E FUNDIT/ Lëkundet Shqipëria, ku ishte epiqendra e tërmetit
Erdogan i premton Kosoves njohje te reja
Albeu.com
Kryeministri i Turqisë është zotuar se vendi i tij do të bëjë krejt çka ka në dorë për ta përkrahur Kosovën për të shtuar numrin e njohjeve. Ai madje i ka aranzhuar kryeministrit Thaçi takime me zyrtarët më të lartë të Greqisë dhe të Sirisë, ku do të bisedohet për mundësinë e njohjes së Kosovës.
Erdogan i ka bërë këto komente në Ankara, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës. Kryeministri turk ka rikujtuar se Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa sot këtë vend e kanë njohur 69 shtete. “Në të gjitha platformat ndërkombëtare, jemi duke e përkrahur Kosovën, që ky numër të rritet”, ka thënë Erdogan, transmeton agjencia turke e lajmeve CIHAN.

Kryeministri turk shpalosi se edhe gjatë ditës së sotme, para se të takonte Thaçin, kishte telefonuar dhe kishte pasur biseda me drejtues të Azerbajxhanit, Katarit, Libisë, Sirisë, madje edhe të Greqisë, me të cilin vend Turqia së fundi ka përmirësuar marrëdhëniet.

“Mikun tim - Thaçin, Siria dhe Greqia e kanë ftuar të diskutojnë për çështjen e njohjes. Besojmë se do të ketë rezultate pozitive”, është shprehur Recep Tayyip Erdogan, kurse transmeton Gazeta Express.

“Kosova për Turqinë është një vend kyç dhe me pozitë strategjike, ndërsa marrëdhëniet tona kanë lidhje historike, ndajmë vlera të përbashkëta dhe jemi vende mike dhe vëllazërore”, ka theksuar Erdogan.

“Pikëllimi i Kosovës është pikëllimi ynë, gëzimi i Kosovës është gëzimi ynë...Dëshirojmë që Kosova të jetë sa më shpejt pjesë e institucioneve euro-atlantike”, ka shtuar ai.

Kryeministri i Turqisë njoftoi se planifikon që në një të ardhme të afërt ta vizitojë Kosovën.

Nga ana e tij, kryeministri Thaçi e ka falënderuar homologun e tij për thirrjet telefonike dhe përpjekjet e tij për shtimin e shteteve që do ta njohin Kosovën. Thaçi nuk ka harrur të përmendë se Turqia ka qenë një ndër vendet e para që e ka njohur realitetin e ri të krijuar në Kosovë. “Jemi dy vende mike që kemi religjion të përbashkët”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se me Turqinë do të vazhdojë bashkëpunimi i mirë shtetëror në fushën e ekonomisë, kulturë dhe në fushën e mbrojtjes.

Shefi i Qeverisë së Kosovës tha se ndihet krenar që Kosova ka krijuar një ambient të favorshëm për tërheqjen e investitorëve të huaj. Ai ka ftuar me këtë rast kompanitë turke, që të vazhdojnë të investojnë në “vendin e mundësive të reja”, sikur e ka quajtur ai Kosovën.



Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zyrtarisht sot e ka mirëpritur kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Ankara.

Vizita e Thaçit në Ankara është vizita e parë shtetërore në nivel kryeministror që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës shkurtin e vitit 2008, raporton Zëri.

Dy kryeministrat do të mbajnë një takim kokë-më-kokë, e më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në këtë takim të Thaçit në Ankara do të diskutohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy vendeve si dhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Erdogan do të organizojë edhe një drekë zyrtare në nder të kryeministrit Thaçi.

Thaçi do të takohet edhe me kryetarin turk, Abdullah Gul, si dhe me zëdhënësin e parlamentit Mehmet Ali Sahin. Ai do të ketë takime edhe në Stamboll.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Republikën e Turqisë, kryeministri Hashim Thaçi do të qëndrojë në Stamboll, ku do të pritet nga kryebashkiaku i Stambollit, Kadir Topba¡. Po ashtu, kryeministri Thaçi do të marrë pjesë edhe në takimin e organizuar me përfaqësues turk të biznesit, lidhur me investimet në Republikën e Kosovës.

Kryeministrin Thaçi në vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë e shoqërojnë ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci. Gjatë vizitës së delegacionit të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive, në fushat përkatëse.

Kthimi i tij në Kosovë pritet të bëhet të shtunën, më 22 maj.
Shtuar më 21/05/2010, ora 10:47
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori