Mbyllet rafineria ilegale në Kumanovë

Uzina në fshatin Kostërnik u mbyll sot përfundimisht. Investitori i firmës “Base Oil” në takim me banorët e fshatit u tha se do të heq pajisjet e instaluara për përpunimin e vajit të djegur motorik, shkruan Alsat.

Ai tha se ka pasur në procedurë dokumentacionin për të marr leje dhe uzina ka qenë në fazë përgatitore.

Nexhmedin Bajrami tha se elaboratin e ka pasur në emër të firmës së mëparshme “Shell Oil” dhe qëllimi tyre ka qenë të bëj një uzinë për të mos i derdhur vajrat e djegura nëpër tokë siç ndotin auto-mekanikët.

“Ky instalim do të dislokohet tjetërkund, në vend tjetër. Do ta bartim prej aty se qenka një industri që as vet se di, do të bartet në një tjetër vend vetëm sistemi, kurse gjërat tjera do të mbeten si ambalazhimi e magazina. Për arsye se unë këtu as nuk mund ta filloj e as ta mbaroj por erdhëm në ujdi me banorët, por edhe Ministria na solli vendimin që të tërhiqemi prej aty, por dokument kemi nuk ishte asgjë ilegale”, theksoi Nexhmedin Bajrami, Investitor i firmës “Base Oil”.

Nga Bashkësia lokale e fshatit thanë se njëzëri janë të pajtimit që të tërheqin të gjitha ankesat e dorëzuara nëpër Institucione pasi që qëllimi nuk ka qenë të dëmtojnë investitorin, por të mbrojnë shëndetin e tyre dhe të ambientit jetësor.

“U pa se dëmi ishte te ne, për shkak që të mos na dëmtoj neve i nderuari mori vendim që të dislokohet në një vend tjetër me uzinën që ka punuar deri më tani, me vite që ka investuar aty. Mirëpo, ndodhi kjo që ndodhi dhe mori vendimin një herë e përgjithmonë të tërhiqet nga këtu për të shkuar në një vend tjetër”, u shpreh Qaili Qaili, Kryetar i B.L. të fshatit Kostërnik.

Ministri i Ekologjisë tha se ky është një shembull i mirë për të gjithë që të kuptojnë si investitorët ashtu edhe banorët që në rend të parë është shëndeti i qytetarëve dhe me respektimin e ligjit nuk do të dëmtohet asnjëra palë.

“Asnjë aktivitetet në shtetin tonë nuk lejohen pa leje, duhet të ketë leje nga komuna ose ministria. Nëse ka aktivitete pa leje janë jashtë ligjore dhe nuk duhet të ndodhin në shtetin tonë. Unë ju falënderohem qytetarëve që na kanë informuar dhe ne me institucionet përkatëse kemi vepruar në terren për ta shqyrtuar situatën”, tha Naser Nuredini, Ministër i Ekologjisë.

Nga Ministria e ekologjisë bëjnë thirrje tek të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Institucionet dhe mediumet në alarmimin për ruajtjen e ambientit ku jetojnë./ Alsat.mk


Shtuar 1.04.2022 15:32