Enver Petrovci: Më punuan rreng, unë nuk e mbështes shembjen e Teatrit
Më datë 1 korrik 2018, media shqiptare në internet u mbush me lajmin me titull: “Enver Petrovci: Për mua është budallallëk mos me u ndërtu një teatër i ri!”

Që nga ajo ditë, Petrovci, 64 vjeç, i cili është i njohur mes të tjerash për rolet e Hamletit, Makbethit dhe Jul Cezarit nga veprat e Shekspirit, krahas dhjetëra filmave, është përpjekur ta përgënjeshtrojë lajmin e publikuar duke thënë se ai është nxjerrë nga konteksti dhe nuk ka mbështetur në kurrfarë mënyre planin e qeverisë aktuale për të shembur teatrin ekzistues, për të dhënë tokën e tij për ndërtim pallatesh dhe për të ndërtuar një teatër të vogël në një pjesë të mbetur të kësaj toke.

Pyetur nga BIRN përmes telefonit, Petrovci tha se një gazetare, e cila nuk i ishte prezantuar me emër dhe mbiemër dhe as nuk i kishte thënë se për kë media punonte, e kishte pyetur në përgjithësi nëse mendonte se Tiranës i nevojitej një teatër i ri, shkruan Birn.

“Unë i thashë po, Tiranës i duhet një teatër,” shpjegoi Petrovci duke argumentuar se ai foli për mënyrën se si një vend duhet të ndërtojë një teatër kombëtar.

“I thashë se teatri duhet të jetë një ndërtesë të cilës publiku i qaset nga të gjitha anët,” shtoi ai.

“I thashë gjithashtu se mendoj se ideale do të jetë që në Tiranë një teatër i tillë të ndërtohet te “Taivani” ose te “Piramida”. Nuk i thashë që mbështes shembjen e teatrit kombëtar aktual” tha Petrovci.

Sipas tij, një ndërtesë teatri nuk duhet të ketë asnjë ndërtesë tjetër afër, duke dhënë shembullin e Teatrit Kombëtar të Zagrebit.

Pas publikimit të “lajmit” në shumë portale të Tiranës dhe Kosovës, Petrovci tha se ishte përpjekur ta përgënjeshtronte lajmin duke kontaktuar media të ndryshme por pa efekt.

“Desha t’i them kryeredaktorit që ta qesë nga puna atë gazetaren, por nuk ia dola”, tha Petrovci. I mërzitur me rrengun, Petrovci tha se është betuar se nuk do të japë më asnjëherë interevistë përmes telefonit për asnjë gazetar. /albeu.com/




Shtuar më 11/07/2018, ora 10:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori