Eprorët e dy pilotëve merren në pyetje, hetim karburantit
Aksidenti i datës 6 prill ku vdiqën dy pilotët për shkak të rrëzimit të helikopterit, dyshohet se ka ndodhur për shkak të fluturimit në nivel fare të ulët mbi liqen. Helikopteri i Ushtrisë shqiptare, EC-145, dyshohet se ka qenë duke fluturuar fare ulët në momentin kur është përplasur në sipërfaqen e ujit në liqenin e Shkodrës.

Mendohet se ka qenë një kthesë e fortë e menjëhershme apo një manovër e pilotëve që ka sjellë prekjen e helikave në sipërfaqen e ujit duke humbur ekuilibrin e mjetit fluturues. “Panorama” shkruan se grupi i hetimit ka marrë e ka dërguar për analiza mostra të karburantit dhe të vajit të përdorur nga helikopteri i Ushtrisë EC-145, i rrëzuar në Shkodër javën që kaloi.

Bashkë me disa pjesë të tjera të mjetit fluturues, mostrat në fjalë janë dërguar për ekspertim me qëllim përcaktimin e shkakut të rrëzimit të mjetit të Ushtrisë.

Vendimi për ekspertimin e vajit dhe karburantit është marrë nga grupi i hetimit i ngritur në Prokurorinë e Shkodrës dhe Tiranës. Këto dy grupe oficerësh e prokurorësh po kryejnë hetime në lidhje me aksidentin ajror ku gjetën vdekjen dy pilotët Floran Delia e Donald Hoxha. I plagosur mbeti edhe Gerald Baramuça, i cili është pyetur në Spitalin Ushtarak, por ka thënë se nuk i kujtohet asgjë nga dita e aksidentit. /albeu.com/
Shtuar më 13/04/2016, ora 09:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori