Në bazë të ekspertizës shkencore, deklarimet e
deputetit Armando Prenga bien poshtë, pasi nuk është qëlluar nga arma me
leje që pretendonte ai. Madje është arritur në përfundimin se nga kjo armë, nuk është shtënë në kohën e konflikteve mes dy fiseve.
Ekspertiza e policisë shkencore ka rrëzuar deklarimet e
deputetit Armando Prenga dhe avokatit të tij Baftjar Rusi, pasi sipas ekzaminimit, gëzhoja e gjetur në rrugën Laç-Patok, aty ku deputeti
Prenga pretendoi se fisi Cali i kishte zënë pritë, është qitur nga një armë TT.
Kjo armë është e ndryshme nga pistoleta që deputeti ka dorëzuar në polici si armë me
leje. Ekspertiza nga ana tjetër ka saktësuar se pistoleta me
leje që ka dorëzuar në policinë e Laçit
Armando Prenga, e cila më vonë u sekuestrua nga policia, nuk ka kryer asnjë qitje në kohën e konflikteve mes fiseve
Prenga e Cali në Laç.
Raporti i ekspertizës mbi armën pa
leje, e cila sipas prokurorisë ende nuk është gjetur, është dorëzuar në Gjykatën e Lartë dhe u është dhënë edhe avokatëve. Prokuroria tha se gëzhoja e gjetur në rrugë, nuk përputhet me gëzhojat që ka arma me
leje e Prengës.
Sot Gjykata e Lartë ka shtyrë datën për dhënien e vendimit mbi kërkesën e avokatit të
deputetit socialist
Armando Prenga, për revokim të masës së sigurisë, “arrest me burg”.
Avokati i socialistit ka deklaruar se Prokuroria nuk ka prova që të vërtetojë akuzën e ngritur ndaj
deputetit në lidhje me sherrin masiv që përfundoi me disa të plagosur disa javë më parë në ambientet e Komisariatit të Policisë Laç. /albeu.com/
Shtuar më 03/11/2015,
ora 17:02