Epidemiologu i njohur tregon si do të kryhet testimi i shpejtë për COVID-19
Dritan Ulqinaku, epidemiolog në Institutin e Shëndetit Publik thotë se duke nisur nga 7 dhjetori në Tiranë do të nisë aplikimi i testeve të shpejta për identifikimin e personave të infektuar nga COVID-19. Z. Ulqinaku tha se për procedurat e ndjekura nuk ndryshon asgjë në krahasim me tamponin, por përgjigja do të merret brenda 30 minutave.

Epidemiologu i ISHP-së shpjegoi se testi i shpejtë është efektiv për pesë ditët e para të prekjes nga coronavirus ndërsa pas këtij afat nuk mund të aplikohet më dhe se në të tilla raste do të përdoret tamponi. Gjithashtu tha se për personat që nuk kanë simptoma testi i shpejtë nuk vlen.

“Nëse në një familje deri dje ishin tre familjarë me shenja të njëjta nuk i kemi ekzaminuar asnjëherë të gjithë pasi nëse dilte njëri pozitiv fillonte mjekimi për të tre.

Testimi i shpejtë nis në Tiranë nga kjo e hënë. Do të aplikohet në disa pika të nxehta që ekzistojnë në Tiranë por çdo gjë ndryshon me orë dhe jo ditë. Do të jenë epidemiologët që do të përcaktojnë se ku do të ndërhyhet me teste të shpejta”, u shpreh z. Ulqinaku në një interviste për Euronews Albania

“Përgjigja merret brenda 30 minutave. Është ekskluzivitet i epidemiologëve, ata vendosin kur aplikohet. Nga data 7 dhjetor do të vazhdojë aplikimi në terren në Tiranë, ndërsa më pas do të shtrihet dhe në qytete të tjera”, shtoi mjeku i njohur.

Sipas mjekut është shumë i rëndësishëm fakti që këto teste kanë mbërritur para nisjes së stinës së virozëve të tjera pasi do të ndihmojë në eliminimin e dyshimeve nëse simptomat janë të COVID-19 apo të gripit.
Shtuar më 04/12/2020, ora 18:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori