Është apo nuk është Nano kryeministër?
Pëlqej
Albeu.com
nga Armand BoraKjo është pyetja që i bën vetes çdo shqiptar i pakënaqur nga mënyra se si e ka qeverisur Fatos Nano në tërë këto vite. Duam apo nuk duam, puna dhe mirëqenia e secilit prej nesh, për dikë më shumë e për dikë më pak, varet nga shkalla e përgjegjshmërisë së kryeministrit në detyrë. Ndaj për këdo, pyetja është apo nuk është Nano kryeministër, merr një rëndësi të veçantë. Në përpjekjen për t'i gjetur përgjigjen time kësaj pyetjeje, pashë se kjo është një nga ato pyetje të cilat nuk e kanë nevojë përgjigjen. Në ndryshim nga pyetjet retorike, të cilat i gjejmë me shumicë në vargjet e poezisë shqiptare, dilema ime për kryeministrin i përmban në vetvete të gjitha llojet e përgjigjeve. Them kështu sepse ka njerëz, përfshirë këtu edhe vetë Nanon, të cilët mendojnë se zoti Fatos jo vetëm që është kryeministër, por është edhe i suksesshëm në përmbushje të detyrave të veta. Bindja dhe siguria në mirëpërmbushjen e detyrimeve qeverisëse u panë më së tepërmi në qeshjet, buzëqeshjet, humorin dhe shkujdesjet e fundjavës së tij elektorale në qytetin e Sarandës. Duket se rehatllëku ka zënë vend në fytyrën e tij kryeministrore. Karakteristika këto vetëm për dikë që i ecin punët mbarë. Por fundjava nuk mbaron këtu. Talenti i ekspertit dhe mjeshtrit të palodhur, në teknikat e futjes dhe nguljes, u shpalos edhe njëherë gjatë bisedës së tij me fadromistin sarandiot. Gëzimi dhe hareja rridhnin natyrshëm, tek e këshillonte atë ta ngulë majën e fadromës thellë e më thellë ... Gëzimi i kryeministrit është gëzimi legjitim i një të kurorëzuari, si "ngulësi më i mirë". Kjo është vetëm një pjesë e fundjavës në bregdet, sepse mbrëmjet kryeministrore shpalosin të tjera talente dhe aftësi të pakonkurrueshme. Askush nuk do të shqetësohej për mënyrën se si e organizon, e koncepton apo e dëshiron fundjavën e tij zoti Nano. Në fund të fundit, çdokush e ka të drejtën që në një fundjavë të jetë i përgjegjshëm apo i papërgjegjshëm, i moralshëm apo i pamoralshëm, serioz apo hokatar, buzëmbledhur apo buzëvarur. Çdokush ka fundjavën e tij që vjen pas disa ditësh pune, lodhjeje dhe përgjegjësie. Problemi i shqiptarëve është se e gjithë java e kryeministrit të tyre është vetëm një fundjavë. Fatkeqësisht, në mënyrë të vullnetshme apo të pavullnetshme, përgjatë të gjithë ditës së tij kryeministrore, zoti Nano karakterizohet nga një nivel shumë i ulët përgjegjshmërie. Më të rrezikuara nga virusi i papërgjegjshmërisë kryeministrore janë vendimet e marra jashtë zyrave të qeverisë. Shpeshherë e kemi parë zotin Nano të drejtojë mbledhje apo takime si ato të KRRTRSH-së në lokale apo pika turistike jashtë Tirane. Thonë se në mbledhjet e ndarjes, copëtimit dhe rregullimit të teritorit, kryeministri Nano karakterizohet nga një shpirt i lartë sakrifice dhe vetëmohimi. Një paepshmëri, qëndrestari dhe motivim i frymëzuar prej më rishtares filozofi kryeministrore. T’i lëmë zyrat, ndërtesat dhe godinat institucionale e të punojmë bareve, hoteleve, moteleve dhe restoranteve. T’i shpërthejmë zyrat e të shkojmë atje ku populli ka nevojë. Pikërisht, në njërën nga këto mbledhje, në shkurt të vitit të kaluar, kryeministri Nano dhe anëtarët e tjerë të qeverisë miratuan projektin e studios franceze "Architecture", për planin rregullues të Tiranës. Nuk besoj se ka shqiptar në Tiranë dhe jashtë saj që të mos ketë dëgjuar për rëndësinë, seriozitetin dhe profesionalizmin me të cilin u diskutua rreth këtij plani ambicioz. Sipas kryeministrit Nano, ky studim e vendoste përfundimisht Tiranën në hartën evropiane të urbanistikës moderne. Edhe dyshimet e ndonjë skeptiku u fashitën prej seriozitetit zyrtar. Një diskutim i gjerë popullor, debate profesionishtësh, një garë ndërkombëtarësh dhe disa mbledhje qeveritarësh çuan në firmosjen e një dokumenti zyrtar që presupozonte miratimin e studimit të qendrës së Tiranës. Përveç dy parqeve, tri unazave, tramvajit, 6 000 pakingjeve dhe librarive mbi Lanë, sipas maketit, Teatri Kombëtar do të shkonte në ambientet e Parlamentit dhe Biblioteka në kullën që do të ngrihej te muzeu. Në të gjitha variantet e shtruara dhe të miratuara trualli mbi të cilin ngrihet sot Teatri Kombëtar ishte ose hapësirë e gjelbër ose vend ku do të ngriheshin godina qeveritare. E thënë ndryshe, nëse do të besojmë në seriozitetin e një vendimi të firmosur nga vetë kryeministri, godina aktuale e Teatrit Kombëtar do të shembet. E ndërsa asnjë shqiptar brenda dhe jashtë Tiranës nuk ka dëgjuar që të jetë hedhur poshtë vendimi i KRRTRSH-së për miratimin e planit rregullues të qendrës së qytetit, shumëkush e ka ndjekur njoftimin për investimin e 500 milionë lekëve në ambientet e Teatrit Kombëtar. Janë tre ministra, të cilët, pasi "harrojnë" se kanë firmosur bashkë me zotin Nano për planin rregullues të qendrës së Tiranës, firmosin edhe njëherë tjetër pët t'u shpërdoruar 500 milionë lekë, investime në godinën që pret radhën e shembjes. "Do të shkurtojmë ritmet e vendimmarrjes, si stimul që ju të rrisni ritmet e ndërtimit dhe të zgjidhjes së konflikteve”, - tha Nano në ditën e miratimit të planit rregullues dhe ritmet e vendimmarrjes nuk u shkurtuan, por u asgjesuan. Janë 500 milionë lekë që do të shpërdorohen në formë investimi, ndërsa kryeministri Nano gjen kohën për të këshilluar fadromistin sarandiot. Janë 500 milionë që vidhen në formë investimi dhe ne, qytetarët, nuk e dimë, është apo nuk është kryeministër zoti Nano?
Botuar ne gazeten Shekulli
Shtuar më 21/04/2005, ora 19:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori