Euro rifiton terren, kthehet pranë 115 lekëve

Euro ka rifituar terren në kursin e këmbimit me lekun në ditët e fundit.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 114.94 lekë, në rritje për të dytën ditë radhazi. Që nga e mërkura, euro ka rifituar pothuajse një pikë në kursin e këmbimit me lekun. Në fillim të kësaj jave, euro ra poshtë nivelit të 114 lekëve dhe shënoi pikën më të ulët të këtij viti, në nivelin e 113.97 lekëve, ndërsa duket se kjo rënie po korrigjohet pjesërisht.

Agjentët e tregut valutor shprehen se, pavarësisht rritjes së ditëve të fundit, në treg nuk vërehet ndonjë kërkesë me bazë të gjerë për monedhën europiane. Me shumë të ngjarë, rritja mund të jetë e ndikuar nga operacione sporadike në vlera të mëdha.

Një faktor mund të jetë edhe nevoja e aktorëve të mëdhenj të tregut valutor (banka) për të mbyllur pozicionet që mund të jenë hapur në javët e fundit, për shkak të rritjes së volumit të shitjeve të euros, rritje e nxitur nga kursi i favorshëm për blerësit. Një fenomen i tillë u vërejt edhe në ditët e fundit të dhjetorit, kur rënia e kursit në nivelet minimale historike rriti kërkesën për monedhën europiane dhe kjo solli në vijim një lëvizje të kursit në kahun e kundërt, në rritje.

Agjentët e tregut shprehen se balancat e kërkesës dhe ofertës në treg nuk kanë luhatje të mëdha dhe perspektiva e kursit ngelet në favor të lekut, që besohet se do të vijojë të ruajë pozita të forta krahasuar me periudhat e mëparshme.

Nëse shohim tendencat e kursit në afat më të gjatë, leku po vazhdon të mbiçmohet në kursin e këmbimit me lekun. Kursi mesatar i këmbimit për periudhën 1 janar-16 mars 2023 është në nivelin 115.75 lekë, nivel ky 5.3% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas ekspertëve, forcimi i lekut mund të shpjegohet, në radhë të parë, me ecurinë pozitive të flukseve valutore hyrëse, i ndikuar kryesisht nga turizmi, rritja e investimeve të huaja sidomos në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe flukset konstante të prurjeve valutore informale. Në fillim të këtij viti një efekt pozitiv mund të ketë ardhur nga përmirësimi i bilancit tregtar dhe rënia e ndjeshme e deficitit në muajin janar.

Nga ana tjetër, një ndikim të caktuar mund të ketë pasur edhe politika monetare me kah shtrëngues e Bankës së Shqipërisë, që është përcjellë me një rritje të normave të interesit dhe yield-eve për instrumentet financiare në lekë. Kjo mund të ketë ndikuar në kërkesë më të madhe për lekë dhe në rritje të ofertës së euros, sidomos në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kur rritja e yield-eve arriti kulmin./monitor


Shtuar 16.03.2023 15:57