëpërmjet zgjidhjeve inovative e teknologjike mundësojnë një akses më të madh të qytetarëve në shërbimet publike.

Neni 7
Parimi i inovacionit të vazhdueshëm

Institucionet e administratës shtetërore nxisin përdorimin e metodave inovative për ndërveprimin me grupet e interesit dhe çdo qytetar, me qëllim zhvillimin e ideve dhe bashkëkrijimin e zgjidhjeve për mirëqeverisjen e vendit, duke përdorur mundësitë që krijohen nga platformat elektronike qeveritare, përfshirë edhe përdorimin e publikimin e të dhënave sipas parimit të qeverisjes së hapur.

Neni 8
Parimi i bashkëpunimit ndërinstitucional

Institucionet e administratës shtetërore koordinohen nëpërmjet mekanizmave të posaçëm institucionalë për zhvillimin e praktikave të mira dhe përdorimin e tyre në të gjithë administratën shtetërore, për gjithëpërfshirjen e çdo qytetari në politikëbërje, për garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe për rritjen e përgjegjshmërisë e të llogaridhënies së administratës shtetërore.

Neni 9
Parimi i kontrollit

Veprimtaria administrative, përveç kontrollit administrativ dhe kontrollit gjyqësor, i nënshtrohet edhe kontrollit sipas parashikimeve të këtij ligji.

Neni 10
Parimi i trajtimit të barabartë

Institucionet e administratës shtetërore i garantojnë çdo qytetari ose grupi interesi mundësi të barabarta dhe të drejta për të propozuar, për t’u informuar dhe për t’u konsultuar, si dhe pjesëmarrje në të gjitha fazat e konceptimit, të hartimit dhe të miratimit të nismave që kanë si qëllim përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, deburokratizimin dhe rritjen e efiçencës së administratës shtetërore.

KREU III
STRUKTURA PËRGJEGJËSE PËR BASHKËQEVERISJEN

Neni 11
Strukturat shtetërore përgjegjëse për bashkëqeverisjen

Strukturat shtetërore përgjegjëse për bashkëqeverisjen me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, duke garantuar pjesëmarrjen e tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe rritjen e përgjegjshmërisë e të llogaridhënies së administratës shtetërore janë:

a) Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje;
b) Institucionet e administratës shtetërore.

Neni 12
Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje

Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, më poshtë “Agjencia”, ka këto kompetenca:

a) Zhvillon mekanizmat dhe monitoron zbatimin e tyre për gjithëpërfshirjen e qytetarëve në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe rritjen e përgjegjshmërisë e të llogaridhënies së administratës shtetërore;
b) Koordinon, nëpërmjet mekanizmave të posaçëm institucionalë, institucionet e administratës shtetërore për zhvillimin e praktikave të mira dhe përdorimin e tyre në të gjithë administratën shtetërore për gjithëpërfshirjen e çdo qytetari në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe rritjen e përgjegjshmërisë e të llogaridhënies së administratës shtetërore;
c) Publikon dhe informon publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo veprimtari për rritjen e rolit të qytetarëve në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, si dhe ndërmarrjen e nismave, të projekteve ose të programeve të përbashkëta, që kanë si qëllim përfshirjen e qytetarëve në bashkëqeverisje dhe mënyrën e pjesëmarrjes së qytetarëve në to;
ç) Informon për rregullat dhe procedurat që duhet të ndiqen për ndërmarrjen e nismave me interes publik, në përmbushje të qëllimeve të këtij ligji;
d) Kërkon dhe merr nga institucionet e administratës shtetërore çdo informacion të nevojshëm për përmbushjen e përgjegjësive të saj;
dh) Shqyrton kërkesat dhe organizon, në bashkëpunim me institucionin përkatës të administratës shtetërore, interpelancat e Kryeministrit, të Zëvendëskryeministrit dhe të ministrave me grupet e interesit, sipas kërkesës së tyre, për çështje me interes publik ose komunitar, me përjashtim të takimeve publike që organizohen sipas ligjit për njoftimin dhe konsultimin publik;
e) Rekomandon ndryshimin e rregullave dhe të procedurave të brendshme të institucioneve ose të strukturës së tyre, si dhe i propozon institucionit publik përgjegjës ndërmarrjen e nismës për ndryshimin e akteve ligjore ose nënligjore, në rastet kur çmon se ofrimi i shërbimeve publike nuk mund të realizohet me efektivitet për shkak të pengesave që krijohen nga rregullat dhe procedurat e brendshme, struktura e institucionit të administratës shtetërore ose aktet ligjore ose nënligjore në fuqi;
ë) Kontrollon veprimtarinë administrative që kryhet nga institucionet e administratës shtetërore për ofrimin e shërbimeve publike, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj;
f) Ndërmjetëson zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet institucionit të administratës shtetërore, qytetarëve apo subjekteve private, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
g) Inspekton dhe monitoron zbatueshmërinë e detyrimeve të parashikuara në këtë ligj;
gj) Administron bazën e të dhënave të platformës “Me ty për Shqipërinë që duam” dhe propozon ndryshime në varësi të nevojës për përmirësim të platformës;
h) Administron bazën e të dhënave të Sistemit të Qarkullimit të Dokumenteve me Nënshkrim Elektronik dhe propozon ndryshime në varësi të nevojës për përmirësim;
i) Ushtron çdo kompetencë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi.

Neni 13
Institucionet e administratës shtetërore

1. Institucionet e administratës shtetërore janë përgjegjëse për:

a) zbatimin e mekanizmave për gjithëpërfshirjen e qytetarëve në politikëbërje dhe garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse;
b) garantimin e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së çdo zyrtari publik gjatë ushtrimit të funksioneve shtetërore administrative;
c) bashkëpunimin me Agjencinë sipas kompetencave, rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë ligj;
ç) fillimin e procedurës disiplinore apo procedurës së hetimit administrativ, me kërkesën e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë dhe përfshirjen në komisionet/ grupet disiplinore apo të hetimit administrativ të koordinatorëve përgjegjës të Agjencisë.
d) ushtrimin e çdo detyre tjetër të parashikuar në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

2. Punonjësit e institucioneve shtetërore janë përgjegjës për të bashkëpunuar me Agjencinë në lidhje me çdo kërkesë të ardhur prej saj apo për çdo detyrim që buron nga parashikimet e këtij ligji apo përmbushja e kompetencave të Agjencisë.

3. Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara në këtë nen përbën shkak për marrjen e masave sipas nenit 56, të këtij ligji.

KREU IV
KRIJIMI, ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË PËR DIALOG DHE BASHKËQEVERISJE

Neni 14
Statusi, struktura dhe organizimi i Agjencisë

1. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje është person juridik publik qendror, në varësi të Kryeministrit dhe përgjigjet për bashkëqeverisjen me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, për garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, si dhe për rritjen e përgjegjshmërisë e të llogaridhënies së administratës shtetërore.

2. Agjencia ka flamurin dhe stemën e saj, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Kryeministrit.

3. Agjencia ushtron autoritet drejtues, mbikëqyrës, koordinues, drejtues, teknik, mbikëqyrës dhe kontrollues në fushën e bashkëqeverisjes dhe në rritjen e përgjegjshmërisë e të llogaridhënies së administratës shtetërore.

4. Agjencia organizohet si drejtori e përgjithshme në nivel qendror dhe e ushtron veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

5. Marrëdhëniet e punës për drejtorin e përgjithshëm dhe punëmarrësit e tjerë të Agjencisë rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

6. Pjesë e strukturës dhe e organikës së Agjencisë është rrjeti i koordinatorëve. Koordinatorët janë struktura të posaçme të Agjencisë, të cilat funksionojnë pranë institucioneve të administratës shtetërore, me qëllim përmbushjen nga Agjencia dhe institucionet e administratës shtetërore të detyrave të parashikuara nga ky ligj, si dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

7. Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë, si dhe detyrat e tjera të Agjencisë dhe të koordinatorëve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Kryeministrit.

8. Struktura dhe organika e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje miratohen me urdhër të Kryeministrit.

9. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të Agjencisë miratohet nga Kryeministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.

Neni 15
Drejtori i Përgjithshëm

1. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje është autoriteti më i lartë administrativ i Agjencisë dhe përgjigjet drejtpërdrejt para Kryeministrit për realizimin e politikave dhe të objektivave të përcaktuar.

2. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet nga Kryeministri.

3. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë ka këto përgjegjësi:

a) Organizon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë e Agjencisë;
b) Menaxhon burimet njerëzore;
c) Menaxhon dhe është përgjegjës për buxhetin;
ç) Nxjerr akte administrative (urdhra dhe udhëzime), në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative;
d) Përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me institucionet e tjera brenda vendit, si dhe në marrëdhëniet teknike dy- ose shumëpalëshe jashtë vendit;
dh) Kryen detyra të tjera, në zbatim të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi.

KREU V
BASHKËQEVERISJA ME QYTETARËT

Neni 16
Platforma “Me ty për Shqipërinë që duam”

1. Platforma “Me ty për Shqipërinë që duam” është një bazë të dhënash shtetërore, e organizuar në bazë seksionesh dhe ka si qëllim të jetë një platformë e hapur komunikimi dhe ndërveprimi, për të adresuar në kohë reale çështje të aktualitetit politik e qeverisës; për të diskutuar reforma e masa të rëndësishme duke mundësuar ndikimin e personave fizikë dhe juridikë mbi politikat qeverisëse në çdo sektor apo mbi ecurinë e punës së çdo ministrie dhe institucioneve të tjera të administratës shtetërore, me qëllim garantimin e bashkëqeverisjes me qytetarët.

2. Të dhënat e këtij sistemi elektronik administrohen nga Agjencia me qëllim kontrollin e veprimtarisë administrative të institucioneve të administratës shtetërore, sipas kreut VII të këtij ligji.

3. Procesi i autentifikimit dhe i identifikimit në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam” realizohet nëpërmjet “Single-Sign-On” të Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.

4. Këshilli i Ministrave miraton seksione të reja, si dhe rregulla të detajuara për seksionet e platformës, të dhënat parësore e dytësore, që regjistrohen në platformë për dhënësit e informacionit, për ndërveprimin me bazat e tjera të të dhënave.

5. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë miraton rregullat teknike dhe organizative të përmirësimit të seksioneve të platformës.

Neni 17
Metodat e bashkëqeverisjes

1. Gjithëpërfshirja e qytetarëve dhe e grupeve të interesit në politikëbërje, garantimi i pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, si dhe ndërveprimi ndërmjet administratës shtetërore e qytetarëve dhe grupeve të interesit, me qëllim rritjen e rolit të tyre në rritjen e efiçencës dhe përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, përveç sa është parashikuar në ligjet e tjera në fuqi, kryhet përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam” nëpërmjet metodave të parashikuara në pikën 2, të këtij neni.

2. Metodat e platformës, të paraqitura sipas seksioneve në platformë, ndahen në varësi të përmbajtjes së çështjeve që adresohen:

a) Metoda e kontrollit, ku përfshihen të gjitha ankesat e ardhura nga qytetarë ose subjekte private, apo çështje të denoncimit të korrupsionit të paraqitura në seksionet: “Ankesa ime”, “Biznesi im”, “Denonco korrupsionin”;
b) Metoda e ndërveprimit, ku përfshihen ide, nisma komunitare nga qytetarë ose subjekte private të paraqitura në seksionet: “Nisma ime”, “Interpelanca ime”, “Kuvendimi im”, “Shkolla ime”;
c) Metoda e gjithëpërfshirjes, ku qytetarë ose subjekte private shprehin vlerësimin e tyre për politikat e qeverisë apo interesin e tyre për të dhënë kontribut në administratën shtetërore, të paraqitura në seksionet: “Fjala ime”, “Nota ime”, “Dua të kontribuoj”.

3. Seksionet e platformës “Me ty për Shqipërinë që duam” sipas metodave të parashikuara në pikën 2 të këtij neni janë:

a) “Ankesa ime” – Nëpërmjet këtij seksioni paraqiten ankesat për vonesën në marrjen e shërbimit publik apo mospërfitimin e tij, si dhe raportohen sjelljet abuzive të strukturave të administratës shtetërore ose të zyrtarëve të caktuar;
b) “Biznesi im” – Nëpërmjet këtij seksioni, çdo subjekt privat i pajisur me NIPT ankimon sjelljet abuzive apo joetike, si dhe çdo parregullsi të administratës, të cilat cenojnë klimën e biznesit dhe denoncon vendimmarrje që bien në kundërshtim me aktet rregullatore;
c) “Denonco korrupsionin” – Nëpërmjet këtij seksioni denoncohen aktet korruptive apo kur konstatohet se në përmbajtje të çështjes ka elemente të një akti korruptiv të ndodhur ose në tentativë;
ç) “Nisma ime” – Nëpërmjet këtij seksioni paraqiten ide për një nismë komunitare apo një projekt konkret me interes publik;
d) “Fjala ime” – Nëpërmjet këtij seksioni shprehen opinione mbi reformat apo projektet të cilat janë në proces dhe çdo sugjerim, ide e re apo propozim se si mund të përmirësohet qeverisja në tërësi apo rezultatet në një fushë të caktuar duke përfshirë klimën e biznesit po pa u kufizuar në të, politikat e qeverisë për biznesin apo marrëdhënien me administratën, si dhe duke përcjellë sugjerime mbi përmirësimin e klimës së biznesit në vend;
dh) “Interpelanca ime” – Nëpërmjet këtij seksioni, një komunitet, grup interesi, shkollë apo universitet, i përbërë nga së paku 50 persona, kërkon një interpelancë me Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin ose çdo ministër, për të marrë shpjegime për motivet, synimet dhe qëndrimin e Këshillit të Ministrave ose lidhur me aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së tyre;
e) “Shkolla ime” – Nëpërmjet këtij seksioni, një grupim personash, i përbërë nga të paktën pesë nxënës, pesë prindër dhe pesë mësues, paraqet një ide apo projekt për të përmirësuar institucionin arsimor ku bën pjesë apo mësimdhënien në të;
ë) “Nota ime” – Nëpërmjet këtij seksioni, çdo qytetar vendos një vlerësim për institucionin, zyrën apo sportelin, pas përfitimit të një shërbimi publik të ofruar prej tij. Nga kjo notë e vendosur nga qytetarët përllogaritet nota mesatare mujore e pëlqyeshmërisë së institucionit mbi nivelin e ofrimit të shërbimit, e cila bëhet publike periodikisht në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam”;
f) “Dua të kontribuoj” – Nëpërmjet këtij seksioni, çdo qytetar shpreh interesin e tij për të ndihmuar ose për t’u angazhuar në administratë, me kohë të plotë ose të pjesshme ose si ekspert në projekte.
g) “Kuvendimi ynë” – Nëpërmjet këtij seksioni, çdo qytetar shpreh mendimin e tij mbi çështjet që parashtrohen për diskutim në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam”, me qëllim krijimin e një forumi publik virtual diskutimi ndërmjet qytetarëve dhe administratës shtetërore.

Neni 18
Hartimi i metodave dhe i seksioneve të reja, përmirësimi ose ndryshimi i tyre

1. Agjencia, me nismën e saj apo me kërkesën e anëtarëve të Këshillit të Ministrave apo titullarëve të institucioneve të administratës shtetërore, në bashkëpunim me institucionet propozuese, propozon për miratim në Këshillin e Ministrave metodat apo seksionet e reja të platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”.

2. Agjencia, me nismën e saj apo me kërkesën e anëtarëve të Këshillit të Ministrave apo të titullarëve të institucioneve të administratës shtetërore, në bashkëpunim me institucionet propozuese, miraton përmirësimin e metodave apo të seksioneve të platformës.

3. Rregullat dhe procedurat e shqyrtimit të nevojës, hartimit, bashkëpunimit, miratimit dhe funksionimit të metodave apo të seksioneve të reja të platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”, si dhe normat e aksesimit të të dhenave të platformës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 19
Punonjësit që kanë akses në të dhënat

Në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam” kanë akses punonjësit e Drejtorisë së Bashkëqeverisjes në Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, si dhe pikat e kontaktit të institucionit shtetëror për ndjekjen e çështjeve në platformë.

Neni 20
Administrimi, ekstraktimi dhe përdorimi i të dhënave

1. Në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam” gjenerohet automatikisht baza e të dhënave që administrohet nga Agjencia për çdo rast: të dhënat dhe historiku i rasteve të ardhura deri në zgjidhjen e tyre përfundimtare.

2. Nga baza e të dhënave të platformës ekstraktohen të dhëna për një çështje konkrete, të cilat përdoren për përmbushjen e qëllimit të këtij ligji, si dhe kanë cilësinë e një dokumenti zyrtar me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik.

Neni 21
Konfidencialiteti i të dhënave

1. Në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam”, të dhënat e qytetarëve apo të subjekteve që regjistrohen në platformë mbahen konfidenciale, duke iu nënshtruar mbrojtjes, ruajtjes dhe detyrimit për mospërhapje.

2. Të dhënat dhe çështjet e trajtuara nga platforma mund të publikohen në faqen zyrtare të Agjencisë vetëm pas pëlqimit të individit ose të subjektit privat.

3. Në rastet e denoncimeve të korrupsionit apo të dedektimit të çështjeve me element korruptiv, institucionit i dërgohet vetëm numri unik i çështjes dhe nuk jepet asnjë e dhënë për qytetarin ose subjektin denoncues.

4. Në platformë nuk trajtohen ankesa apo denoncime anonime.

5. Agjencia ruan konfidencialitetin, nëse kjo kërkohet nga individi apo subjekti që bën ankesën, ose kur vendoset nga koordinatori, në rastet specifike të çështjeve të dyshuara se përbëjnë vepra penale nga ana e zyrtarëve të administratës shtetërore.

6. Në çdo çështje të dhënat trajtohen në respektim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

6. Detyrimi per konfidencialitetin dhe mospërhapjen e të dhënave shtrihet për punonjësit e Agjencisë, edhe pas mbarimit të ushtrimit të detyrës.

Neni 22
Ndërveprimi me platformën

1. Ndërveprimi i platformës me individët apo subjektet private dhe me institucionet e administratës shtetërore kryhet vetëm në mënyrë elektronike përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”. Përjashtim bëjnë rastet kur çështjet parashtrohen me shkrim përmes postës në përputhje me rregullat e KPA, për shkak të pamundësisë së adresimit në platformë, kur ankuesi nuk ka akses në mjetet e komunikimit elektronik.

2. Përgjigjet e platformës “Me ty për Shqipërinë që duam” përmbajnë qëndrimin zyrtar të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe janë të vlefshme vetëm me nënshkrim elektronik.

3. Procedura dhe metodologjia e ndërveprimit mes sistemit EDRMS dhe protokolleve të institucioneve për kalimin automatik në platformë të çështjeve të parashikuara në këtë ligj përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Në rastin e monitorimit të trajtimit të shkresave të subjekteve private drejtuar institucioneve të administratës shtetërore, ndërveprimi me sistemin EDRMS dhe protokollet e institucioneve, rregullat dhe metodologjia përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 23
Publikimi i të dhënave të platformës

1. Metodat e platformës gjenerojnë të dhëna, raportet e të cilave publikohen periodikisht në faqen e platformës.

2. Rregullat dhe procedurat për përgatitjen e raporteve dhe mënyra e raportimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.

KREU VI
RREGULLAT E SEKSIONEVE TË PLATFORMËS “ME TY PËR SHQIPËRINË QË DUAM”

Neni 24
“Ankesa ime”

1. Nëpërmjet platformës, në seksionin “Ankesa ime” paraqiten çështje me natyrë kontrolli të veprimtarisë administrative, të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me ankuesin, të cilat, duke u bazuar në qëllimin dhe objektin e tyre, mund të jenë:

a) ankesa ndaj mosveprimit të organeve administrative, ku përfshihet çdo lloj ankese ku qytetari apo subjekti i interesuar vë në dijeni Agjencinë për neglizhencë të këtyre organeve për të kryer procedurat administrative, për të nxjerrë akte ose për të kryer veprime administrative në ngarkim të tyre. Këto ankesa shqyrtohen nga Agjencia në përputhje me dispozitat e këtij kreu;
b) ankesa të përmbajtjes, nëpërmjet të cilave qytetari apo subjekti i interesuar vë në dijeni Agjencinë për pretendimet e tij për parregullsi ose paligjshmëri në përmbajtjen e aktit ose veprimin administrativ të organit administrativ. Këto ankesa nuk shqyrtohen në themel nga Agjencia, por trajtohen nëpërmjet mekanizmave/ mjeteve të ridërgimit për shqyrtim tek organi administrativ kompetent ose ndërmjetësimit sipas rregullave të këtij ligji.
c) ankesa me karakter normativ, nëpërmjet të cilave qytetari apo subjekti vë në dijeni Agjencinë për padrejtësi, trajtim të pabarabartë apo të paarsyeshëm, mangësi ose çdo shkak tjetër objektiv për ndryshim, në përmbajtjen e akteve ligjore ose nënligjore me karakter normativ. Këto ankesa trajtohen në kuadër të funksionit të mirëqeverisjes, sipas parashikimeve të këtij ligji.

2. Rregullat e paraqitjes së ankesave, afatet e shqyrtimit të tyre dhe përfundimi i kontrollit të veprimtarisë administrative janë ato të parashikuara në këtë ligj.

Neni 25
“Biznesi im”

1. Nëpërmjet platformës, në seksionin “Biznesi im”, paraqiten çështje me natyrë kontrolli të veprimtarisë administrative, të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me ankuesin, të cilat, duke u bazuar në qëllimin dhe objektin e tyre, mund të jenë të njëjta me ato të parashikuara në nenin 24, pika 1.

2. Afati i trajtimit të ankesave të ardhura në seksionin “Biznesi im” është 10 ditë pune nga data e regjistrimit të ankesës. Për arsye objektive, për shkak të kompleksitetit të çështjes apo të nevojës për ndërveprim ndërinstitucional, kur çështja nuk mund të shqyrtohet brenda afatit 10 ditë pune, institucioni i administratës shtetërore informon Agjencinë për kohën e nevojshme dhe kërkon shtyrjen e afatit me jo më shumë se 10 ditë të tjera pune, shtyrje që miratohet nga Agjencia jo më shumë se dy herë.

3. Agjencia, nëpërmjet këtij seksioni, siguron gjithashtu ndjekjen dhe monitorimin e shkresave, të ndryshme nga ankesat, të paraqitura nga subjekti privat zyrtarisht pranë institucionit deri në marrjen e përgjigjes, e cila merret edhe përmes platformës. Afati i trajtimit të tyre përputhet me parashikimet ligjore të sektorit përkatës.

Neni 26
“Denonco korrupsionin”

1. Çështja, pas vlerësimit paraprak nga Agjencia dhe shqyrtimit nga institucioni, vlerësohet nga Agjencia nëse ka nevojë për trajtim të posaçëm prej personave përgjegjës për shqyrtimin e rasteve antikorrupsion pranë Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

2. Gjatë trajtimit të çështjeve në platformë nga Agjencia, pavarësisht seksionit të tyre, kur konstatohet se ka elemente korruptive, çështja trajtohet sipas rregullave të përcaktuara në këtë nen.

3. Kur çështja nuk mund të shqyrtohet brenda afatit 20 ditë pune, personat përgjegjës për shqyrtimin e rasteve antikorrupsion pranë Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit informojnë Agjencinë për kohën e nevojshme dhe kërkojnë shtyrjen e afatit me jo më shumë se 20 ditë të tjera pune, shtyrje që miratohet nga Agjencia jo më shumë se dy herë.
Në rast verifikimi të indicieve, provave për ngjarjen korruptive, personat përgjegjës për shqyrtimin e rasteve antikorrupsion pranë Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit ia referojnë çështjen prokurorisë kompetente, në përputhje me legjislacionin procedural penal në fuqi.

4. Procedurat dhe metodologjia e trajtimit të rasteve, të cilat konsiderohen si raste antikorrupsion, përcaktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.

Neni 27
“Nisma ime”

1. Nëpërmjet platformës, në seksionin “Nisma ime”, qytetarët paraqesin propozimet e tyre sipas parashikimeve të nenit 17, të këtij ligji, të cilat, pas vlerësimit të përputhshmërisë së tyre me programin qeverisës, shqyrtohen nga Agjencia në bashkëpunim me funksionarët politikë të ministrive, si dhe pikat e kontaktit të institucionit/ të institucioneve, të cilat kanë politikën në bazë të propozimit, në fushën e tyre të përgjegjësisë.

2. Afati i trajtimit për propozimet e ardhura në seksionin “Nisma ime” është 20 ditë pune nga data e regjistrimit të tyre.

3. Brenda afatit të përmendur në pikën 2, të këtij neni, propozuesi/ propozuesit informohet/informohen nga platforma mbi realizueshmërinë e propozimeve të paraqitura.

Neni 28
“Fjala ime”

1. Nëpërmjet platformës, në seksionin “Fjala ime”, qytetarët paraqesin opinione për një qeverisje më të mirë, sipas parashikimeve të nenit 17, të këtij ligji, të cilat, pas vlerësimit paraprak të tyre, shqyrtohen nga Agjencia në bashkëpunim me funksionarët politikë të ministrive, si dhe pikat e kontaktit të institucionit/ të institucioneve, të cilat janë propozuese apo zhvilluese të reformave apo nismave të cilave iu referohet opinioni.

2. Afati i trajtimit për çështjet e ardhura në seksionin “Fjala ime” është 20 ditë pune nga data e regjistrimit të çështjes.

3. Pas paraqitjes së propozimit, Agjencia njofton brenda afatit mbi hapat e ndërmarrë nga institucioni/ qeveria.

Neni 29
“Interpelanca ime”

1. Nëpërmjet platformës, në seksionin “Interpelanca ime”, qytetarët paraqesin kërkesat e tyre për takim publik me funksionarët e lartë politikë, sipas parashikimeve të nenit 17 të këtij ligji, të cilat, pas vlerësimit paraprak, shqyrtohen nga Agjencia në bashkëpunim me funksionarin politik të Kryeministrit, të Zëvendëskryeministrit, të anëtarëve të kabinetit qeveritar, të cilët organizojnë së bashku me Agjencinë një kalendar të përcaktuar dhe të publikuar në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam” për zhvillimin e interpelancës.

2. Pas përfundimit të interpelancës, pjesëmarrësit në interpelancë njoftohen nëpërmjet platformës mbi realizueshmërinë e angazhimeve çdo 30 ditë kalendarike deri në realizimin e plotë të çështjes apo të çështjeve të trajtuara në interpelancë.

Neni 30
“Shkolla ime”

1. Nëpërmjet platformës, në seksionin “Shkolla ime”, komuniteti parashtron, sipas parashikimeve të nenit 17, të këtij ligji, ide apo projekte për përmirësimin e institucionit arsimor parauniversitar që i shërben atij komuniteti, të cilat, pas vlerësimit paraprak, shqyrtohen nga Agjencia në bashkëpunim me funksionarët politikë në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse që mbulojnë arsimin parauniversitar të ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe pikat e kontaktit të institucionit.

2. Afati i trajtimit të këtyre ideve apo projekteve është 20 ditë pune nga data e regjistrimit të tyre.

3. Pas shqyrtimit të projektidesë, nëse ajo rezulton në përputhje me politikën sektoriale dhe programin qeverisës, propozuesit njoftohen periodikisht nga Agjencia nëpërmjet platformës mbi realizueshmërinë brenda 100 ditëve punë deri në realizimin e plotë.

Neni 31
“Nota ime”

1. Nga notat e qytetarëve do të gjenerohet periodikisht çdo muaj një notë mesatare, e cila do të bëhet publike. Ky vlerësim do të mundësojë informimin në kohë reale të publikut dhe të qeverisë për nivelin e pëlqyeshmërisë së një shërbimi të ofruar nga institucioni publik.

2. Përmes këtij vlerësimi do të dalë edhe një koeficient për vlerësimin zyrtar të çdo drejtuesi dhe ekipi të një institucioni shërbimesh, në nivel qendror apo vendor.

3. Raportimi do të bëhet në mënyrë periodike mujore, tremujore, gjashtëmujore dhe vjetore në rubrikën përkatëse në faqen e platformës www.shqiperiaqeduam.al.

Neni 32
“Dua të kontribuoj”

1. Nëpërmjet platformës, në seksionin “Dua të kontribuoj”, qytetarët paraqesin gatishmërinë e tyre për të kontribuar ose për t’u angazhuar, sipas parashikimeve të nenit 17, të këtij ligji, e cila, pas vlerësimit paraprak, shqyrtohet nga Agjencia në bashkëpunim me funksionarët politikë të ministrive, si dhe pikat e kontaktit të DAP-it.

2. Brenda 10 ditëve punë, personi informohet për interesin e institucionit mbi mënyrën e angazhimit të tij/ të saj, si dhe mbi procedurat ligjore përkatëse në lidhje me këtë angazhim.

Neni 33
“Kuvendimi ynë”

1. Nëpërmjet platformës, në seksionin “Kuvendimi ynë”, qytetarët në kohë reale paraqesin opinione mbi tema të caktuara, të publikuara në mënyrë periodike nga Agjencia, për një qeverisje më të mirë, sipas parashikimeve të nenit 17 të këtij ligji, të cilat analizohen nga Agjencia në bashkëpunim me funksionarët politikë të ministrive, si dhe pikat e kontaktit të institucionit/ institucioneve, të cilat janë propozuese apo zhvilluese të reformave apo nismave që iu referohet opinioni.

2. Agjencia ruan të drejtën të mos publikojë mendime apo komente, të cilat përmbajnë sharje apo shpifje, si dhe sulme personale.

3. Brenda 30 ditëve punë, personi informohet mbi analizën e kryer nga institucionet në lidhje me këtë opinion.

KREU VII
KONTROLLI I VEPRIMTARISË ADMINISTRATIVE

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Neni 34
Kontrolli i veprimtarisë administrative

1. Veprimtaria administrative e institucioneve të administratës shtetërore, përveç kontrollit administrativ, i cili kryhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative mbi mjetet ligjore administrative dhe të legjislacionit në fuqi, si dhe të kontrollit të gjykatës, i nënshtrohet edhe kontrollit nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

2. Kontrolli nga Agjencia ka si qëllim që, në kuadër të sigurimit të llogaridhënies dhe të ofrimit të shërbimeve publike, të garantojë kryerjen e veprimtarisë administrative nga institucionet e administratës shtetërore në mënyrë të shpejtë, efikase, transparente dhe me cilësinë më të lartë.

3. Agjencia, në bashkëpunim me institucionin e administratës shtetërore, heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative të institucionit të administratës shtetërore. Kur është e nevojshme kryerja e hetimeve të thelluara për konstatimin e fakteve të nevojshme të çështjes, titullari i institucionit, me paraqitjen e kërkesës së drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, miraton krijimin e një grupi pune, pjesë e të cilit do të jenë personat e ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë sipas përcaktimit në kërkesë.

Neni 35
Ankesat për kontrollin e veprimtarisë dhe elementet formale të saj

1. Ankesat që i drejtohen Agjencisë për kontrollin e veprimtarisë administrative mund të jenë:

a) në format elektronik në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam”;
b) në raste që bëjnë përjashtim, në formë të shkruar, pranë Agjencisë, e cila merr masat për hedhjen e të dhënave përkatëse në platformë.

2. Grupet e interesit mund të kërkojnë kryerjen e kontrollit të veprimeve administrative të lidhura me çështjet që prekin individët apo komunitetin e përfaqësuar pre tyre, duke marrë paraprakisht pëlqimin me shkrim të tyre, si dhe duke parashtruar në mënyrë konkrete e të besueshme pretendimet, arsyet dhe faktet mbi të cilat bazohet kërkesa.

3. Ankesa duhet të jetë mjaftueshëm e qartë për të përcaktuar kërkuesin dhe qëllimin e saj dhe veçanërisht duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:

a) Numrin unik të identifikimit (NID) të ankuesit;
b) Të dhënat e kontaktit;
c) Shpjegimin për aktin ose veprimin administrativ të kërkuar nga ankuesi, si dhe për rrethanat e mosveprimit të organit përgjegjës;
ç) Prokurën ose autorizimin për ta përfaqësuar, në rast se kërkesa bëhet nga avokati ose përfaqësuesi i ankuesit.

4. Nëse paraqitet me shkrim, nëpunësi i Agjencisë regjistron të dhënat e mëposhtme në formatin e platformës:

a) Numrin unik të identifikimit (NID) të ankuesit;
b) Datën e marrjes në dorëzim të ankesës;
c) Numrin dhe emërtimin e dokumenteve që i bashkëngjiten ankesës, nëse ka të tilla; dhe
ç) Të dhënat e kontaktit.

5. Ankesa nuk pranohet, nëse:

a) është anonime;
b) përbën haptazi abuzim me të drejtën e paraqitjes së ankesës para Agjencisë ose është e papajtueshme me dispozitat e këtij ligji;
c) e njëjta çështje është duke u shqyrtuar në kuadër të një ankese tjetër ose për të është marrë një vendim i mëparshëm dhe nuk ka të dhëna të reja;
ç) është haptazi e pabazuar ose nuk ka informacion të mjaftueshëm për të bërë të mundur një hetim.
6. Paraqitja e kërkesës për kontrollin e veprimtarisë administrative të një institucioni të administratës shtetërore është pa pagesë.

Neni 36
Regjistrimi i ankesës dhe njoftimi i palëve

1. Ankesa regjistrohet në Agjenci sipas një numri unik, të cilin çështja e merr në momentin e regjistrimit në platformë. Numri unik është pjesë e regjistrit të posaçëm të çështjeve. Regjistri i ankesave për kontrollin e veprimtarisë administrative përmban informacionin e mëposhtëm:

a) Numrin unik të ankesës;
b) Datën e regjistrimit;
c) Objektin e ankesës;
ç) Dokumentet që i bashkëngjiten ankesës;
d) Dokumentin e identifikimit, e-mail-in, numrin e kontaktit të ankuesit dhe adresën në rastin e paraqitjes së ankesës në format joelektronik.

2. Për ankesat e paraqitura nëpërmjet platformës “Me ty për Shqipërinë që duam” apo të paraqitura me shkrim pranë Agjencisë dhe të hedhura prej saj në platformë, nëpërmjet postës elektronike të platformës, merret vërtetimi i paraqitjes së ankesës, i cili përmban numrin unik të ankesës, datën dhe listën e dokumenteve të bashkëlidhura, nëse ka të tilla. Paraqitja e ankesës nëpërmjet sistemit postar vërtetohet nga dokumenti postar.

Neni 37
Pasaktësitë e ankesës

1. Në qoftë se ankesa nuk është paraqitur në përputhje me kërkesat e këtij ligji, Agjencia brenda 24 orëve i kërkon ankuesit nëpërmjet postës elektronike që të korrigjojë pasaktësitë brenda 2 ditëve punë nga dita e marrjes së kërkesës për korrigjim.

2. Pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të këtij neni, dhe për aq sa është e mundur, Agjencia i korrigjon vetë pasaktësitë e ankesës, duke mos i dëmtuar interesat ligjorë të palëve të interesuara.

3. Kur ankuesi plotëson pasaktësitë brenda afatit të përcaktuar, ajo quhet e regjistruar nga momenti i saktësimit të ankesës.

4. Kur ankuesi nuk plotëson pasaktësitë brenda afatit të caktuar dhe këto pasaktësi nuk mund të plotësohen nga Agjencia, sipas pikës 2, të këtij neni, ankesa quhet se nuk është regjistruar dhe për këtë vihet në dijeni ankuesi përmes postës elektronike ose shërbimit postar, sipas rastit.

Neni 38
Verifikimi paraprak përpara fillimit të shqyrtimit të ankesës

1. Pas regjistrimit të ankesës, përpara fillimit të shqyrtimit të saj, Agjencia kryen verifikimet:

a) për legjitimimin e palës që ka paraqitur ankesën;
b) nëse është paraqitur më vonë se tre vjet nga ndodhja e fakteve;
c) nëse ankesa mund të shqyrtohet së bashku me ankesat e palëve të tjera, nëse bazohet në të njëjtat fakte dhe bazë ligjore;
ç) nëse e njëjta çështje është vendosur ose është në shqyrtim nga prokuroria apo nga gjykata;
d) nëse përbën haptazi abuzim me të drejtën e paraqitjes së ankesës para Agjencisë ose është e papajtueshme me dispozitat e këtij ligj;
dh) nëse e njëjta çështje është duke u shqyrtuar në kuadër të një ankese tjetër, ose për të është marrë një vendim i mëparshëm dhe nuk ka të dhëna të reja;
e) dhe gjykon mbi ligjshmërinë dhe mundësitë e zgjidhjes së çështjes së paraqitur;
ë) dhe, në çështjet kur trajtimi i saj del jashtë kompetencave të Agjencisë, ajo orienton kërkuesin/ ankuesin ku të drejtohet (në organet e pavarura/ gjykatë).

2. Agjencia mund të mos e fillojë ose mund ta ndërpresë shqyrtimin e ankesës, nëse pas kohës së verifikimeve paraprake vërtetohen shkaqet e përmendura në pikën 1, të këtij neni.

3. Agjencia njofton ankuesin në lidhje me rezultatin e verifikimeve paraprake.

Neni 39
Mënyra e kontrollit të veprimtarisë administrative

1. Agjencia përcakton në mënyrë të pavarur llojin, qëllimin dhe shtrirjen e kontrollit të veprimtarisë administrative, si dhe vlerëson nëse një fakt apo rrethanë është e nevojshme për zgjidhjen e çështjes.

2. Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ky ligj, dokumentet që vërtetojnë akte, fakte, cilësi apo gjendje subjektive, të nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative, vendosen në dispozicion të Agjencisë nga institucioni i administratës shtetërore, kur janë në administrim të tij apo të organeve të tjera shtetërore. Institucioni i administratës shtetërore mund t’i kërkojë ankuesit vetëm elementet e nevojshme për identifikimin e tyre.

Neni 40
Shqyrtimi i ankesës

1. Koordinatori fillon procedurën e shqyrtimit të çështjes në bazë të ankesës së ardhur apo të hedhur në platformë dhe, pasi kryen vlerësimin paraprak, e dërgon atë për informacion të mëtejshëm dhe procesim pranë organeve kompetente nëpërmjet platformës.

2. Pasi vihet në dijeni për ankesën, institucioni publik, jo më vonë se dy ditë pune nëse:

a) konstaton paqartësi në lidhje me përmbajtjen dhe natyrën e kërkesës, i kërkon koordinatorit të bëjë sqarimet e nevojshme;
b) natyra e çështjes e kërkon, përjashtimisht, me miratimin paraprak të Agjencisë, institucioni mund t’i kërkojë ankuesit të paraqesë parashtrime me shkrim brenda afatit 48 orë;
c) konstaton se nuk ka kompetencë, ia kthen ankesën Agjencisë nëpërmjet platformës, e cila menjëherë e dërgon ankesën në institucionin publik kompetent.

3. Gjatë shqyrtimit të ankesës, nëse Agjencia konstaton se përtej shpjegimeve të paraqitura nga organi kompetent, trajtimi i çështjes kërkon këshillimin ligjor të ankuesit mbi rastin, ajo mund ta referojë/ta delegojë atë te Drejtoria e Ndihmës Ligjore Falas, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, e cila e shqyrton kërkesën në përputhje me ligjin nr.111/2017, “Për ndihmën juridike falas të garantuar nga shteti”, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

4. Kur e sheh të përshtatshme, Agjencia zhvillon një seancë dëgjimore publike dhe fton palët dhe çdo person tjetër të interesuar, si dhe mund të arrijë marrëveshje pajtimi mes ankuesit dhe organit kundër të cilit është paraqitur ankesa, sipas kushteve dhe procedurave të parashikuara në këtë ligj apo legjislacionit të posaçëm të fushës.

Neni 41
Procedura dhe afatet e shqyrtimit të ankimit

1. Nëse gjatë shqyrtimit të ankesës, institucioni publik konstaton se zgjidhja e saj kërkon nxjerrjen e një akti administrativ, kryerjen e veprimeve administrative apo ofrimin e shërbimeve, kjo duhet të realizohet brenda afatit 10 ditë pune nga momenti i regjistrimit të ankesës në platformë. Institucioni i administratës shtetërore njofton Agjencinë dhe palët e tjera të interesuara, nëse ka të tilla, në lidhje me verifikimin e kryer apo vendimin e marrë. Agjencia regjistron përfundimin e shqyrtimit të ankesës dhe përcakton nëse përveç masave me karakter individual mund të ketë nevojë edhe për masa me karakter të përgjithshëm duke rekomanduar zgjidhjen përkatëse.

2. Nëse nxjerrja e aktit, kryerja e veprimit administrativ ose ofrimi i shërbimit, përmendur në pikën 1 nuk mund të realizohet brenda afatit 10 ditë pune, institucioni i administratës shtetërore informon Agjencinë për kohën e nevojshme dhe kërkon shtyrjen e afatit me jo më shumë se 10 ditë të tjera pune, shtyrje që miratohet nga Agjencia jo më shumë se dy herë. Në mungesë të një afati për kryerjen e veprimit administrativ apo ofrimin e shërbimit në legjislacionin e posaçëm, zbatohet afati 60-ditor i kryerjes/ i ofrimit, i parashikuar në nenin 91, pika 2, të Kodit të Procedurave Administrative.

3. Për efekt të zbatimit të këtij neni, afatet e organit administrativ për nxjerrjen e aktit/ kryerjen e veprimit/ ofrimin e shërbimit fillojnë nga momenti kur organi merr njoftimin nga Agjencia për fillimin e procedurës së shqyrtimit të ankesës. Përmbushja e këtij detyrimi nuk e përjashton institucionin dhe/ ose punonjësin nga përgjegjësitë për vonesën e paligjshme para njoftimit dhe as nga masat e parashikuara në kreun V, të këtij ligji.

4. Pavarësisht afateve të përcaktuara sipas pikës 3, kur Agjencia konstaton se organi administrativ ka neglizhuar detyrat e tij, pasi nuk ka nisur procedurën, nuk ka miratuar urdhrin e ngritjes së grupit të punës ose ka tejzgjatur etapat procedurale, me vendim të drejtorit të Përgjithshëm caktohet një afat më i hershëm, nëse nga tërësia e rrethanave dhe e fakteve apo nga natyra e procedurës, aktit ose veprimit të kërkuar, vlerëson se ato mund të kryhen brenda një kohe më të shkurtër.

5. Agjencia, në cilësinë e garantit, ndjek dhe mbikëqyr ecurinë e zbatimit të detyrimeve të organit administrativ sipas këtij neni, duke zbatuar edhe masat detyruese të parashikuara në kreun IV, të këtij ligji.

6. Agjencia apo institucioni publik nuk e ngarkon ankuesin me ndonjë tarifë për shqyrtimin e ankesës.

Neni 42
Veprimet pas përfundimit të shqyrtimit të ankimit dhe kompetencat

1. Pas përfundimit të kontrollit të veprimtarisë administrative, Agjencia:

a) njofton ankuesin për rezultatin e kontrollit dhe masat individuale të marra në zbatim të të drejtave të tij/ të saj dhe/ ose jep sqarimet të nevojshme. Gjithashtu, me qëllim zgjidhjen e problematikave që mbart ankesa, propozon masa të përgjithshme, të cilat konsistojnë në:
i. rekomandim ndaj institucionit të administratës shtetërore apo organit të tij epror për nxjerrjen ose ndryshimin e një akti administrativ, në rast se çmon që nga mosveprimi ose veprimi në kundërshtim me ligjin janë cenuar të drejtat dhe interesat e ligjshëm të qytetarëve.;
ii. kërkesë drejtuar institucionit të administratës shtetërore ose organit epror të tij për zhvillimin e hetimeve administrative shtesë dhe njoftim për rezultatet e hetimit;
iii. kërkesë për ndryshimin e rregullave dhe të procedurave të brendshme të institucioneve ose strukturës së tyre, si dhe propozim institucionit shtetëror përgjegjës për ndërmarrjen e nismës për ndryshimin e akteve ligjore ose nënligjore, në rastet kur çmon që ofrimi i shërbimeve publike nuk mund të realizohet me efektivitet për shkak të pengesave që krijohen nga rregullat dhe procedurat të brendshme, struktura e institucionit të administratës shtetërore ose aktet ligjore ose nënligjore në fuqi;
iv. marrje të masave administrative sipas këtij ligji për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi epror i organit që ka shkaktuar shkeljen. Për shkelje të rënda të vëna re i propozon çdo organi fillimin e ecurisë disiplinore apo shkarkimin e funksionarëve që janë kompetencë e tyre;
b) refuzim të ankesës, nëse në përfundim të kontrollit të veprimtarisë administrative rezulton se ajo është e pabazuar dhe njoftim të ankuesit mbi rezultatet e kontrollit të veprimtarisë administrative si dhe masat e përgjithshme të propozuara.

2. Për çështje specifike që kërkohet ndërhyrje për shkak të mosmarrëveshjes së kompetencës apo mosbashkërendimit midis ministrive, drejtori i Përgjithshëm i propozon Kryeministrit ndërhyrje për zgjidhjen e çështjes.

KREU VIII
NDËRMJETËSIMI PËR ZGJIDHJEN E MOSMARRËVESHJEVE ME PAJTIM PËRMES AGJENCISË PËR DIALOG DHE BASHKËQEVERISJE

Neni 43
Autorizimi

1. Nëpërmjet këtij ligji, Agjencia autorizohet të kryejë funksionin e ndërmjetësit ndërmjet palëve të interesuara, personave fizikë ose juridikë privatë dhe organit administrativ përgjegjës për shqyrtimin e ankesave të tyre, nëse pas shqyrtimit të tyre sipas parashikimeve të kreut VII, të këtij ligji, ankuesi nuk është i kënaqur me zgjidhjen e ofruar, nëse ka.

2. Funksionin e ndërmjetësit sipas autorizimit të këtij neni, Agjencia e ushtron vetëm nëpërmjet punonjësve të saj që plotësojnë njëkohësisht këto kushte:

a) Të kenë kryer programe të studimeve juridike të ciklit të dytë ose ekuivalente me to, sipas përcaktimeve të legjislacionit për arsimin e lartë;
b) Të kenë eksperiencë profesionale jo më pak se tre vjet;
c) Të mos jenë dënuar për kryerjen me dashje të veprave penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë.

3. Punonjësit përgjegjës për ndjekjen e procedurës së ndërmjetësimit caktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, pas verifikimit të kushteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni.

Neni 44
Procedura për ndërmjetësim

1. Procedura për ndërmjetësim fillon pas datës së paraqitjes së ftesës për ndërmjetësim nga të paktën njëra nga palët në mosmarrëveshje me organin administrativ. Agjencia mund të propozojë fillimin e procedurës së ndërmjetësimit, nëse palët shohin interesin e paraqitur me shkrim.

2. Procedura e ndërmjetësimit duhet të mos e kalojë afatin 10-ditor nga shprehja e interesit të ankuesit për të përdorur këtë mjet ligjor, afati i cili mund të përsëritet për arsye objektive edhe 10 ditë të tjera pune.

Neni 45
Zhvillimi i ndërmjetësimit

1. Përpara fillimit të procedurës së ndërmjetësimit, Agjencia është e detyruar që të informojë palët për qëllimet dhe parimet e përgjithshme, rolin e ndërmjetësit dhe të palëve në proces, si dhe efektet e marrëveshjes së ndërmjetësimit.

2. Palët, organi administrativ dhe Agjencia nënshkruajnë marrëveshjen për realizimin e procesit të ndërmjetësimit, ku përcaktohen:

a) gjenealitetet e palëve të kësaj marrëveshjeje dhe të përfaqësuesve të tyre;
b) përshkrimi i objektit të mosmarrëveshjes;
c) pranimi i parimeve të ndërmjetësimit, sipas këtij ligji dhe të ndërmjetësit të caktuar;
ç) vendi i ndërmjetësimit.

3. Në çdo çështje, në zbatimin e procedurave të ndërmjetësimit, Agjencia duhet të kujdeset për të siguruar një procedurë ndërmjetësimi falas, trajtimin e njëjtë, të drejtë dhe të paanshëm të palëve, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes.

4. Kur nuk vendoset paraprakisht ndryshe nga palët, në çdo fazë të zbatimit të procedurave të ndërmjetësimit, me kërkesë ose me miratim nga palët, Agjencia mund të propozojë një zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjes. Ky propozim nuk është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga palët, përveçse kur ato bien dakord.

Neni 46
Komunikimi me palët

1. Përveçse kur vendoset ndryshe nga palët, Agjencia mund të takojë ose të komunikojë me palët, së bashku ose veçmas me secilën prej tyre.

2. Agjencia, pasi njihet me rrethanat dhe të dhënat e ofruara nga njëra palë në mosmarrëveshje, mund t’i parashtrojë palës tjetër çështjet thelbësore që rezultojnë nga këto rrethana, përveç rastit kur pala i ka bërë të ditur Agjencisë të dhëna të cilat i ka përcaktuar shprehimisht si konfidenciale. Në këtë rast, paraqitja e të dhënave konfidenciale te pala tjetër bëhet vetëm me pëlqimin e palës së parë.

Neni 47
Konfidencialiteti

1. Përveçse kur palët kanë rënë dakord ndryshe, tërësia e të dhënave dhe e rrethanave për procedurat e ndërmjetësimit duhet të mbetet konfidenciale.

2. Pavarësisht nga rregulli i ruajtjes së konfidencialitetit, bëhen publike të dhënat dhe përmbajtja e marrëveshjes së arritur në çështjet kur:

a) është e nevojshme për shkaqe të cenimit të interesave themelorë të shtetit dhe/ apo interesit publik;
b) është e nevojshme për parandalimin apo ndalimin e dhunës fizike apo psikologjike ndaj çdo personi, veçanërisht ndaj fëmijëve apo personave me aftësi të kufizuara;
c) është e nevojshme për parandalimin apo ndalimin e keqtrajtimit, të dhunës fizike apo psikike të personave me aftësi të kufizuara;
ç) nëpërmjet bërjes publike të të dhënave dhe/ apo marrëveshjes së ndërmjetësimit sigurohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje.

Neni 48
Mospërdorimi i të dhënave

Përveçse kur palët kanë rënë dakord ndryshe, një palë që merr pjesë në procedurën e ndërmjetësimit ose një person i tretë, përfshirë dhe Agjencinë, nuk mund të kërkojë ose të përdorë në një proces gjyqësor, arbitrazhi a në ndonjë procedurë tjetër të ngjashme, prova ose dëshmi, pavarësisht nga forma e tyre, si më poshtë:

a) ftesën e një pale për të marrë pjesë në një procedurë ndërmjetësimi ose veprimin me të cilin njëra nga palët ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në procedurën e ndërmjetësimit;
b) mendimet e shprehura ose sugjerimet e bëra nga njëra palë gjatë ndërmjetësimit ose nga Agjencia për zgjidhjen e mundshme të mosmarrëveshjes;
c) deklaratat ose pohimet e bëra nga njëra palë gjatë zhvillimit të procedurës së ndërmjetësimit;
ç) propozimet e bëra nga Agjencia;
d) faktin që njëra nga palët në procedurën e ndërmjetësimit ka shprehur vullnetin për të pranuar propozimin e bërë nga Agjencia ose zgjidhjen e mosmarrëveshjes;
dh) një dokument të përgatitur vetëm për qëllim të procedurës së ndërmjetësimit.

Neni 49
Përfundimi i procedurës së ndërmjetësimit

Procedura e ndërmjetësimit përfundon:

a) ditën e nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen e mosmarrëveshjes;
b) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të Agjencisë, pas këshillimit me palët që ndërmjetësohen, sepse përpjekjet për ndërmjetësim të mëtejshëm nuk janë të justifikuara;
c) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të palëve ndërmjetëse, me anë të së cilës i drejtohen Agjencisë, ku i njoftojnë se procedura e ndërmjetësimit ka përfunduar;
ç) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të njërës palë, drejtuar palës tjetër, Agjencisë, ku njoftohet se procedura e ndërmjetësimit ka përfunduar;
d) me vdekjen e ndonjërës nga palët në proces;
dh) me likuidimin e personit juridik palë në proces.

Neni 50
Aktmarrëveshja

1. Kur palët bien dakord për zgjidhjen e pranueshme të mosmarrëveshjes ndërmjet tyre, së bashku me Agjencinë nënshkruajnë marrëveshjen përkatëse me shkrim, në kuptim dhe në zbatim të kushteve, të çështjeve dhe të procedurave të parashikuara në këtë ligj. Kjo marrëveshje është e detyrueshme dhe e ekzekutueshme për institucionin publik dhe ankuesin.

2. Në aktmarrëveshje përcaktohen:

a) palët;
b) përshkrimi i mosmarrëveshjes;
c) detyrimet e kushtet që palët i vënë njëra-tjetrës dhe mënyra e afati i përmbushjes së tyre;
ç) nënshkrimi i palëve dhe i përfaqësuesit të Agjencisë.
Afati për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në marrëveshje vendoset nga palët në mirëkuptim me njëra-tjetrën. Aktmarrëveshja duhet të përmbajë detyrime të qarta dhe saktësisht të përcaktuara.

3. Aktmarrëveshja hartohet në tri kopje, një për secilën palë dhe një kopje që depozitohet te Agjencia, e cila është e detyruar të administrojë çdo aktmarrëveshje dhe dokumentacion lidhur me to.

Neni 51
Zbatimi i marrëveshjes së ndërmjetësimit

Nëse aktmarrëveshja respekton kushtet e përcaktuara në këtë ligji, përbën titull ekzekutiv.

KREU IX
BASHKËQEVERISJA ME NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE

Neni 52
Marrëveshjet me njësitë e vetëqeverisjes vendore

1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të lidhin marrëveshje kuadër me Agjencinë, me qëllim bashkëpunimin për gjithëpërfshirjen e qytetarëve dhe të grupeve të interesit në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, si dhe ndërveprimin ndërmjet administratës shtetërore e qytetarëve dhe grupeve të interesit me qëllim rritjen e rolit të tyre në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, për çështjet që janë në fushën e përgjegjësisë shtetërore të institucioneve të pavarura ose të njësive të vetëqeverisjes vendore.

2. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore, marrëveshja miratohet paraprakisht nga organi përfaqësues dhe nënshkruhet nga organi ekzekutiv.

Neni 53
Kushtet e marrëveshjes

Marrëveshja që lidhet midis njësive të vetëqeverisjes vendore, nga njëra anë, dhe Agjencisë, duhet të përmbajë:

a) metodat e bashkëqeverisjes që përdoren nga njësia e vetëqeverisjes vendore, si dhe rregullat e zbatueshme për përfshirjen e metodave të reja, ose ndryshimin e tyre;
b) rregullat për kontrollin e veprimtarisë administrative, në rast se palët bien dakord që Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje mund të kontrollojë veprimtarinë administrative, sipas këtij ligji;
c) mënyrën e zgjidhjes së marrëveshjes.

KREU X
INSPEKTIMI DHE KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE

Neni 54
Inspektimi

1. Inspektimi për zbatimin e dispozitave të këtij ligji për bashkëqeverisjen nga institucionet e administratës shtetërore kryhet nga koordinatorët e Agjencisë, sipas dispozitave ligjore në fuqi për inspektimin.

2. Gjatë inspektimeve, koordinatorët duhet të shqyrtojnë në veçanti:

a) zbatimin e mekanizmave për gjithëpërfshirjen e qytetarëve në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore, sipas parashikimeve të këtij ligji;
b) përgjegjshmërinë dhe ndërveprimin e institucioneve të administratës shtetërore me çdo qytetar, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, me qëllim përfshirjen e tyre në bashkëqeverisje;
c) ligjshmërinë e veprimtarisë administrative të institucioneve të administratës shtetërore, veçanërisht duke pasur në konsideratë afatin e ofrimit të shërbimit;
ç) organizimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të monitorimit, të paralajmërimit të hershëm, të njoftimit dhe të alarmit në fushën e veprimtarisë së tyre;
d) zbatimin e detyrimeve ligjore, si edhe të udhëzimeve të ndryshme të dhëna nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Neni 55
Konstatimi i shkeljeve

1. Shkelja e dispozitave të këtij ligji konstatohet nga koordinatori i Agjencisë dhe për këtë mbahet procesverbali përkatës, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për inspektimin.

2. Mënyra e konstatimit dhe e shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative realizohet në bazë të legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative, ndërkohë që formati i procesverbalit të konstatimit të shkeljes miratohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.

Neni 56
Kundërvajtjet administrative

1. Në përfundim të inspektimit, në rastet kur konstatohen shkelje, sipas këtij ligji, Agjencia mund:

a) të kërkojë nga organi përgjegjës fillimin e procedimit disiplinor ndaj çdo nëpunësi që ka shkelur dispozitat e këtij ligji, si dhe marrjen e një mase disiplinore të përshtatshme për shkeljen e konstatuar, duke përfshirë largimin nga detyra. Në përfundim të procedimit disiplinor, organi përgjegjës është i detyruar të njoftojë Agjencinë për rezultatet e procedimit disiplinor;
b) t’i propozojë ministrit përgjegjës ose Kryeministrit lirimin nga detyra të titullarit të organit administrativ;
c) të urdhërojë çdo rregullim ose masë tjetër të përshtatshme; në këtë rast, institucioni i administratës shtetërore ndaj të cilit është kryer inspektimi raporton brenda 30 ditëve tek Agjencia në lidhje me veprimet e ndërmarra për zbatimin e vendimit. Në rast se institucioni, ndaj të cilit është kryer inspektimi, nuk e informon Agjencinë ose nuk e zbaton vendimin, ajo vendos masë për ndëshkimin me gjobë. Sanksioni me gjobë shfuqizohet nëse subjekti kundër të cilit është paraqitur ankesa e zbaton vendimin brenda shtatë ditëve pasi është vendosur sanksioni.

2. Kur vendos masën, Agjencia siguron që ajo të jetë:

a) e efektshme dhe parandaluese;
b) në përpjesëtim me gjendjen që e shkaktoi vendosjen e masës. Nëse vendoset gjobë, Agjencia përcakton shumën e gjobës duke marrë parasysh:

i. natyrën dhe fushën e veprimit të shkeljes;
ii. rrethanat personale e financiare të shkelësit, veçanërisht duke marrë në konsideratë të gjitha burimet e të ardhurave.

3. Çdo person që shkel dispozitat e këtij ligji dënohet me gjobë, si më poshtë:

a) Institucioni i administratës shtetërore nga 10 000 deri në 60 000 lekë;
b) Nëpunësi publik ose titullari i institucionit publik, brenda personit juridik, i cili është përgjegjës për shkeljen nga 30 000 deri në 80 000 lekë.

4. Me vendim të Këshillit të Ministrave parashikohen rregullat specifike mbi masën dhe mënyrën e zbatimit të parashikimeve të këtij neni.

Neni 57
Ankimi

1. Ankimi administrativ kundër gjobës së vendosur për shkeljen administrative paraqitet dhe shqyrtohet sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative dhe të legjislacionit në fuqi për inspektimin te Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative pranë Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

2. Përbërja e komisionit dhe procedura e shqyrtimit miratohen me urdhër të Kryeministrit.

3. Kundër vendimit të komisionit mund të bëhet ankim, brenda 45 ditëve në gjykatën kompetente për çështjet administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 58
Ekzekutimi i vendimit

Ekzekutimi i gjobave në zbatim të këtij ligji bëhet, sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.

KREU XI
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 59
Hedhja në platformë e ankesave të ardhura përmes protokollit të institucioneve

1. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore që të gjitha tipologjitë e çështjeve, të cilat në kuptim të këtij ligji janë objekt i platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”, të hedhin në platformën elektronike ankesat që administrohen fizikisht në rrugë zyrtare, çështjet për të cilat në pamundësi të adresimit në platformë, qytetari apo subjekti ka bërë një ankesë me shkrim.

2. Institucionet e administratës shtetërore, objekt zbatimi i këtij ligji, ngarkohen të mos pranojnë më letra fizike nga qytetarët për çështje që lidhen me problematika, objekt trajtimi nga platforma “Me ty për Shqipërinë që duam”. Përjashtim bëjnë vetëm rastet e cituara në pikën 2, të këtij neni.

3. Të gjitha komunikimet midis qytetarëve apo subjekteve private me platformën dhe të platformës me institucionin përgjegjës kryhen përmes sistemit elektronik të platformës, nga ku gjurmohet vijimësia e çështjeve deri në përfundimin e tyre.

4. Procedurat dhe metodologjia e hedhjes së ankesave fizike në platformë deri në tërheqjen e plotë të shkresave përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.

Neni 60
Ankesat në të gjitha nivelet e administratës

1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha zyrat për marrëdhënie me publikun në administratën shtetërore në varësi të Këshillit të Ministrave, pushojnë së ekzistuari dhe çështjet e ankesave të parashikuara në këtë ligj do të trajtohen vetëm nga platforma “Me ty për Shqipërinë që duam”. Punonjësit e këtyre zyrave, në rast pamundësie të ricaktimit të tyre në pozicione pune të tjera brenda të njëjtave institucione, trajtohen në përputhje me dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil për mbylljen ose ristrukturimin e institucionit, apo me dispozitat e Kodit të Punës, në varësi të kuadrit ligjor që rregullon marrëdhëniet e tyre të punës sipas aktit të krijimit të institucionit.

2. Prej datës 1.1.2022 institucionet shtetërore pranojnë ankesa në lidhje me veprimtarinë e tyre vetëm nëpërmjet platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”, me përjashtim të rasteve të veçanta, të parashikuara në nenin 22, pika 1, të këtij ligji.

Neni 61
Sistemi i Qarkullimit të Dokumenteve me Nënshkrim Elektronik (SQDNE)

1. Ofrimi i shërbimeve nga të gjitha institucionet shërbimofruese, aplikimet e të cilave realizohen nëpërmjet platformës “e-Albania”, do të realizohet vetëm elektronikisht, duke siguruar lëshimin e dokumentit përfundimtar me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik.

2. Agjencia është përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të afateve dhe të përdorimit të SQDNE-së, në rastet kur duhet të ketë shkëmbim dokumentacioni shoqërues ndërmjet institucioneve, deri në marrjen e shërbimit dhe të dokumentit përfundimtar me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik nga qytetarët dhe subjektet sipas afateve ligjore.

3. Procedurat dhe metodologjia e monitorimit dhe e kontrollit të veprimtarisë administrative në kuadër të pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 62
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 14, pikat 2 e 7, 16, pika 4, 18, 22, pikat 3 e 4, 56, pika 4, 61, pika 3, të këtij ligji.

2. Ngarkohet Agjencia që brenda 3 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 26, pika 4, 55, pika 2, 59, pika 5, të këtij ligji.

Neni 63
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR BASHKËQEVERISJEN”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për bashkëqeverisjen”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA


Shtuar 19.09.2021 17:29