Dhuna ndaj gazetarëve në veri, Kurti: Ishte sulm nga bandat kriminale serbe, ndërkombëtarët të reagojnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar gjatë ditës së premte ndaj disa gazetarëve në Leposaviç nga disa kriminelë serbë.

Në reagimin e tij në Facebook, Kurti thekson se grupe ektremistësh serbë po dhunëojnë policët dhe gazetarët. Ai ju ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të mbajnë qendrim lidhur me ngjarjen.

Postimi:

Grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët. Policia e Kosovës i shërben drejtësisë dhe ligjit, gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës.

Sot në Komunën e Leposaviqit nga bandat kriminale janë sulmuar gazetarët që ishin të pranishëm gjatë përpjekjeve të disa individëve për të shkaktuar trazira e dhunë.

Kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup. Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu.

Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët. Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve.


Shtuar 16.06.2023 21:15