Elita politike e zhytur në krim
Pëlqej
Albeu.com
Skandale dhe afera para zgjedhjeve parlamentare. Aferat më të mëdha prekin kryeministrin Buçkovski, liderin opozitar Gruevski, ish-kryeministrin Hari Kostov, madje edhe presidentin Branko Cërvenkovski.Periudhat parazgjedhore janë momentet më të preferuara që partitë politike të drejtojnë akuzat më të rënda. Praktika nga e kaluara tregon se më kritik janë tre-katër muajt para zgjedhjeve, ndërsa akuzat më të shpeshta janë lidhjet e personaliteteve politike me krimin e organizuar. Ekspertët vlerësojnë se aferat lidhur me kriminalitetin dhe korrupsionin janë tema të rëndësishme parazgjedhore sepse këto dukuri nuk luftohen sa duhet.
Analisti Sasho Ordanovski, shkakun e përsëritjes e sheh në mosfunksionimin e të gjithë segmenteve të veprimit në luftën kundër krimit të organizuar, respektivisht jashtë sferës së veprimit mbeten prokuroria, gjykata por edhe hetuesia.
“Gjithmonë në krimin e organizuar ka njerëz nga elita politike. Në këtë nuk ka dyshim, vetëm se vjen në shprehje kush është më i zoti dhe më i durueshëm që në moment të duhur të nxjerrë gjërat e duhura”, tha Ordanovski. Ai e ilustron këtë dukuri me raste konkrete të pazgjidhura. Duke potencuar emrat e elitës më të lartë të politikës maqedonase.
“Nëse në rastin e dëmshpërblimit të staneve të dhenve ka përgjegjësi Buçkovski si ministër i atëhershëm i Mbrojtjes, nuk mundet që në rastin e bullgarit Ivan Todorov-Doktori i cili lante para në Maqedoni të mos ketë përgjegjësi Nikolla Gruevski si ministër i Financave të asaj kohe”, tha Ordanovski.
Në rastet e pazgjidhura Ordanovski potencon edhe emrat e ish-kryeministrave Lubço Georgievskit dhe Hari Kostovit, si dhe presidentit Branko Cërvenkovski.
Ndërkaq analisti Nazmi Maliqi vlerëson se krijimi i opinionit nga ana e partive politike qëllimisht orientohet në dukuri devijuese siç është korrupsioni apo krimi i organizuar me qëllim të spostimit të vëmendjes nga çështje të parësore në ato margjinale.
“Krijimi i opinioneve të tilla i ndihmon partive politike, duke marrë parasysh se ata kanë mungesë të iniciativës, të kontrollit ose të vetëkritikës që i jep kahe proceseve në reforma të qarta parazgjedhore. Si duket kjo është një mënyrë më e lehtë për të motivuar qytetarët”, tha Maliqi. Sipas tij mënyrat e krijimit të opinionit publik flasin qartë për kulturën politike të përgjithshme.
Në gjithë këtë, së shpejti pritet të shpallet lista me 24 raste më të mëdha të krimit të organizuar, që faktori ndërkombëtar i ka sugjeruar Maqedonisë t’i zbardh deri në vitin 2008.
nga QASHIF BAKIU
Shtuar më 09/04/2006, ora 23:10
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori