EMRI/ Ekstradohet nga Italia skafisti i tragjedisë së 9 janarit në Otranto
Është ekstraduar në Shqipëri një nga skafistët e tragjedisë së 9 janarit në Otranto.

Mësohet se ai quhet Elton Tafili dhe është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Vlorës. Sipas mediave italiane, Tafili ka mbërritur dje në Tiranë, për të vuajtur dënimin me burg në Vlorë.

“Milano Today” shkruan se 38-vjeçari u arrestua në prill të vitit të kaluar në qytetin e Milanos, pasi ishte dënuar me 25 vjet burg nga drejtësia shqiptare për trafik të qenieve njerëzore me qëllim emigracionin klandestin.

Tafili ka mundur t’i fshihet për 10 vjet Interpolit, duke u pajisur me dokumente të falsifikuara greke, deri kur më 13 prill të vitit të kaluar policia italiane e kapi në sheshin “Tirana” në Milano gjatë një kontrolli rutinë.

Gjykata e Vlorës në vitin 2006, e akuzoi Elton Tafilin si një nga skafistët që drejtonin gomonen me 39 persona që më 9 janar të vitit 2004 u mbyt në ujërat e kanalit të Otrantos, ndërsa udhëtonte nga Shqipëria drejt Italisë.

Nga kjo tragjedi mundën të shpëtojnë vetëm 11 persona, 6 prej të cilëve ishin skafistë e mes tyre dhe Elton Tafili. 28 persona mbetën të mbytur e 7 prej tyre nuk iu gjetën trupat kurrë.

Procesi gjyqësor vërtetoi se çdo person kishte paguar 1500 euro për të udhëtuar me skaf drejt Italisë, e se kjo tragjedi mund të evitohej./albeu.com/

Shtuar më 14/02/2017, ora 10:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori