Ekspertja japoneze: Dëmet nga tërmeti serioze, kujdes ndaj ndërtesave të prekura
Ekspertë të huaj janë mbledhur në Tiranë ku kanë diskutuar për situatën në vend pas tërmetit.

Profesorja e Universitetit te Tokios, Aya Kubota, tha se dëmet janë shumë serioze, ndaj nevojitet një evidentim i saktë i tyre.

Sfidat e sotme në industrinë e ndërtimit dhe rimëkëmbja ndaj rreziqeve natyrore, marrë shkas nga tërmeti i 26 nëntorit, mblodhën në një simpozium ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj të fushave të inxhinierisë, planifikimit dhe arkitekturës.

Të pranishëm në aktivitetin e mbajtur në Tiranë, ishin edhe ekspertët japonezë.

Profesorja e Universitetit te Tokios Aya Kubota foli për rëndësinë e bashkëpunimit mes ekspertëve për të menaxhuar sa më mirë situatën.

“Ka shumë rëndësi që të mblidhen sa më shumë të dhëna pas dëmeve të konstatuara në mënyrë që të planifikojmë edhe rikuperimin. Duhet që ekspertët të bëjnë llogaritjen e dëmeve nga tërmeti dhe me pas duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë.

Është shumë e rëndësishme që ekspertet ndërkombëtarë, përfshirë dhe ata japonezë duhet të bashkëpunojnë me ata vendas për të ecur para në këtë proces. Dëmet nga tërmeti janë serioze, dhe njerëzit po i vuajnë shumë këto pasoja. Ka shumë rëndësi të jemi të kujdesshëm me ndërtesat e dëmtuara që kanë marrë krisje të konsiderueshme”.
Shtuar më 06/12/2019, ora 16:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori