A do të kontrollohet banesa e Ahmetajt? GJKKO 48 orë afat për të dhënë ose jo leje

Ditën e djeshme SPAK, pas votimit në Kuvend  i cili i hapi rrugë arrestimit të ish-zv.kryeminsitrit Arben Ahmetaj, depozitoi kërkesën pranë GJKKO, për të vijuar me procedurat për arrestimin dhe ushtrimin e kontrollit në banesën e tij.

Gjyqtari paraprak Erion Bani, ka në dispozicion 48 orë për firmosjen e kërkesës ose refuzimin e saj, teksa të dielën në mbrëmje përfundon edhe orari zyrtar.

Në tavolinën e tij ndodhet vendimi i Parlamentit për heqjen e mandatit të deputetit, si dhe kërkesa e Prokurorisë së Posaçme me sqarimet përkatëse të akuzave.

SPAK e akuzon ish-zëvendëskryeministrin e qeverisë Rama për korrupsion në 6 episode, pastrim parash të dyshuara që janë siguruar nga biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri si dhe për fshehje të pasurisë.

Ndërkohë, nëse gjyqtari paraprak do të miratojë kërkesën për arrestimin e tij, pritet që SPAK të urdhërojë Policinë dhë Byronë Kombëtare të Hetimit.

Nëse sikurse rezultojnë informacionet që Arben Ahmetaj nuk do gjendet në banesë pasi është larguar jashtë vendit, bëhet shpallja e tij në kërkim.

Deputeti socialist i sapo shkarkuar, njëherësh për të paktën 10 vite një personazh kyç në qeverinë e Edi Ramës, i ka mohuar akuzat, por nga ana tjetër ka zgjedhur të mos përballet drejtpërdrejt me to, por përmes avokatëve.

Këta të fundit kanë konfirmuar se Ahmetaj ndodhet në Angli dhe është larguar nga Shqipëria për barsye familjare./Albeu.com/


Shtuar 15.07.2023 18:28