Vrasja e dy miqve të Vis Martinaj, kërkohet burg përjetë për Eduard Lamaj dhe 35 vite për Ilir Likën

Eduard Lamaj, njëri nga ekzekutuesit e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në 30 Maj 2020 në zonën e Mamurasit, rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.

Kjo masë dënimi është kërkuar në seancën e 4 tetorit 2022 nga prokuroria e Laçit, e cila lexoi pretencën para gjykatës.

Mësohet se në këtë proces gjyqësor i pandehur është edhe Ilir Lika, ndaj të cilit prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin me 35 vite burgim.

Ndërsa pritet në ditët në vijim vendimi përfundimtar i gjykatës së Laçit.

Lika u arrestua në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ndërsa Eduard Lamaj është ndaluar teksa merrte mjekim në ambjentet e një klinike private në zonën e “Qytet Studentit”.

Lamaj, në këtë ngjarje mbeti i plagosur në këmbë, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit që pati me njërin prej viktimave, Bujar Lika.

Prokuroria në pretencën e saj ka pretenduar se Eduard Lamaj dhe Ilir Lika, kanë bashkëpunuar së bashku dhe me dy persona të tjerë, për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit.

Lika ishte një mik i ngushtë i Ervis Martinit dhe Ylli Brahimit të Milotit. Brahimi gjatë gjithë ditës së ngjarjes, ka qënë nën shoqërinë e Bujar Likës, dhe në gjyqin kundër Lamaj dhe Ilir Likës, Brahimi rezulton të jetë thirur si dëshmitar.

Ndërsa në kërkim për këtë ngjarje të rëndë janë shpallur Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi, të cilët prej dy vite ende nuk janë arrestuar nga policia e Shtetit.

Procesi ndaj dy personave të kërkuar është pezulluar me një afat 1 vjeçar. Eduart Lamaj akuzohet se ka pasur rolin e ekzekutorit, ndërsa miqtë e tij Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi në rolin e ndihmësit.

Sipas prokurorisë motivet e ngjarjes mbeten të paqarta, por ka dyshime të forta se 4 autorët kanë patur si qëllim grabitjen e biznesmenit Paulin Gjergji, ngjarje që përfundoi më pas në përdorimin e armës, duke qenë se edhe Bujar Lika ka qenë i armatosur./OraNews/