EURO 2020/ Italia humb kapitenin për ndeshjen me Austrinë

Pasi e përfundoi fazën e grupeve me një rrugë të qartë, të shënjuar nga fitoret kundër Turqisë, Zvicrës dhe Uellsit, tashmë ka ardhur koha që Italia të përqendrohet në 1/8 finale të “Euro 2020”. Nga e hëna në mbrëmje, axurrët kanë njohur emrin e kundërshtarit tjetër që duhet kapërcyer, përkatësisht Austrinë. Dhe përgatitjet për sfidën e së shtunës në mbrëmje në “Wembley” në fakt tashmë ka filluar.

Italia do të vijë në këtë takim në kushtet më të mira të mundshme fizike, duke pasur parasysh që, ndër të tjera, trajneri Roberto Mancini bëri një rotacion të madh në përmbyllësen e grupit kundër Uellsit. Megjithatë, sipas të gjitha gjasave do të duhet të heqë dorë nga kontributi i kapitenit Giorgio Chiellini.

Siç raportohet nga “Corriere dello Sport”, nuk ka shumë të ngjarë që veterani i Juventusit të luajë në zemër të mbrojtjes së bashku me Bonucci. Chiellini raportoi një problem muskulor gjatë ndeshjes kundër Zvicrës dhe megjithëse u ndal menjëherë pas shqetësimit të parë të ndjerë në përkuljet e kofshës së majtë, ai nuk mund të riaftësohet plotësisht para fundjavës.

Kapiteni do të kthehet në grumbullim sot dhe ndjenja është se do të jetë i gatshëm vetëm për sfidën eventuale çerekfinale. Prandaj, Mancini duhet të caktojë një fanellë tjetër startuese, njërin prej Acerbi dhe Bastoni, kundër Austrisë.


Shtuar 22.06.2021 09:18