"Eskobari i Ballkanit"/ Si e nisi skafin me drogë nga Saranda
Pëlqej
Prokuroria për krime të rënda ka zbardhur detaje të dosjes së Klement Balilit, të shpallur në kërkim që në Maj nga autoritet greke si një nga financuesit dhe organizatorët e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Evropës Qendrore.

Abc News bënë me dije se në Shkurt të këtij viti, autoritet greke kanë arritur të identifikojnë dy numrat e telefonit, një grek dhe shqiptar që rezultuan se përdoreshin nga shtetasi Klement Balili i njohur në biseda telefonike si “Keli”.

Në atë kohë, Balili mbante detyrën e drejtorit në Drejtorin Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë. Në dosjen që ABC News ka siguruar një kopje, thuhet se Balili në bashkëpunim me disa biznesmen grekë, bullgarë dhe shqiptarë me qëndrim në Belgjikë, janë pjesë e një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe canabisë sativa.

Për rrjetin në fjalë, thuhet në dosje autoritet greke janë njoftuar nga selia e DEA-së amerikane në Athinë. Në materialet që prokuroria ka përdorur për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Balilin, thuhet se rrjeti kriminal përdorte për transportin e drogave kamionë që janë të regjistruar në vende të ndryshme të Europës, në pronësi të kompanive që zotërohen nga shtetas grekë dhe përdorin si përfaqësues të këtyre firmave njerëz të ndryshëm. Ky rrjet, thuhet në dosje, funksionon prej vitesh por vetëm në fund të Prillit autoritet ligjzbatuese kanë rënë në gjurmët e tyre.

Kjo pasi është transkriptuar një bisedë telefonike mes Balilit dhe një biznesmeni greke, që kishte kompania transporti, me degë të saj në Bullgari, Austri dhe Belgjikë. Shtetasi greke, tashmë i arrestuar është Georgios Alifantis dhe bënte transportin e drogave nga Greqia drejt Evropës qendrore, pasi ato silleshin në Greqi nga njerëzit që komandoheshin nga Klement Balili, qoftë në rrugë detare me skaf apo me mjete tjera tokësore.

Në fund të Prillit, Balili ngarkon skafin me emrin “Vasiliki” me rreth 679 kg hashash dhe ia beson mallin dy skafistëve Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të cilët i nis drejt ishullit të pabanuar Zakinthos të Greqisë. Për nisjen e skafit nga brigjet e Sarandës, rrugën që do ndiqte mjeti lundrues dhe vendin e zbarkimit, prokuroria ka siguruar bisedat e Klement Balilit që orientonte dy skafistët dhe njoftonte për veprimet e tyre edhe shtetasin greke, Georgios Alifantis.

Ky i fundit, me shoferët e tij, e priste drogën në Greqi. Me të mbërritur skafi në Greqi, malli ngarkohet në vende të ndryshme të kamionëve të modifikuar për fshehjen e drogës dhe bëhej gati për nisje drejt Bullgarisë, Austrisë e Belgjikës. Por, për shkak se po ndiqeshin nga autoritet greke, mbrëmjen e 8 Majit, skafistët shqiptarë u arrestuan bashkë me biznesmenin grek dhe shoferët e bashkëpunëtorët e tij në Greqi, ku u bllokua edhe droga.

Për këtë rast dhe një tjetër, që ka dështuar në Bullgari, rrjeti kriminal i drejtuar nga Klement Balili akuzohen për trafik droge në kuadër të organizatës kriminale./Albeu.com/
Shtuar më 24/12/2016, ora 23:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori