Epopeja e UCK-se, homazhe ne Prekaz
Albeu.com
Në ditën e dytë të manifestimit të Epopesë së UÇK-së, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës kanë bërë homazhe pranë varreve të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.Liderët e institucioneve të Kosovës në ditën e dytë të manifestimit Epopeja e UCK, kanë përkujtuar sakrificën sublime të dëshmorëve të kombit në luftën për çlirimin e vendit.
Homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Prekazin kanë bërë edhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të vendit, si zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi, Ramë Manaj, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Fehmi Mujota, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, etj.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se shëmbëlltyra e familjes Jashari është unikate për brezat e ardhshme, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të gjithë njerëzit e tjerë të botës që e duan lirinë.

“Prandaj, them se për ne mbetet borxh i vazhdueshëm që amaneti i tyre si vizion, si qasje për lirinë e vendit dhe ndërtimin e tij mbi bazë të zhvillimeve të mira, ta ecim përpara dhe natyrisht Kosovën ta bëjmë ashtu siç e kanë dashur të gjithë ata që kanë rënë për lirinë e saj dhe për mua është një nder i veçantë dhe kam pasur mundësinë që ta njoh edhe për së gjalli dhe kujtoj edhe kohën e sulmeve të egra që kanë qenë ndaj familjes Jashari, në kohën kur ka dit në mënyrën më të mirë të mundshme të rezistojë atë presion të madh që gjithë makineria serbe ka bërë ndaj tij dhe ndaj familjes dhe natyrisht është e paharrueshme gjithë ajo pjesë apo jetë e përkushtimit të tij për ditën e sotme”, ka thënë Sejdiu.

Kryeministri Thaçi ka thënë se vepra e komandant Adem Jasharit ka qenë është dhe do të mbetet udhërrëfyes edhe në të ardhmen për gjithë popullin e Kosovës, i cili asnjëherë nuk do të harrojë sakrificën sublime të familjes Jashari në luftën për liri.

“Në emër të lavdisë, në emër të krenarisë, por edhe të përgjegjësive për vizionin tonë për të ardhmen për zhvillimin e shtetit tonë të pavarur sovran dhe demokratik, sakrifica sublime e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari ka qenë, është dhe do të mbetet udhërrëfyes edhe në të ardhmen. Ky është vendi edhe i lavdisë edhe krenarisë, por edhe i marrjes së përgjegjësive të reja në angazhimet tona demokratike kombëtare dhe euroatlantike, prandaj sot gjithë shteti, gjithë qytetarët e respektojnë dhe e nderojnë komandantin legjendar Adem Jasharin, familjen Jashari, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e lirisë me energjitë e reja që marrin për të ardhmen tonë dhe për më të zhvilluar, më të përparuar dhe Kosova si pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka vlerësuar se Prekazi legjendar është vendi i cili i bashkon të gjithë shqiptarët për të shënuar Epopenë e madhërishme të UÇK-së, falë luftës të të cilës sot ne gëzojmë lirinë.

“Këtu nga ku jemi sot janë shpërndarë rrezet e dritës, rrezet e lirisë. Sot pas 12 vjetësh të gjitha rrugët e Kosovës vijnë në Prekaz për të nderuar dhe për t’u përkulur para atyre që gjithçka që patën e patën për lirinë dhe ardhmërinë e vendit tonë”, ka thënë Krasniqi.
Shtuar më 07/03/2010, ora 02:18
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori