Elisa Spiropali reagon ashpër për përjashtimin e deputetit nga PD-ja (VIDEO)
Ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, ka bërë një reagim të gjatë për përjashtimin nga PD-ja të deputetit Myslym Murrizi.

Kujtojmë se Murrizi u përjashtua ditën e djeshme me vota uninime nga pjestarët e PD-së për shkak se ai nuk pranoi që të linte mandatin.

Përmes një deklarate, Spiropali thotë se dëshpërimi e frika, e nxorën përfundimisht jashtë kontrolli lidershipin opozitar dhe jashtë parlamenti pa kthim grupin kundërshtar.

“Për të vajtuar me kujë e për të qeshur me lot, ky teatër i madh dëshpërimi nga pafuqia për të fituar zgjedhjet e radhës dhe frikë nga pjella e mallkuar e reformës në drejtësi, prokuroria speciale antikorrupsion! E cila pasi u del ne ëndërr qyshse u detyruan të votojnë reformën, u është bërë hije tani që i erdhi ora te lindë prej vërteti”- thotë ndër të tjera Spiropali


Deklarata e plotë e Spiropalit:

Dje, kolegu Myslym Murrizi e përmblodhi në një fjali të gjithë thelbin e logoresë së ish-kolegëve opozitarë: U nisën të rrëzojnë Ramën dhe më rrëzuan mua!

Për të vajtuar me kujë e për të qeshur me lot, ky teatër i madh dëshpërimi nga pafuqia për të fituar zgjedhjet e radhës dhe frikë nga pjella e mallkuar e reformës në drejtësi, prokuroria speciale antikorrupsion! E cila pasi u del ne ëndërr qyshse u detyruan të votojnë reformën, u është bërë hije tani që i erdhi ora te lindë prej vërteti.

Dëshpërimi e frika, e nxorrën përfundimisht jashtë kontrolli lidershipin opozitar dhe jashtë parlamenti pa kthim grupin tonë kundershtar. Pasi bëri vertikalen dhe horizontalen, për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve te shkuara, Lulzim Basha s’kishte më asnjë mundësi të justifikonte atë të zgjedhjeve që vijnë. Kjo bashkë me plakun vizëhequr, që jep shpirt po nga zakoni i vjetër i zjarrvënësit dorë nuk heq, u bënë shkopi dhe baruti i shkrepses që dogji partinë qe solli parlamentarizmin ne Shqipëri.

Dhe si për talljen e madhe te universit, zjarrit të deputetëve të djegur i shpëtoi një deputet i vetëm, të cilin deri dje e njihnin zgjedhësit e tij në Lushnjë dhe kontributorët e partisë demokratike, ndërsa sot është në sytë e tërë shqiptarëve mishërimi më kuptimplotë i të vërtetës së kësaj tragjikomedie politike. E cila luhet në emër të popullit, po është vënë në skenë nga ata që këtij populli i kanë bërë qindin kur kanë pasur pushtetin dhe i kanë dendur me baltë sytë e veshët, kur e kanë humbur atë.

Patjetër që nuk është një e mirë për demokracinë e për parlamentarizmin arratia e plakut me djalin dhe krushqit e kunatit nga detyra e deputetit. Por jo vetem s’është fundi i botës, po mund të jetë mundësia e madhe e pastrimit të politikës nga kasta e një partie që lindi si alternativa demokratike e Shqipërisë dhe sot vjen vërdallë si fantazma e rrëmujës dhe shkatërrimit të Shqipërisë.

Sidoqoftë është vetëm një fantazëm, e cila i bën dëm imazhit të vendit me kërcënimet e vërdallosjet e saj, po nuk e merr dot më peng vendin. U bën dëm atyre që jetojnë me punë e që duan qetësi, jo tym e rrëmujë, po nuk i kthen dot më në kohën e mbylljes së qepenave nga rënia e ligjit. U bën dëm familjeve pa dallim bindjesh e simpatish politike, që mbi çdo parti e mbi çdo gjë tjetër, duan sigurinë, po përtej sekëlldisë që i krijojnë njeriut normal çjerrjet e plakut anormal, të djalit antinormal dhe të shoqes paranormale, s’ka shans për kthim mbrapa.

Lulzim Basha vendosi të hidhej në humnerën e tradhëtisë së votuesve të PD, duke marrë me vete tërë partinë për të justifikuar humbjen e radhës e ruajtur çelësat e kashtës! Saliu i dha të shtyrën e fundit me shpresën e dëshpëruar se duke bërë kurban partinë, do të ndalë drejtësinë të vijë drejt tij dhe atyre rrotull e poshtë tij! Monika u vajti pas megjithë shansin për të gjithë, duke shpresuar se këtë ekzil në humnerë e shkroi një dorë hyjnore nga qielli dhe jo dora e plakut të marrë. I cili nënshkroi tamam në 20 shkurt, plot 28 vjet nga shembja e shtatores se Enverit, ikjen e bustit të tij uroj pa kthim nga skena e kuvendit te Shqipërisë.

I vetmi që mbeti, është Myslym Murrizi. Si për të mos lënë askënd të dyshojë se e gjithe kjo nuk është drama e Shqipërisë apo e shqiptarëve, po tragjikomedia e një force të shterruar moralisht e mendërisht, që s’mund të kishte fund më të denjë se ky, në kthetrat e një të marri të marrë fund. /albeu.com/
Shtuar më 23/02/2019, ora 15:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori