Erdhi Gruevski, iken investitoret
Albeu.com
Edhe përkundër reklamave të shtrenjta që bëri Maqedonia, ajo nuk arriti të thithë asnjë investitor të huaj, përkundrazi, edhe ato që i kishte i përzuri. Sipas Raportit të fundit të Konfederatës për tregti dhe zhvillim, pranë ...... Kombeve të Bashkuara (UNKTAD), Maqedonia ka më së paku investime të huaja nga të gjitha vendet në Evropën Juglindore. Investimet e huaja në vend janë gjithnjë në rënie e sipër që nga viti 2007, e këndej. Vitin e kaluar, shuma e investimeve ka qenë 248 milionë dollarë, më së paku në rajon, ndërsa në nivel të njëjtë me Kirgistаnin, Azerbajxhanin dhe Taxhikistanin. Nga ana tjetër, investimet në drejtim të kundërt – nga Maqedonia në vende të huaja janë 13 milionë dollarë modestë.



Rënia e investimeve të huaja përputhet me qeverisjen e Nikolla Gruevskit, i cili ka ardhur në pushtet që në vitin 2006. Ekspertët vlerësojnë se shkaktarë i ikjes së investitorëve të huaj është pikërisht kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili gjatë "sundimit" të tij nuk është marrë aspak me çështjet ekonomike, por ka pas interesa të tjera.

Ish ministri i ekonomisë, Xhevdet Hajredini thotë se kryeministri Nikolla Gruevski bëri një politikë me të cilën i dëboi investitorët e huaj. "VMRO në vitin 2006 kur erdhi në pushtet deklaroi se të gjithë problemet e tjera të Maqedonisë do të zgjidhen duku zhvilluar ekonominë. Por kjo ishte e pabazë, pasi ai që kur ka ardhur në pushtet më së paku është marrë me ekonominë", thotë, Hajredini, duke shtuar se Maqedonia jo vetëm që nuk u bë vend potencial për investitorët e huaj, por të gjithë investitorët potencial që patën ardhur deri atëherë në Maqedoni i shpalli si më të këqij. "Pasojat e politikës së Gruevskit janë këto. Pas 4 vjetësh jemi dëshmitarë se Maqedonia ka arrit rekord në mos thithjen e investitorëve të huaj", thotë Hajredini, duke shtuar se kryeministri po ballafaqohet me një realitet të hidhur shkaktarë i të cilit është vetë ai. Sipas Hajredinit shkallën makro ekonomike të Maqedonisë e mbajnë vetëm devizat që i sjellin mërgimtarët shqiptarët. "Janë rreth një miliardë euro që mërgimtarët shqiptarë sjellin çdo vit këtu. Po të mos ishin ato, Maqedonia do të kish bankrotuar me kohë", thekson ish ministri i ekonomisë.

Gadaf Rexhepi, profesor në UEJL thotë se ekonomia dhe politika gjithnjë kanë qenë të lidhura. "Për fat të keq, politika që udhëheq kryeministri Gruevski është në disfavor të investimeve dhe ngritjes ekonomike", thotë Rexhepi, duke shtuar se me një politikë kokëfortë dhe joracionale nuk mund të ecet përpara.

Nga vendet e rajonit në zhvillim, dukshëm udhëheq Kroacia me dy miliardë e 600 milionë dollarë investime të huaja, që është dhjetë herë më shumë se sa Maqedonia. Në të njëjtën kohë, Kroacia gjithashtu edhe ka investuar më së shumit në vendet e huaja – një miliard e 200 milionë dollarë. Më së shumti investime në rajon ka në fushën e financave, e më pas të tregtisë dhe komunikacionit. INKTAD parashikon rritje të investimeve në Evropën Juglindore edhe gjatë këtij viti. Në nivelin botëror, si vende-destinacione të investimeve të huaja, udhëheqin vendet në zhvillim dhe tranzicion. Vitin e kaluar, këto vende kanë tërhequr gjysmën e investimeve të huaja. (lajm)
Shtuar më 28/07/2010, ora 12:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori