Engel: Politika amerikane ne Ballkan nuk do te ndryshoje
Pëlqej
Albeu.com
Kongresmeni demokrat, Eliot Engel, i cili ka në distriktin e tij një komunitet të madh shqiptaro-amerikanësh tha në një konferencë telefonike me shtypin dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, se për sa i përket Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht se cili nga dy kandidatët zgjidhet president, asgjë nuk do të ndryshojë.Vetë Engel mbështet senatorin Barack Obama, dhe argumenton se kandidatura e tij është më e mirë lidhur me zgjidhjen e problemeve të brendshme që kanë aktualisht Shtetet e Bashkuara.

"Politika dhe mbështetja për pavarësinë e Kosovës, për Shqipërinë, për shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi ka qenë dy-partiake. Ajo filloi në vitet e Clintonit dhe vazhdoi në një masë të madhe në vitet e presidentit Bush. Si Senatori McCain, që ka një histori të njohur në favor të kësaj politike, ashtu edhe senatori Obama do t’i përmbahen asaj”, ka vlerësuar Engel.

Engel citoi në këtë kontekst dhe lexoi dy paragrafë nga një letër që senatori Obama i dërgoi kohët e fundit Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ku shpreh mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimësinë e politikës amerikane atje dhe në gjithë rajonin e Ballkanit.

“Mbështetja amerikane për Kosovën është e pakthyeshme. Shtetet e Bashkuara kanë qenë hapur forca drejtuese e pavarësisë së Kosovës, forca mbrojtëse për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Senatori Obama në postin e presidentit do ta vazhdonte këtë politikë, por unë shpresoj që edhe Serbia, ndërkohë, do të ketë një u udhëheqje më të moderuar”, theksoi ai.

Engel theksoi gjithashtu se kandidati demokrat për nënpresident, senatori Joseph Biden, është një nga përkrahësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës dhe do të ketë një influencë të madhe në politikën amerikane të administratës Obama. (VoA)
Shtuar më 01/11/2008, ora 16:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori