Engel: Palet ta zgjidhin vete krizen politike
Albeu.com
Palët në Shqipëri duhet ta zgjidhin vetë krizën politike. Kështu është shprehur bashkëkryetar i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan Eliot Engel në një intervistë për "Zërin e Amerikës" i pyetur për situatën politike në Shqipëri.
"Unë besoj se shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë situatën e krijuar politike. Nuk besoj se amerikanët duhet t'u tregojnë shqiptarëve se çfarë të bëjnë. Zgjedhjet siç dihet përfunduan me rezultat të ngushtë. Shqipëria ka një sistem demokratik. Procesi demokratik funksionoi. Njëra palë sot kundërshton dhe ndjehet se rezultati nuk ishte i drejtë, pala tjetër thotë se ka siguruar mandatin për të qeverisur. Por këtë duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët, jo t'u thonë amerikanët si të veprojnë" theksoi Engel.
Sipas tij do të ishte më mirë mos të kishte përplasje të tillë publike, pasi pa dyshim si një vend i ri anëtar i NATO-s dhe si një vend që kërkon të anëtarësohet në BE, do të ishte më mirë po të kishte stabilitet. Kongresmeni Engel duke marrë si shembull zgjedhjet në Amerikë ndaj Al Gorit dhe presidentit Bush, të cilat u kontestuan theksoi se në Shtetet e Bashkuara u vendos gjithshka përmes procesit kushtetues dhe kjo sipas tij duhet të ndodhë edhe në Shqipëri.
"Kjo luftë publike nuk është e mirë për imazhin e Shqipërisë. Por përsëri unë nuk mund t'u them palëve çfarë të bëjnë. Ky nuk është roli im. Roli im është të siguroj sa më shumë ndihmë për Shqipërinë që të mundem, të bëjë sa të mundem për të focuar më tej marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, të siguroj fonde të qeverisë amerikane për Shqipërinë. Ky është roli im" theksoi Engel.
Shtuar më 07/05/2010, ora 17:40
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori