EMRI/ Gjyqtari i Apelit në Vlorë mori 47 mijë USD nga Balili
Gjatë hetimeve për pasurinë dhe aktivitetet e fisit të Klement Balilit ka dalë në dritë emri i një gjyqtari të Apelit në Vlorë.

Petrit Aliaj, aktualisht gjyqtar Apeli në Vlorë, i hetuar edhe më parë për pasurinë, në kohën kur punonte si avokat, rezulton se ka përfituar një shumë prej 47 mijë dollarësh nga vëllezërit Balili.

Gjatë një hetimi të vitit 2015, gjyqtari Petrit Aliaj deklaroi se kishte punuar si konsulent ligjor për vëllezërit Balili. Ai tha se kishte punuar atë vit në 2005-n dhe ishte paguar 47 mijë dollarë.

Hetimi asokohe u zhvillua nga Prokuroria e Elbasanit, e cila vendosi në fund pushimin e çështjes, pasi nuk gjeti të kishte ndodhur krim, shkruan panorama.

Por pas verifikimeve të nisura nga Krimet e Rënda së fundi, të dhënat e deklaruara nga gjyqtari i Apelit Petrit Aliaj dhe aktet hetimore që lidhen me burimin e kësaj pagese pritet të tërhiqen te Krimet e Rënda dhe të bëhen pjesë e dosjes së hetimit pasuror për familjen e Balilit.

Ish-drejtori i Transportit në Sarandë është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej majit të vitit 2016 për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Një zyrtar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i tha “BIRN:-it se “pasi janë vënë në dijeni të faktit, kanë kërkuar pranë Prokurorisë së Elbasanit që të administrojnë deklaratat e pasurisë së gjyqtarit Aliaj, si dhe hetimet e kryera mbi origjinën e 47 mijë dollarëve të përfituara prej tij”.

KALLËZIMI NGA ILDKP

Petrit Aliaj u kallëzua nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 8 qershor 2015, për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij, si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit, e cila vendosi të pushojë çështjen penale kundër tij.

Pagesa 47 mijë dollarë për konsulencë ligjore vazhdon të shihet me interes nga prokurorët, ndonëse “barra e provës” ka kaluar tanimë nga gjyqtari Aliaj te vëllezërit Balili. I kontaktuar me telefon nga “BIRN”-i, gjyqtari Petrit Aliaj refuzoi të komentonte lakimin e emrit të tij në hetimet për çështjen “Balili”, si dhe rrethanat e punës së tij si konsulent ligjor.

“Nga organi i Prokurorisë janë kryer hetime të plota dhe të gjithanshme lidhur me pretendimet e ILDKP-së për pasurinë time dhe e njëjta përgjigje është edhe për pyetjet tuaja”, u përgjigj Aliaj.

KONSULENCA LIGJORE PËR BALILAJT

Hetimi i vitit 2015 për fshehjen e pasurisë nuk është i pari ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj. Në vitin 2004, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e shkarkoi atë nga detyra me motivacionin “Për kryerjen e veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës”, ndërsa një vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë e riktheu atë në punë në vitin 2006.

Gjyqtari Aliaj deklaroi se gjatë kësaj periudhe kishte punuar si avokat. Dokumentet e siguruara nga “BIRN”-i tregojnë se në deklaratën e pasurisë për vitin 2006 gjyqtari Aliaj pati deklaruar se “nga data 3 janar deri më 4 mars 2005 kishte përfituar 47 mijë dollarë nga puna e tij si avokat”.

Në vitin 2009, gjyqtari Aliaj ka dhënë shpjegime pranë Inspektoratit dhe e ka justifikuar këtë shumë parash me punën si konsulent i jashtëm ligjor pranë firmave “Balili & Co” dhe “Vëllezërit Balili”, të dyja me seli në Delvinë. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, Aliaj ka pretenduar se kishte punuar një vit për këto dy kompani dhe jo 3 muaj, siç kishte deklaruar më parë pranë ILDKPKI-së.

Aliaj ka paraqitur si provë dy vërtetime të lëshuara në janar dhe shkurt 2008 nga kompanitë “Balili & Co” dhe “Vëllezërit Balili”, të cilat zotërohen nga rrethi i ngushtë familjar i Klement Balilit.


Në vërtetime pranohet se Aliaj ka përfituar rrogë vjetore prej 24 mijë dollarësh për secilën kompani dhe se pagesa ishte bërë çdo muaj dorazi. Megjithatë, pagesa sipas dy vërtetimeve të lëshuara nga kompanitë nuk është pasqyruar në Tatime apo Sigurimet Shoqërore.

Një tjetër dokument i përfshirë në hetimin pasuror ishte edhe një vërtetim i Bashkisë së Sarandës, përmes të cilit konfirmohej se Aliaj kishte ushtruar aktivitetin e avokatit në vitin 2005.

Dokumenti provon se gjyqtari i ka paguar detyrimet fiskale për biznesin e tij të avokatisë në vitin 2009, por nuk dokumenton shumën e të ardhurave të përfituara prej tij.

Akuzat e ngritura nga ILDKPKI ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj u hetuan dhe më pas u rrëzuan nga Prokuroria e Elbasanit. Në vendimin e Prokurorisë që “BIRN”-i e disponon, argumentohet se nuk provohet vepra penale nga ana e gjyqtarit. Në vendimin e pushimit, Prokuroria arrin në përfundimin se çështja e mosdeklarimit të aktivitetit të avokatit për periudhën përkatëse ekziston si problematikë, por e konsideron atë “një lapsus material”.

HETIMI PASUROR

Gjyqtari Aliaj u akuzua nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për deklarim të vonuar të pronësisë mbi një shtëpi trikatëshe në Sarandë dhe të fshehjes së burimeve financiare për ndërtimin e saj.

Kallëzimi penal ndaj tij përfshinte gjithashtu paratë e shpenzuara për shkollimin e vajzës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një depozitë në bono thesari prej 3 milionë lekësh në Bankën e Shqipërisë.

Disa transaksione bankare dhjetëra-mijëra dollarëshe, të deklaruara si garanci për të siguruar disa viza amerikane, u bënë pjesë e hetimit, bashkë me një shumë prej 25 mijë dollarësh të deklaruara prej gjyqtarit si borxh i dhënë nga babai.

Vendimi i Prokurorisë së Elbasanit tregon se gjyqtari Aliaj e justifikoi burimin e parave të përfituara nga babai i tij me një shumë të konsiderueshme që ai kishte marrë dhuratë nga vëllai i vet, i emigruar në vitet ’40 në Australi./albeu.com/



Shtuar më 23/03/2017, ora 11:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori