Policia italiane e vëzhgonte prej kohësh, si ra në “grackë” Agim Kajmaku

Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar disa ditë më parë në Itali pasi është kapur me 20 kg kokainë të fshehura në voza lulesh.

Sipas informacioneve paraprake, arrestimi është kryer më 27 maj të këtij viti ku Kajmaku ishte vënë nën vëzhgimin e policisë prej gati 1 viti. Autoritetet i kishin vendosur kamera në dyqane e banesa ku ai ishte parë, duke pasur dyshime të forta se ishte një person i përfshirë në trafik droge.

Gjatë operacionit ai i është prezantuar policisë si Agim Kajmaku i datëlindjes 6 korrik 1971 dhe si ish-kryebashkiak i Vorës në Shqipëri. Në momentin e arrestimit përveç 20 kg drogë të veshur në vazo me lule atij ju gjetën mbi 500 mijë euro cash.

Operacioni anti-drogë mësohet se është ende në vijim e se autoritetet italiane kanë kërkuar ndihmën e atyre shqiptare. Policia e shtetit fqinj ka vënë në pranga edhe persona të tjerë, shqiptarë e jo vetëm që rezultojnë të jenë bashkëpunëtorë me Kajmakun, por ende nuk janë zbardhur detaje për ta.