Ekspertët: Shqipëria është në pikun e valës së tretë të COVID-19
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se piku i valës së tretë ka kaluar javën që shkoi, kur në Shqipëri u shënuan 1239 raste, nga 4562 testime të kryera.

Sipas projeksioneve të Institutit të shëndetit publik, kurba e infektimeve pritet të mbetet e lartë deri në fund të muajit shkurt. Në muajin mars besohet se do të ketë rënie të rasteve.

“Jemi në një valë të tretë të pandemisë dhe shpresojmë që pikun e saj ta kemi patur ditët që kishim mbi 1 mijë raste dhe ndoshta në ditët në vijim do të na ulet gradualisht ky numër rastesh”, tha Rovena Daja.

Tirana, Gjirokastra dhe Lezha kanë incidencë më të madhe.

“Pozitiviteti ka arritur rreth 30 për qind, megjithatë ditët e fundit kemi një tendencë pak në rënie. Incidenca është 3374.7 për 100 mijë banorë. Incidencë të lartë vazhdon të ketë Tirana, meqenëse ka dhe densitetin më të lartë të popullsisë”, u shpreh më tej Daja, e pyetur nga Tv Klan.

Ekspertët thonë se aktualisht në vend ka transmetueshmëri të lartë të virusit.

Teksa pritet përgjigje nga laboratori i Londrës për mutacionet e Covid, ndoshta mund të ketë një konfirmim pozitiv.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit nga 3935 testime, u rregjistruan 991 të shëruar, 1112 raste të reja dhe 17 humbje jete.

Në 24 orët e fundit janë kryer 3935 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 1112 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:

392 raste në Tiranë, 107 raste në Kavajë, 86 raste në Durrës, 54 raste në Vlorë, 50 raste në Elbasan, 43 raste në Sarandë, 40 raste në Fier, Tepelenë, 39 raste në Berat, 29 raste në Mirditë, 24 raste në Shkodër, 20 raste në Kukës, 18 raste në Krujë, Lushnje, 16 raste në Librazhd, 15 raste në Korçë, 13 raste në Gjirokastër, 11 raste në Kamëz, 10 raste në Bulqizë, 9 raste në Kuçovë, 8 raste në Kurbin, Mat, 7 raste në Përmet, 6 raste në Lezhë, 5 raste në Gramsh, 4 raste në Pogradec, Delvinë, Vorë, 3 raste në Has, Mallakastër, Vau Dejës, Skrapar, Cërrik, 2 raste në Ura Vajgurore, Dibër, Malësi e Madhe, Prrenjas, Kolonjë, 1 raste në Devoll, Pukë, Rrogozhinë, Tropojë, Divjakë, Selenicë, Shijak, Memaliaj, Patos, Poliçan.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 991 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 60,675 që nga fillimi i epidemisë.
Shtuar më 18/02/2021, ora 21:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori