Çelet në Tiranë Bienalja e Akuarelit, marrin pjesë 400 artistë nga 60 vende të botës
Tirana mikpriti Edicion e Dytë të Biennales Ndërkombëtare të Akuarelit, ku për pesë ditë do të shfaqen punimet origjinale të rreth 400 artistëve të njohur nga 60 vende të botës.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes të Edicionit të dytë të Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, që organizohet nga Shoqata Kulturore VIZart dhe Shoqata Ndërkombëtare e Akuarelistëve për Shqipërinë, ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili i uroi mirëseardhjen artistëve pjesëmarrës.

Duke falënderuar Presidentin e Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelistëve për Shqipërinë, Helidon Haliti për organizimin e këtij eventi të madh për jetën kulturore të kryeqytetit, Veliaj theksoi se Tirana po kthehet në një kryeqendër e artit botëror.
“Mirënjohjen më të madhe e meriton Helidoni që na mbledh të gjithëve tek Bienalja e dytë dhe ka bërë një punë fantastike që me shumë dashuri të punojë gjatë gjithë vitit që ta kthejë Tiranën në një kryeqytet të artit botëror”, tha Veliaj duke premtuar se për Bienalen e ardhshme i gjithë sheshi “Skënderbej”do të ketë mbaruar duke u transformuar në një nga sheshet dhe hapësirat pedonale më të bukura në rajonin tonë.

Kryebashkiaku u shpreh se Tirana përbën në vetvete një muze, ku ndërthuret arkitektura Otomane, me atë të Realizmit Socialist e deri tek ajo Moderne. “Siç e kanë thënë shumë arkitektë të Tiranës, në fakt është një muze në vetvete. Edhe pse sot jemi në një muze, mjafton të dilni jashtë derës të këtij muzeu dhe do të shikoni nga arkitektura automane, tek arkitektura realizmit-socialist, tek ajo e epokës fashiste dhe 100 viteve më përpara, nga koha e italianëve apo tek struktura moderne. Besoj se kaq shumë histori e paketuar në kaq shumë hapësirë është vështirë që të gjendet”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh optimist se Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit do të shërbejë edhe si nxitës për mjaft të rinj që të merren me art. “Që nga hera e fundit që kemi patur bienalen në Tiranë shumë të rinj kanë gjetur pasionin e tyre. Mbaj mend ishim para pak ditësh tek liqeni, kur shikoja shumë të rinj që kishin dalë për të pikturuar ardhjen e pranverës, edhe disa prej tyre thanë në fakt, pasionin e gjetëm nga Helidoni dhe fakti që kishin qenë në Bienale, e kishin parë, ishin bërë kurioz, kishin zbuluar që kishin një talent. Ndonjëherë njerëzit bëjnë pyetje, ore gjithë kjo ekspozitë, gjithë ky angazhim, 300 artistë, a vjen diçka mbrapa? Jam këtu që t’ju jap provën se po ngelet diçka mbrapa. Shumë të rinj që frymëzohen nga puna juaj, aspirojnë t’ju imitojnë, ose që të bëhen sadopak nga ju”, tha ai.

Duke iu drejtuar artistëve të ardhur nga 60 vende të ndryshme të botës, kryebashkiaku Veliaj theksoi se “Tirana ndoshta nuk është qyteti më i bukur në botë, në terma të modernizimit, por është padyshim qyteti më ngazëllues dhe qyteti më i mirë për t’u shijuar”.
Shtuar më 13/03/2017, ora 09:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori