EURO 2024/ Tifozët grumbullohen në bulevard, fillojnë ethet e Shqipëri-Poloni! Ndeshja nis me një minutë heshtje (VIDEO)

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në 20:45 kundër Polonisë në “Air Albania”. Sfida e Tiranës është e pesta për dy skuadrat që luajnë në grupin E kualifikues të Euro 2024. Kuqezinjtë e Sylvinhos (7 pikë) mbajnë vendin e dytë në grup, me një pikë më pak se Çekia (8) dhe një pikë më shumë se Polonia (6).

Dueli është deçiziv për fatet e kualifikimit, me “Shqiponjat” kuqezi që kanë në dorë kalimin ose jo në fazën finale të “Gjermani 2024”, paçka se pas Polonisë luhen edhe tre ndeshje të tjera.

Në stadiumin e tejmbushur, ku biletat janë shitur të gjitha një muaj më parë, Kombëtarja e ka vërtet një finale, kjo edhe për pritshmëritë pas barazimit 1-1 në Pragë kundër Çekisë dy ditë më parë. Me një fitore sot kundër polakëve, kuqezinjtë do “pronotonin” një vend në Gjermani, teksa edhe barazimi do i mbante tanët të dytët në grup.

Tanimë ethet e ndeshjes kanë nisur, me tifozët që janë nisur nga mbarë trojet shqiptare për të qenë në stadium. Grupimi i Tifozave Kuq e Zi që prej orës 15:00 janë mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku kanë nisur festën me këngë patriotike.

Përballja e sotme do fillojë me një minutë heshtje, kjo për të nderuar viktimat e tërmetit shkatërimtar që goditi Marokun dje. UEFA ka vendosur që të gjitha ndeshjet e këtij raundi të nisin me një minutë heshtje dhe nderimi.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë:

Shqipëria (4-3-3): Berisha; Hysaj (Balliu), Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Ramadani, Asllani, Bajrami; Asani, Seferi (Uzuni), Cikalleshi Trajner: Sylvinho


Shtuar 10.09.2023 17:31