ERE urdhëron OSHEE-në: Mos i ndërprisni energjinë atyre që nuk kanë të paguajnë
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka operuar kryesisht me prerjen e energjisë elektrike për ata që nuk paguajnë. Ndërkohë, ata që nuk kanë patur mundësi të paguajnë janë detyruar që të lidhin marrëveshje për të shlyer detyrimin në një periudhë më të gjatë.

Por, Enti Rregullator i Energjisë i ka thënë "stop" praktikës së prerjes së energjisë elektrike për familjet në nevojë duke detyruar kështu OSHEE-në që të heqë përfundimisht dorë nga ky veprim.

Sipas rregullores së re të miratuar nga ERE, OSHEE mund të ndërpresë energjinë elektrike për këtë kategori vetëm pasi ata vazhdojnë të mos paguajnë edhe një vit pasi kanë lidhur një marrëeshje për shlyerjen me këste.

Të gjitha familjet në nevojë që s’kanë mundësi të paguajnë në kohë faturat e energjisë elektrike, nuk do t’u ndërpritet më furnizimi me energji.

Ndër të tjera, rregullorja përcakton se furnizuesi me energji, në këtë rast OSHEE, nuk mund të ndërpresë energjinë elektrike për këtë kategori, përveçse kur brenda 1 viti kalendarik, abonenti nuk ka pranuar asnjë nga programet apo planet e pagesës që i është ofruar nga furnizuesi, apo kur në 4 muajt e fundit ai nuk ka pranuar të paguajë energjinë elektrike sipas planit të rënë më parë dakord.

Gjithashtu, klientëve në nevojë nuk do t’u ndërpritet ndër të tjera energjia elektrike edhe kur temperaturat ditore kapin nivelin e minus 15 gradëve celsius.

Një përcaktim ky që nuk vlen shumë për rastin e Shqipërisë, pasi këto temperatura janë të rralla edhe për zonat më të ftohta të Shqipërisë.

Furnizuesi i energjisë nuk mund të ndërpresë furnizimin për mospagesë kur një abonent përfiton nga statusi i klientit në nevojë, përveçse kur në 12 muajit e mëparshëm, ofruesi i shërbimit (furnizuesi), i ka ofruar dy herë një plan pagese që përshtatet me të ardhurat e klientit ose asistencë pagese, në kuadër të statusit si klient në nevojë dhe është refuzuar prej tij.

Furnizimi me energji elektrike nuk mund të ndërpritet edhe në rastet kur klienti ka paraqitur dhe është në proces trajtimi të kërkesës së tij, për t’u klasifikuar si klient në nevojë, si edhe kur klienti ose një prej familjarëve të tij përdorin pajisje për mbështetjen e jetës, të cilat funksionojnë me energji elektrike dhe ka njoftuar paraprakisht me shkrim për këtë situatë.

Po ashtu, nuk mund të ndërpritet furnizimi me energji elektrike në ditët kur furnizuesi nuk realizon shërbimin për klientët në qendrat e kujdesit ndaj klientit, ose kur klienti është duke respektuar një plan pagese formale, ose kur klienti ka paraqitur një ankesë. Pavarësisht nga sa më sipër, furnizimi i energjisë elektrike për klientët në nevojë nuk mund të ndërpritet edhe në rastet e mëposhtme: Kur klienti i energjisë nuk paguan për furnizimin me energji elektrike plotësisht ose pjesërisht, sikurse kërkohet në kontratën e energjisë elektrike, por detyrimi i tij i përgjithshëm ndaj furnizuesit nuk e tejkalon nivelin minimal të të ardhurave, ose në fundjavë, ose gjatë ditëve të pushimit, sikurse edhe në rastet e kushteve atmosferike me temperaturë ditore -15 gradë celsius.
Shtuar më 05/02/2019, ora 14:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori