EMRAT/ Arrestohen 5 persona në Durrës, trafikonin 500 kg kanabis
Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Triss”” ku janë vënë në pranga 5 persona dhe janë sekuestruar 500 kg kanabis.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se të arrestuarit janë Adem Laze 47 vjeç, Elisar Barashima 29 vjeç, Mustafa Sala 22 vjeç, Gjon Syziu 23 vjeç, Tanush Rica 23 vjeç.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi, T.D. 29 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Specialistët e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Shijak finalizojnë me sukses operacionin e koduar “Triss”. Sekuestrohen 500 kg Cannabis Sattiva, 4 mjete dhe 12 telefona celularë.

Arrestohen në flagrancë pesë shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës dhe Shijak, në vijim të punës së tyre për parandalimin dhe goditjen e rasteve të prodhimit të lëndëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Triss”.

Janë arrestuar në flagrancë pesë shtetas, konkretisht:

• Adem Laze 47 vjeç , banues në Xhafzotaj, Durrës;
• Elisar Barashima 29 vjeç, banues në Kurcaj, Fushë-Krujë;
• Mustafa Sala 22 vjeç, banues në Hasan, Fushë- Krujë;
• Gjon Syziu 23 vjeç, banues në Mirditë;
• Tanush Rica 23 vjeç, banues në Rrëshen. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi:
• T.D. 29 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.

Arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi: Më datë 06.02.2017, janë goditur në të njëjtën kohë, 3 raste të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Konkretisht, në vendin e quajtur”Kthesa e Ariut”, në Kullë, në fshatin Hasan, Fushë- Krujë dhe “4 Rrugët Shijak” gjatë kontrollit të ushtruar në mjetet tip Fiat AA 473 GA, me drejtues shtetasin T.D. , mjetin tip Audi me targa AA 682 ES, me drejtues shtetasin Adem Laze, mjetin tip Benz me targa AA 579 GA, me drejtues shtetasin Elisar Barashima dhe pasagjer shtetasin Mustafa Sala dhe mjetin tip Benz me targa AA 036 OS me drejtues shtetasin Gjon Syziu dhe pasagjer shtetasin Tanush Rica, u gjetën dhe sekuestrua në cilësinë e provave materiale:

• rreth 500 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva;
• mjeti furgon tip Fiat;
• automjeti tip Audi;
• 2 automjete tip Benz dhe
• 12 telefona celularë.

Po punohet për kapjen e personave të tjerë të përshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet I kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale” Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim parashikuar në nenin 283/2 të Kodit Penal./albeu.com/

Shtuar më 07/02/2017, ora 09:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori