Etilda në hotelet e çudirave
nga Andi Bushati -

Ajo u akuzua se kishte paguar netë hoteli marramendëse në Bruksel, Londër, Paris, Romë madje dhe Prishtinë, por u përgjigj se në Itali nuk kishte qëndruar një, por dy ditë, prandaj shuma sipas netëve duhej të pjestohej.

Kur lexova jusitifikimin e Etilda Gjonit pasi ishte denoncuar për pagesat marramendëse të dhomave të hoteleve gjatë shërbimeve jashtë shtetit, automatikisht mu kujtua një nga deklaratat e para, kur ajo u bë e njohur për publikun. Me një lloj lehtësie të papërballueshme, me buzëqeshje të përmbajtur dhe me një sinqeritet gati infantil, ajo shpjegoi se si ishte bërë ministre. “Nuk dija asgjë, po shihja asamblenë e PS-së në TV dhe aty papritmas dëgjova kryeministrin të shqiptonte emrin tim tek drejtësia”- u rrëfye ajo.

Të njëjtin shpengim, naivitet dhe mungesë përgjegjëise tregoi edhe sot, dy vite pasi tha atë deklaratë.

Ajo u akuzua se kishte paguar netë hoteli marramendëse në Bruksel, Londër, Paris, Romë madje dhe Prishtinë, por u përgjigj se në Itali nuk kishte qëndruar një, por dy ditë, prandaj shuma sipas netëve duhej të pjestohej.

Ajo u akuzua se kishte paguar dhoma edhe mbi çmimet normale të këtyre mjediseve me 5 yje, por u përgjigj se aty paskësh qenë e detyruar të qëndronte prej organizatorëve.

Ajo akuzua se vendqëndrimet e saj qenë në zonat më të shtrenjta të kryeqendrave europiane, aty ku zakonisht strehohen milionerët apo yjet e shou bizit, por u përgjigj, se vendet i përcaktonte stafi dhe jo ministrja.

E pastaj sikur këto justifikime bishtnuese të mos mjaftonin, Ministrja e Drejtësisë kaloi edhe në argumente qesharakë.

Pretendoi se i kishte rastisur të udhëtonte me tren (sikur paskësh lindur për biznes class), se paska rastisur që të kthehet nga jashtë edhe brenda ditës (pra se atë natë na ka kursyer 700 euro të tjera), shkurt se ajo penalizohet duke ia fshehur publikut edhe këto sakrifica.

Etilda Gjoni zgjodhi të mbrohet me mënyrën që përdorin të gjithë ata që zihen në faj.

Ti kërkon të dish se pse i kushtoi aq shtrenjtë shtrati i një nate, ajo ta kthen se po e sulmon si grua në politikë. Ti këmbëngul se pse çmimet janë edhe më të kripura se vetë netët bazike të këtyre hoteleve me pesë yje, ajo bën viktimën duke thënë se ndihet e poshtëruar si nënë? Ti insiston të dish papërgjegjshmërinë e këtij luksi të shfrenuar, ajo ankohet se po e baltosin si bashkëshorte.

Pra, nëse botimi i faturave të netëve të saj të shtrenjta ishin thjeshtë akuza, reagimi i ministres këtë të dielë, mund të konsiderohet, pa frikë, si lapsusi frojdian i pranimit të fajit.

Tashmë të gjithë ata që ndihen të revoltuar, që i përmendin Ramës në rrjetet sociale kilometrat e munguar, ndihmën sociale të padhënë, apo ilaçet që mund të kishin zëvendësuar çarcafët e mëndafshtë të znj. Gjonaj, tani e kanë provën e abuzimit të saj.

Dhe me kaq kjo histori mbyllet.

Natyrisht për të hapur një tjetër. Për të ngritur një pyetje: si është e mundur që një politikane e lartë të tregohet kaq e verbër dhe mendjelehtë? Si ka mundësi që ajo nuk ka menduar aspak për impaktin publik, për shock-un që mund të shkaktonte, për talljen ndaj atyre që u kanë kumtuar se: “ne jemi këtu vetëm si shërbëtorët tuaj”? Si mund të rrezikojë gjithë karierën e saj duke u sjellë si ato çupulinat e instagramit që paguajnë dhoma me jacuzzi në taracë vetëm për të postuar një foto?

Në fakt dëshira për luks, tentimi për të jetuar mbi mundësitë që të jep një pagë e ndershme, nuk është vetëm një mëkat i politikanëve të rilindjes. Ajo është një yshtje për pjesën më të madhe të të ngjashmëve të tyre kudo në botë. Në këtë sistem ku jetojmë, ndjenja e barazisë dhe empathia për të kuptuar ata që nuk kanë, janë skrupuj drejt zhdukjes.

Por ama, ndryshimi me demokracitë reale, sado të deformuara qofshin ato, është se politikanët u ruhen këtyre sjelljeve. Ndofta jo për moral, por se mendojnë për imazhin e tyre. Bëjnë llogarinë se do duan të paraqiten sërish para zgjedhësve. Nuk riskojnë që për një plesht të artë të djegin jorganin e karierës. Ata që identifikohen me vese të tilla vaniteti dalin nga politika. Vetëm në muajt e fundit kemi raste të tilla në disa qeveri europiane.

Po në Shqipëri, pse Etilda Gjonaj e mbron me krenari mëkatin poshtë çarçafëve të saj të mëndafshtë? Pse nuk ka drojë ta bëjë dhe aq më pak të ndihet fajtore për këtë?

E këtu dalim tek krahasimi i bërë më lart, me një nga deklaratat e saj të para si ministre. Ajo, sikurse e tregoi vetë, e mori atë post pa e pyetur dhe pa e konsultuar askush, pa bërë një karierë politike, pa paraqitur një platformë dhe pa konkuruar me askënd. Ajo u katapultua aty thjeshtë se pati simpati Edi Rama. Thjeshtë se një ditë udhëheqësit iu shkrep ta ngrinte në detyrë, pa përfillur, as partinë që fitoi zgjedhjet, as rrethin më të gjërë të opinionit publik.

Prandaj, Etilda Gjonaj, ndryshe nga çdo politikan i ngritur me shpatullat e veta, është fare e pandjeshme për atë që mendojmë ne qindra mijra të tjerët për të. Ajo ka mësuar një gjë, nuk ka rëndësi të jesh e simpatike apo e përbuzur nga publiku, thëlbësore është se ç‘mendon për ty shefi.

Dhe në këtë kuptim, ajo bën mirë, për sa kohë që ka mundësi, që ta shijojë dhuratën që i kanë bërë. Le të vazhdojë të zgjedhë hotelet që do, le të udhëtojë në biznes class, le të shijojë një botë çudirash. Sepse në thelb, sakrifica, apo vetmohimi që mund të tregojë nuk kanë asnjë vlerë. Ajo mund ti dëshmojë ato, por prapë mund ti ndodhë, ashtu si shumë ish kolegëve të saj, që një ditë papritur, të dëgjojë nga ekrani emrin e saj. Këtë radhë për të kuptuar se i ka dalë nga qejfi liderit, prandaj është shkarkuar.
Shtuar më 25/08/2019, ora 23:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori