“Ndoshta në ditët në vijim nuk do ta kemi më”, apeli i Fevziut për urën e Zogut

Ura e Zogut që ndodhet në mbi lumin Mat në zonën e Milotit rrezikon të shembet. Gazetari Blendi Fevziu, në studion e Opinion, bëri apel këtë të hënë për ta shpëtuar këtë monument kulture të kategorisë së parë.

“Kjo që po shihni pas shpinës time është ura e Zogut, ose ura mbi lumin Mat, në zonën e Milotit. Është vepra e parë publike, infrastrukturore e ndërtuar nga shteti shqiptar me fondet publike. Është ndërtuar në vitin 1926-1927, me një projekt italian të arkitektit Martini dhe i zbatuar nga inxhinieri Gjadri. Është ura më e rëndësishme që lidhte veriun e Shqipërisë me Shqipërinë e Mesme dhe Shqipërinë e Jugut. Është ura e parë që mundësoi transportin automobilistik midis këtyre zonave të Shqipërisë. Ajo rrezikon të shembet. Sidomos shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit kanë dhënë goditje të forta në dy prej këmbëve të urës dhe ndoshta në ditët në vijim ne nuk do ta kemi më. Është monument kulture i kategorisë së parë. Është vepra e parë infrastrukturore e ndërtuar me paratë e shtetit shqiptar dhe njëkohësisht është vepra e parë inovative në ndërtim dhe në materialet e përdorura në të gjithë Ballkanin. Ishte një kartolinë që shërbente për po e quaj, glamour-in e konstruksionit në Shqipëri, por dhe Ballkanin”.

“Ne do të merremi në pjesën e dytë dhe pjesën e tretë me këtë çështje me një historian, me një arkitekt, për të folur se cila ka qenë vlera e kësaj ure dhe çfarë mund të bëjmë për ta shpëtuar atë. Shqipëria është e varfër në trashëgiminë e saj kulturore. Një pjesë i hodhëm vetë në erë në vitet e komunizmit, kisha dhe xhamia me vlerë të jashtëzakonshme. Një pjesë tjetër i shkatërruam pas viteve 90-të, nën babëzinë e ndërtimeve të reja dhe u zhdukën. Rrallimi i monumenteve të kulturës së këtij vendi, qoftë dhe me një të tillë, të përmasave të tilla, është një fatkeqësi. Kështu që i bëj thirrje kujtdo që ka mundësi, të na shpëtojë nga një fatkeqësi tjetër të monumenteve të kulturës”./tvklan.al