Enertila shpërthen nga burgu: S’kam asnjë lidhje me Barushin

27-vjeçarja nga Manza e Durrësi që akuzohet për zhvatjen e 60 milionë lekëve nga një drejtor poste, mohon të ketë lidhje me ngjarjen.

Nga ambientet e paraburgimit ku është ajo theksoi se është viktimë në këtë ngjarje të sajuar nga Barush Ahmeti për arsye, sipas saj, të paqarta.

Enertila mohon të ketë pasur njohje virtuale dhe reale me 30- vjeçarin.

“Së pari dua të them se e gjithë kjo ngjarje nuk ka asgjë të vërtetë brenda saj.

Barushi, të cilin nuk e njoh as virtualisht dhe as realisht, po sajon një ngjarje që nuk ka aspak kuptim.

Gënjeshtrat e tij duken sheshit. Kush është ai person që të sjell 60 milionë lekë pa të njohur?!

Nuk arrij ta kuptoj se si e beson Policia dhe Prokuroria, të cilat në vend ta arrestojnë atë për mashtrim, më mbajnë në burg mua që s’kam asnjë lidhje me këtë ngjarje.

Më vjen shumë keq, pasi kjo ngjarje që s’duhet të kishte të bënte fare me mua, ka shqetësuar në radhë të parë mua, të afërmit e mi, si dhe të fejuarin që është në Itali.

Kërkoj nga Policia dhe Prokuroria hetim të hollësishëm, në mënyrë që të dalë e vërteta në shesh”, u shpreh 27- vjeçarja për panorama.

Ajo theksoi se është abuzuar maksimalisht me identitetin e saj. “Jam bërë pjesë e një ngjarjeje shumë të shëmtuar. Më vjen shumë keq. Më kanë bërë hienë, ndërkohë që unë s’kam lidhje fare.

Flitet e stërflitet se unë paskam pasur probleme psikologjike. Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe këtë e vërtetojnë të gjithë banorët e fshatit dhe të afërmit e mi që më njohim. Sikur paskam 30 adresa ‘Facebook’-u.

Në fakt kam vetëm një adresë dhe ajo është me emrin Enertila Stafa, në profilin e të cilin jam unë dhe nëna ime, Emineja. Unë jam një vajzë e fejuar dhe gjykojeni vetë se çfarë mund të mendojë i fejuari im që ndodhet në Itali.

Po abuzohet me mua se jam njeri pa krah… Nuk më ngelet gjë tjetër, veçse t’u lë Zotin të gjithëve, që nga Barushi e deri tek ata që më mbajnë të mbyllur këtu në burg”.

Në shtëpinë e Enertila Beqjat gjithçka është kthyer përmbys. Ajo që habit është dhoma e saj. Veç krevatit dopio të saj, ku nuk mungojnë as arushët mbi të, 27- vjeçarja ka vënë edhe një krevat për bebe.

Edhe në momentin e arrestimit ajo ka pretenduar se ishte shtatzënë. Ndërkaq, dyer të hapura, mobilie të kthyera përmbys është panorama e shtëpisë. Të vetmit që s’janë bllokuar nga Policia janë dy qentë e dhuruar nga Barushi.

Mobiliet e tjera janë të gjitha të bllokuara, bashkë me dy dhomat e ndërtuara së fundmi. /albeu.com/

Shtuar më 01/10/2017, ora 15:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori